“Gjeneralja” e KQZ-së, 8 vjet “Kolonele” e SHIK-ut

910
Sigal

Disa ditë më parë, botuam lajmin për dekorimin që iu bë kryetares së KQZ-së së Republikës së Shqipërisë, zonjës Lefterie Lleshi-Luzi, me çmimin ndërkombëtar “Për menaxhimin e Zgjedhjeve” (Election Management Award 2014), dekorim i bërë në Simpoziumin e 9-të Ndërkombëtar për Çështjet Zgjedhore”, mbajtur në Cap Town të Afrikës së Jugut. Po kështu, u dekorua dhe nga Qendra Ndërkombëtare për Studime Parlamentare (The International Centre for Parliamentary Studies), me çmimin “Për menaxhim të përsosur të procesit zgjedhor” (Award for Exsllence in the Management of the Electoral Cycle). Ata që e dekoruan ndoshta nuk i kanë me aq vlerë e seriozitet “kartonët” dhe “pafillot” që ndajnë si “certifikata” e “dekorata” vlerësimi, por në Shqipëri ky vlerësim i kryetares së KQZ-së, ka krijuar edhe habi, edhe gallatë. Pse? Sepse si shpjegohet të dekorohet një drejtuese KQZ-je, e cila akuzohet penalisht për abuzim me fondet publike të këtij institucioni në lidhje me shtypjen e fletëve të votimit dhe me impiantin e numërimit të dështuar elektronik, dhe për më tepër, drejtuese e një institucioni sipëror zgjedhor, apo si drejtuese e një KQZ-je që funksionon vetëm me përbërje të një krahu politik dhe që si institucion, ka të stamposur “damkën” e shkatërrimit të zgjedhjeve e të votës së lirë. Nëse do të kishte një “dekoratë”, që i duhej dhënë kryetares së KQZ-së, zonjës Lefterie Lleshi-Luzi, ajo duhet të ishte “dekorata” për merita në shërbimin sekret shqiptar. Ndoshta ju duket e pabesueshme, por kryetarja aktuale e KQZ-së, emëruar në këtë post nga PD-ja, ka qenë një ndër drejtuesit e lartë të SHIK-ut në vitet 1992-1997, pajisur me gradën “Kolonele” dhe më pas, ka vazhduar punën pa ndërprerje në këtë shërbim të quajtur SHISH, deri në vitin 2000, me titullin “krye-inspektore”. Sipas dëshmive të ish-kolegëve të saj ish-SHIK-as, ashtu si shefi aktual i SHISH Visho Ajazi Lika dhe ish-shef i saj në vitet 1992-1997, zonja Lefterie Lleshi në ato vite përdorte emrin me dy mbiemra: Lefterie Leshi-Luzi, modë emri, të cilën e ndiqnin shumë drejtues të SHIK-ut në ato vite. Në vjetërsisë e punës së saj, zonjës Lefterie Lleshi-Luzi, vitet e shërbimit në SHIK e SHISH i trajtohen sipas statusit të ushtarakut, mbasi ka qenë me gradat “Kolonele” dhe “Kryeinspektore”. Kryetarja e sotme e KQZ-së, Lefterie Lleshi-Luzi, në kohën e SHIK-ut të viteve 1992-1997, ka qenë një nga eksponentët më të fuqishëm të kupolës së SHIK. Ajo, edhe pse në profesion ishte juriste, kryente shumë misione e detyra “speciale” brenda kupolës së SHIK-ut. Sipas ish-kolegëve të saj në SHIK, ajo edhe pse nuk shfaqej me shërbimet që kryente, trajtohej e respektohej si “Nr. 2” i SHIK-ut, madje edhe më e fuqishme se Nr. 2 zyrtar, që ishte Visho Ajazi Lika. Sipas ish-zyrtarëve të SHIK-ut të atyre viteve, çdo lirim që bëhej nga SHIK në ato vite, “mbrohej” e “pastrohej” juridikisht nga “kolonelja” Lefterie Lleshi-Luzi, me detyrë “shefe” juridike në SHIK. Zonja Lefterie Lleshi-Luzi është bërë pjesë e SHIK-ut, në vitin shtator të vitit 1992, menjëherë sa ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe sipas vendit të punës ajo është graduar “N.kolonele” dhe pas 2 vitesh është graduar “Kolonele”. Paralelisht me funksionin e lartë në SHIK, zonja Lefterie Lleshi-Luzi punonte edhe në Akademinë e Arteve, si pedagoge e jashtme, ku jepte lëndën “E drejta e Autorit”, në Degën Regjisurë. Në vitin 2000, “Kolonelja” Lleshi u largua nga SHIK (SHISH) dhe u gradua me detyrë Përgjegjëse e Sektorit Juridik në Agjencinë Kombëtare të Privatizimit (AKP). Pas rikthimit të PD-së në pushtet, ajo u “gradua” në poste të larta të administratës shtetërore. Pa bërë komente, po publikojmë “skedën” e karrierës së saj.

Ja “CV”, publikuar në faqen zyrtare të KQZ-së, nga vetë Lefterie Lleshi-Luzi

 – Vitet 1988-1992: Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, Diplomuar me titullin “Juriste”.

– Vitet 1992-2000: Sektori Juridik, Shërbimi Informativ Kombëtar (SHIK).

– Viti 1994: Akademia e Arteve, Pedagoge e Jashtme, Dega Regjisurë, lënda: “E drejta e Autorit”

– Vitet 2000-2006: Agjencia Kombëtare e Privatizimit (AKP), Përgjegjëse e Sektorit Juridik

– Viti 2006: Kryesia e Kuvendit të Shqipërisë, Specialiste Juridike në Drejtorinë e Prokurimeve

– Vitet 2006-2007: Kryesia e Kuvendit të Shqipërisë, këshilltare ligjore, Komisioni Ekonomisë dhe Financave.

– Viti 2007: Kryesia e Kuvendit të Shqipërisë, Drejtore e Shërbimit Juridik

– Vitet 2008-2009: Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, Departamenti i Marketingut, kurs pasuniversitar 1 vjeçar në “Menaxhim Marketing i Avancuar”.

– Viti 2005: Titulluar Avokate (Nr. Licence 2908).

– Viti 2011-2015: Kryetare e KQZ.

Lista e 18 kandidatëve për kryetar të KQZ-së, ku u përzgjodh Lefterie LLeshi-Luzi

 1. Neritan Kalamishi

2. Anton Lleshaj

3. Marsida Xhafellari

4. Kastriot Frashëri

5. Haki Mustafa

6. Sajmir Vishaj

7. Gasper Kokaj

8. Sokol Hasani

9. Myrteza Myftari

10. Sokol Aga

11. Muharrem Noka

12. Endrit Reka

13. Etleva Paplekaj

14. Kozeta Vuksanlekaj

15. Kristaq Kume

16. Lefterie Lleshi Luzi

17. Altin Qoshja

18. Agron Haxhimali