Gjata: Prokurorët nuk mund të largohen

556
Përplasja mes kryeprokurores Marku dhe drejtuesve të prokurorisë së rretheve, vlerësohet nga juristët si pasojë e gabimeve me reformën në drejtësi. Juristi Çlirim Gjata thotë në një intervistë për “Report TV”, se Arta Marku nuk ka kompetenca për të shkarkuar dhe emëruar prokurorët. Ai i kujton kryeprokurores të rrijë brenda kompetencave të saj, sepse politika do ta tradhtojë dhe do të përballet me akuzën e shpërdorimit të detyrës. “Është bërë një debat i madh për këtë çështjen e zgjedhjes së Kryeprokurores por edhe për shkak të kompetencave. Ajo nuk e ka në kompetencë largimin e prokurorëve nga detyra, qofshin të emëruar apo komanduar, kjo rezulton nga dispozitat ligjore veprimtaria e saj mbështetet në dispozita kalimtare”, tha Gjata. Sipas tij, Marku nuk është zgjedhur e përkohshme nga KLP-ja. “Nëse do shikojmë ligjin 97/2016 në nenin 109 rezulton se dispozitat janë të përkohshme, ndërsa në pikën 3 rezulton se kompetencat e Kryeprokurorit të Përkohshëm parashikohen në dispozita kalimtare, këtë e thotë ligji dhe statusi për Kryeprokurorët e Përgjithshëm”, shpjegoi juristi. Sipas tij, kryeprokurorja nuk ka kompetencat si ato të kryeprokurorëve të mëparshëm, por referohen si dispozita kalimtare të një prokurori kalimtar, këtu janë të gjitha rastet ku shpjegohen qartë kompetencat. “Në asnjë nga pikat për Kryeprokurorët e Përkohshëm nuk thuhet se mund të largojë prokurorët e emëruar apo edhe të komanduar, maksimumi që mund të bëjë është pezullimi i mbështetur mbi argumente dhe ligje, madje duhet ta bëjë publike, sepse po e pezullon. Duhet të specifikohen arsyet e pezullimit si shkelje detyre, po kështu dhe çështjen e lëvizjes së prokurorëve nuk e ka në kompetencë. Ne kemi një problem në kushtet ku mungon Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në rastin kur një prokuror vdes, vetëm në këto raste mund të ndërhyjë, s’ke institucion dhe KLP. Kryeprokurorja nuk mund të ndërhyj në rastet kur nuk ka probleme dhe situata është normale, nuk ka të drejtë ti lëviz nga detyra”, nënvizoi Çlirim Gjata.
Sigal