Gjeneral Lleshi e udhëheq Policinë e Shtetit në modelin e ushtrive të Lindjes

540
Sigal

Ministria e Brendshme nuk ruan dot depot e veta të armëve

Jakup B. GJOÇA

Para disa javësh Komisioni Parlamentar i Sigurisë Kombëtare rrëzoi projektligjin e ministrit të Brendshëm, që të emëronte në radhët e Policisë së Shtetit në poste drejtuese kolonelë ushtarakë. Mirëpo, edhe pse dështoi, ministri Lleshi, ish-gjeneral, nuk heq dorë, që në Policinë e Shtetit të ndërtojë një model të ushtrive, si ato të ish-vendeve komuniste të Lindjes. Qeveria miratoi këtë javë shtesë në organikën e Policisë së Shtetit me 100 policë të tjerë. Vendimi në fjalë mund të perifrazohet pa frikë, si futje në radhët e Policisë së njëqind a më shumë ushtarakëve për të prirë forcat e rendit në këtë stinë të sapofilluar manifestimesh.  Policia e Shtetit po shndërrohet në një strukturë ushtarake, derisa emërohen ushtarakë, gjoja të specialiteteve, ndërkohë që ekziston edhe Akademia e Policisë. Së dyti, policia e Shtetit përdor gaz helmues ushtarak kundër protestuesve dhe jo gazlotsjellës, në kundërshtim me ligjin. Ministri i Brendshëm Lleshi urdhëroi Gardën e Republikës të rrethojë parlamentin dhe Kryesinë e Kuvendit me tela me gjemba, duke e dislokuar si garnizon ushtarak, nga frika e protestuesve. Ministri i Brendshëm urdhëroi që 3 kompanitë celulare të ndërprisnin valët e telefonit dhe internetin në vendin ku zhvillohej protesta, për të penguar transmetimin e drejtpërdrejtë të protestës edhe nga mediat ndërkombëtare, duke e turpëruar Shqipërinë dhe duke dhënë imazhin e një regjimi diktatorial, sikurse Irani dhe Koreja e Veriut. Pas vjedhjes së armëve në Pashaliman, një tjetër vjedhje në përmasat e një skandali, konstatohet në një magazinë në Ministrinë e Brendshme. Bëhet fjale për Qendrën e Furnizimit të Materialeve Teknike, ish-reparti 100, në Mullet. Mësohet se në këtë magazinë ku krahas materialeve të tjera mbahen edhe armë, të cilat përdoren nga efektivet, janë vjedhur armë. Kur Policia e Shtetit nuk është e zonja që të mbrojë depot e armëve të veta, si mund të garantojë rendin publik? Si mund të luftojë atëherë krimin? Ministri i Brendshëm Lleshi, në marrjen e detyrës, u zotua se në çdo veprim të policëve që bie ndesh me ligjin, është vetë ai. Tani që u vodhën pistoletat më moderne, me të cilat është pajisur Policia e Shtetit, shpresojmë që ato të mos i ketë vjedhur vetë ministri Lleshi…!