Gëzim Zilja/ Beteja false e PDIU

543
Kohët e fundit në skenën e ngatërruar dhe pa rregulla loje të politikës shqiptare doli sërish PDIU-ja e Idrizit. Nga takimet e mbidheshme dhe të nëndheshme me drejtuesit e dy partive kryesore PS dhe LSI, Partia për Drejtësi, Unitet dhe Integrim, zhgrapsi dhe një kolltuk tjetër, atë të zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, veç një morie drejtorash e nëpunësish të lartë të administratës shtetërore. Tani është në kërkim, si thuhet lart e poshtë, të një kolltuku ministror. S’është çudi që dhe kjo të realizohet. Asnjë nuk e di se çfarë ka biseduar Rama dhe Meta me Idrizin dhe sesi u pollën dy kokat të mëdha dhe disa të vogla për PDIU-në. Sjellja e Ramës duke ofruar Idrizin në qeveri, bëhet për të pasur një siguri votash në rast të rritjes së mosmarrveshjeve PS-LSI. Nga ana tjetër, Meta, duke e afruar Idrizin bën dhe ky lojën e tij, duke dhënë të nënkuptohet se Idrizi është më afër LSI-së, sesa PS-së. Hamendësime të tilla ka mjaft dhe Idrizi, duke u ndjerë i përkëdhelur dhe me gjasa i rëndësishëm, ashtu si dhe kur qeveriste PD-ja, kërkon të gëlltisë thela të tjera në favor të grupeve, ose klaneve afër tij. Në koalicionin me PD-në, ia hodhi paq, duke u siguruar përkrahësve të vet poste të shumtë dhe të rëndësishëm, të cilat më vonë u konvertuan në vota në zgjedhjet lokale, por këtë herë në aleancë me kundërshtarin e dikurshëm. Por sa ka përparuar, sa ka përfituar zgjidhja e problemit Çam (njohja dhe kthimi i pronave të çamëve si pronarë të ligjshëm) nga gjithë këto ‘’fitore’’ dhe aleanca të PDIU-së? Në gjithë praktikën botërore, madje dhe në vendet e pazhvilluara aleancat, ose koalicionet për qeverisje të përbashkët, bëhen me marrëveshje paraprake midis të dy palëve, ku nënshkruhet një dokument mbi të drejtat, detyrat, angazhimet, përfshirë dhe postet e çdo rangu. Ky dokument nënshkruhet ditën me diell dhe u bëhet i ditur të gjithë anëtarëve dhe drejtuesve të partisë në qendër dhe në bazë me të gjitha detyrimet që rrjedhin prej saj. Një dokument të tillë partia e Idrizit nuk e ka nënshkruar as dje me PD-në dhe as sot me PS-në. Në këtë kontekst, duke qenë një marrëveshje e fshehtë midis dy personave, ‘’Më jep këtë, të jap atë’’ ajo nuk ka seriozitet dhe bie erë pazar. Së dyti, nëse PDIU-ja ka në themel të programit të vet zgjidhjen e problemit Çam ajo para se të kërkojë kolltukë nga PS-ja, duhet të ushtrojë trysni mbi qeverinë të njohë problemin Çam dhe tjetra shumë e rëndësishme, duke respektuar të gjitha kartat europiane të kërkojë nga qeveria shqiptare ngritjen e komisionit të përbashkët greko-shqiptar për të shqyrtuar problemin e pronave të çamëve të dëbuar me dhunë nga tokat e tyre. PDIU-ja nuk ka një marrëveshje të tillë bashkëpunimi, madje as me gojë nuk e ka zënë një gjë të tillë. Atëherë, e theksoj se futja e PDIU-së në qeveri bie erë të keqe, madje kutërbon, duke e kthyer këtë çështje jetike për komunitetin çam në një Pazar për miqtë e shokët. Komuniteti çam, ata që duan dhe ëndërrojnë që një ditë të marrin pronat, tokat e gjyshërve dhe të baballarëve të tyre, duhet të kuptojnë se PDIU-ja tashmë është kthyer në një parti elektorale, ku postet qeveritare dhe të tjera privilegje që jep qënia në pushtet janë qëllimi i saj final. Komuniteti i respektuar Çam duhet të rishikojë politikat dhe veprimet e veta që çojnë në zgjidhjen e problemit. PDIU-ja dhe lidershipi i saj me veprimet e tyre praktikisht janë jashtë problemit Çam dhe po e përdorin komunitetin si fasadë për qëllime të tjera.
Sigal