Gilberto Jaçe: Përmeti, papunësia 25% rrugët nacionale ato të Italisë

763
Sigal

INTERVISTA/ Flet Kryetari i Bashkisë së Përmetit, Gilberto Jaçe

Takimi me Kryetarin e Bashkisë së Përmetit, z. Gilberto Jaçe ishte interesant. Në bisedë ai foli çiltër dhe hapur për problemet e mëdha që ka ky qytet, ku për vite të tëra pushteti qendror nuk i ka dhënë thuajse fare rëndësi kërkesave për rrugët, ujin e pijshëm, trotuaret. Përmeti sot është po ai i 25 viteve më parë, por me trotuare më të amortizuara, me rrjet uji tejet të amortizuar dhe me rrugë nacionale lidhëse të ato të kohës së pushtimit italian. Por më e keqja është se papunësia është në masën 25%.

 Ju keni dy ditë që në sheshin “Vëllezërit Frashëri” përballë Piramidës (Tiranë), keni hapur një ekspozitë me prodhime blegtorale dhe artizanale të qytetit të Përmetit. Si ju lindi kjo ide?

Është e vërtetë, ne prej dy ditësh jemi duke prezantuar përpara qytetarëve të kryeqytetit, produktet tipike të zonës së Përmetit dhe disa punë të tjera  artizanale apo punë dore të grave dhe amvisave të Përmetit. Kjo është një ide për promovimin e territorit tonë në mënyrë që, sa më shumë qytetarë, sa më shumë persona ta njohin këtë territor tonin  aq më shumë do ta vizitojnë zonën e Përmetit. Këto ekspozita apo panaire, e promovojnë qytetin tonë që me territorin, me mjedisin, që është jashtëzakonisht i bukur, por që vazhdojmë me gatimin, kuzhinën që ka vlera të jashtëzakonshme. Njëherazi ne duam të përcjellim dhe traditën tonë të mikpritjes, që rrallë  vende e kanë.

Si e realizuat këtë ekspozitë-panair?

Ishte një bashkëpunim me shoqatën “Pro Përmeti” që përfaqësojnë një pjesë të madhe të prodhuesve përmetarë, për të propaganduar dhe për të bërë me emër produktet e zonës, që kanë nj cilësi mjaft të mirë, por edhe për atë çka afron tjetër kjo zonë e jona e njohur për shumë prodhime, tradita dhe punime artizanale.

Ky është mandati juaj i parë si Kryetar Bashkie? Me cilën parti politike garuat dhe sa ishte numri i votave mbi konkurrentin kryesor?

 Po, ky është mandati im i parë. Unë kam votuar në siglën e PS, por kjo s’do të thotë që unë në krye të Bashkisë do tu shërbej vetëm simpatizantëve të PS. Jo detyra ime është tu shërbej të gjithë banorëve të Përmetit, pasi ata janë bashkëqytetarët e mi. Ky post duhet të jetë me idenë e shërbimit të të gjithë qytetarëve. Unë në  zgjedhjet e 2011, fitova me 350 vota mbi kandidatin tjetër të PD. Ishte një garë e ndershme.

 Si ju duket qeverisja në këto vite?

 Ishte një periudhë e vështirë për diferencat e mëdha mes pushtetit qendror dhe atij vendor, ku në qeverisjen e Berishës, shumë qytete apo Bashki të jugut janë lënë në harresë të plotë. Besoj se tani  do të kemi shuam zhvillime pozitive, për vetë natyrën e qeverisjes Rama, pa aksese, por me ide të qarta.

 Sa banorë ka Bashkia juaj, sa shkolla të mesme dhe 9-vjeçare apo kopshte?

Përmeti  ka 12 5000 banorë me gjendje civile, por në fakt banojnë rreth 8 500 banorë, pasi kjo pjesë munguese janë emigrantë në Greqi apo në Itali. Ndaj dhe numri i nxënësve është ulur. Aktualisht kemi një gjimnaz në qytet ndërsa në gjithë rrethin janë 5 shkolla të mesme të përgjithshme, ka 2 shkolla, 9-vjeçare, ndrysa në gjithë rrethin 12 shkolla 9-vjeçare. Kemi disa çerdhe. Numri i nxënësve është 300 vetëm në Përmet, ndërsa në gjithë rrethin rreth 700 nxënës të shkollave të mesme. Në qytet kemi  3 çerdhe  nga mosha 3-vjeç deri në 6 vjeç.

 Cilat janë problemet kryesore që ka sot qyteti juaj?

 Problemi kryesor i yni është papunësia. Sigurisht si gjithë qytete e tjera shqiptare, por këtu ndoshta është më e madhe. Mungesa  e kualifikimit të njerëzve pasi,  prej 20 vitesh shkollat profesionale në Shqipëri kanë munguar. Kjo ka bërë që shumë punëtorë të mos përshtaten me tregun e punës dhe qyteti ynë e vuan këtë anë.

Sa është papunësia sot në Përmet?

Po ka dy lloj papunësie. Një është ajo e deklaruara, zyrtare, ata që janë regjistruar si punë kërkues, ka dhe një pjesë që nuk shkojnë  të regjistrohen të kërkojnë punë dhe mund të bëjnë një punë të vogël sezonale. Mendoj se, shkalla e papunësisë është 25 % të popullsisë, një përqindje e madhe për nj qytet të vogël.

