Gjergj Mero: Llogaridhënie publike për çdo zbatim të programit

529
Kandidati Gjergji Mero nënshkroi kontratën sociale me shoqërinë civile për premtimet që lidhen me zhvillimin dhe fuqizimin social të rinisë. Kontrata është një projekt i shoqërisë civile mbështetur nga Ambasada suedeze , e cila synon të monitorojë premtimet e të dy kandidatëve Mero dhe Filo ndaj rinisë së qytetit. Premtimet lidhen me infrastrukturën, ku problem serioz është parkimi, kinemaja e munguar, ngrohja në shkolla, biblioteka qëndrore, karta e studentit, biznesi social, rritja e transparencës me qytetarët për fondet publike dhe përfshirja e më shumë të rinjve në investimet e bashkisë. Këto 10 prioritete janë përcaktuar nga vetë të rinjtë si interesat më të rëndësishme për përmirësimin e jetës së tyre. 
Kandidati Gjergj Mero, duke vlerësuar shoqërinë civile si një strukturë të rëndësishme në vizionin e tij për të drejtuar bashkinë tha projektet për një jetë më të mirë dhe me shpresë për të rinjtë janë prioritet i programit. Njëherësh ai tha se nënshkrimi i kësaj kontrate sociale, do të thotë se me drejtimin e Bashkisë ai do të japë llogari publike për çdo pikë të programit. Kandidati Mero është ndër të parët kandidatë që programin e tij e ka publikuar në faqen e tij në facebook për ballafaqim me publikun.
“Çdo investim dhe shpenzim fondesh publike do të jetë në transparencë të plotë me publikun, mediat klasike e website-t e bashkisë si dhe në konsulencë me çdo grup interesi. Kontrata sociale është pjesë e një filozofie thelbësore të vendeve me demokraci të konsoliduara dhe me pushtet lokal të pavarur. Ndërkohë kandidati Mero në një forum civil me prezencën dhe të kandidatit Filo prezantuan prioritetet e programeve sipas sektorëve të zhvillimit.
Sigal