 Sa emigrantë ka sot qyteti juaj?

Sipas disa shifrave të përafërta qyteti ynë ka rreth 30% të popullsisë emigrantë. Pra jemi një qytet emigranteksporues, ku n.q.s do kthehen akoma më shumë emigrantë, akoma më shumë do të rritet papunësia.

 Po probleme me ujin dhe me energjinë elektrike, a keni pasur në qytet?

Pak a shumë problemi me energjinë elektrike është zgjidhur, pasi populli jonë i paguan ato rregullisht, kurse problemi i ujit të pijshëm është gjithmonë evident.

Përse?

Pasi qyteti është rritur dhe sistemi i ujit të pijshëm është ai i mbetur nga sistemi komunist. Pra, po ai rrjet tashmë i amortizuar. Përveç amortizimi nuk është bërë asnjë ndërhyrje apo përmirësim në rrjetin e ujit të pijshëm. Kjo bën që gjatë periudhës së dimrit të kemi ujë vazhdimisht, ndrysa në verë të kemi mungesa të ujit të  vazhdueshëm. Kemi vështirësi në përballimin me ujë në verë.

Po femra a ka hapësira më shumë punësimi se meshkujt në qytet?

Duke qenë qytet tolerant dhe i emancipuar femrat kanë hapësira pune sa dhe meshkujt, në ato lloj biznesesh të vogla qoftë familjare qoftë dhe kolektive, por dhe në administratë. Kjo është mëse e vërtetë.

 Për zhvillimin e një qyteti apo të nj zone, vend kryesor zë dhe infrastruktura rrugore. Si janë aktualisht, rrugët nacionale që lidhen me qytetin e Përmetit?

 Rrugët  nacionale luajnë nj rol të madh për zhvillimin e një vendi, pasi çdo lloj aktiviteti kryhet me makina, pra duhet mjet lëvizës. N.q.s rruga do të jetë e vështirë, ashtu siç është sot, çdo lloj tregtie do të ketë kosto të lartë, por edhe në kuadrin e turizmit do të zbehej çdo dëshirë e njeriut apo grupeve turistike për të ardhur, ose do vijnë siç vijnë me shumë kufizime. Në drejtim të rrugëve lidhëse nacionale të qytetit nuk është bërë asnjë investim. Rruga nacionale që lidh Gjirokastrën apo Tepelenën me Përmetin, nuk është vënë dorë thuajse që nga koha e Italisë që ë bëri atë rrugë. Mund të jetë bërë asfaltimi vetëm në kohën e regjimit komunist dhe më nuk është bërë asnjë investim. Është e njëjta rrugë, vetëm me më pak gropa por me atë projekt, ku asgjë nuk është parë në horizont në 23 vjet demokraci. Përmeti është lënë pas dore, askush nuk ka menduar për vendin e Frashëllinjve, një vend që dëshiron çdo kush ta vizitojë, por kur mendon rrugën mesjetare e zë krupa.

 Cilat janë vendet kryesore të punësimit, apo çfarë degë të ekonomisë janë zhvilluar aty për punësim?

Njerëzit janë punësuar kryesisht në biznese të vogla, në administratë shtetërore, apo  niveli i shërbimeve hoteleri, turizëm, produktet tipike të zonës dhe 3 fasonë, të cilët  punësojnë një numër të konsiderueshëm grash shtëpiake. Pjesa  tjetër mbulohet me blegtori, me bujqësi, duke përpunuar qumështin.

 Ju folët pak për turizmin, a është zhvilluar turizmi në zonën tuaj?

 Turizmi që afrohet tek ne është i një lloji tjetër, është i çdo lloji, përveç detit. Pra kemi lumenj, kemi pyje, kemi vende të bukura historik, etj…Kushdo mund të gjej vende me bukuri magjepse në zonën tonë. Pra kemi dhe turizëm kulturor, historik, etnografik, natyror. Pasuritë natyrore janë të pafundme.

A u zgjidh përfundimisht problemi i Shtëpisë së Kulturës me kishën ortodokse?

Aktualisht është bashkia që e disponon objektin, pasi çështja është në proces, duke u zgjidhur përfundimisht. Me siguri që do të fitojë komuniteti, ku do të zgjidhen problemet dhe nevojat kulturore të komunitetit por edhe ato të besimit fetar.

Po brenda qytetit si është infrastruktura?

Mund të them se ën këto 23 vjet nuk ka bërë fare përparime. Mënyra se si funksionon pushteti vendor, ai është tërësisht i varur nga pushteti qendror për investimet. Ndërsa roli i donatorëve të huaj ka qenë i papërfillshëm për vetë ndikimin e pushtetit qendror. Kemi besim se qeveria e re do ti shikojë krejt ndryshe njësitë vendore në zonën e jugut.

Cilat janë problemet më imediate që duhet të zgjidhen në Përmet?

Uji i pijshëm, rrugët dhe trotuaret, ku thuajse janë amortizuar tërësisht. Pa diskutuar për punësimin.