Gerti Xhanari: Vettingu i politikanëve, që të ketë besueshmëri, nuk mund të bëhet nga politika e as nga partneri Soros

1088
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Si rastësisht, deputet që rastësisht ka si meritë vetëm “kojshillëkun” me të fortin e qytetit, apo rastësisht, je deputet se ke folur dhe kontaktuar me orë të tëra me një eksponent të botës se krimit

Gerti Xhanari, jurist, në intervistën për gazetën “Telegraf” shpreh mendimin se vettingun në Politikë nuk duhet ta bëjë vetë politika, as institucionet që varen nga politika. Sipas juristit Xhanari, nëse nuk bëhet vettingu, politika qeverisëse nuk mundet të pastrohet nga inkriminimi. Xhanari thotë se vettingu në politikë duhet bërë sikurse vettingu në Gjyqësor, dhe ky vetting nuk e pengon aspak SPAK dhe BKH të hetojnë penalisht politikanët, sikurse nuk pengon vettingun në Gjyqësor.

– Zoti Xhanari pse është i domosdoshëm Vettingu në politikë, derisa ekziston edhe ligji i dekriminalizimit dhe Kodi Zgjedhor, të cilët i kanë në ligj kriteret e pastërtisë së Figurës Morale të deputetëve dhe zyrtarëve të Lartë?

-Nuk duhet ta ngatërrojmë me Ligjin mbi dekriminalizimin. i cili kishte si qëllim pengimin e zgjedhjes ose emërimit, dhe largimin nga funksioni publik të personave, të cilët janë dënuar, apo ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie, ose janë dënuar me vendim jo përfundimtar për kryerjen të krimeve, me synimin që të garantojë besimin e publikut në funksionimin e organeve të zgjedhura shtetërore, institucioneve të pavarura dhe atyre të krijuara me ligj, apo të administratës publike. Në kohën kur, sot kemi deklarata të lira të politikanëve të lartë për “miqësi të sinqertë” me elementë të botës së vërtetuar të krimit, mendoj se vettingu i politikanëve është tashmë një domosdoshmëri. Pa këputur njëherë e mirë lidhjet e krimit me politikën qeveritare, nuk mund të ketë Zgjedhje të lira në Shqipëri.

– Si mund të formulohet në ligj ” lidhja me persona të Botës së krimit”? Në procesin e Vettingut pamë interpretime ku u penalizua edhe lidhja familjare e gjyqtarit me nipin? A nuk na kujton luftën e klasave të komunizmit?

– Pra, është fakt që procesi i vettingut nuk aplikohet për zyrtarët e tjerë të lartë publikë, ku përfshihen deputetët, Kryeministri, ministrat, dhe drejtuesit e institucioneve kushtetuese, apo ligjore. Në këto momente që po flasim, kemi vetëm një projektligj për ndryshime kushtetuese. Pra akoma nuk kemi një draft të hollësishëm për formën dhe mënyrën sesi do të realizohet , ky vetting. Propozuesit, kanë deklaruar që do të ndiqen të gjitha parametrat si për Vettingun në Drejtësi. Nëse qëllimi i këtij Vettingu është ndërprerja e lidhjeve të politikës dhe politikanëve me “klasën e krimit”, atëherë le ta implementojmë sa më shpejt këtë lufte klasash.

– Pse duhet të besojmë se Vettingu në politikë do bëjë katharsisin?

– Sot është fakt që me Kodin Zgjedhor e drejta për të zgjedhur deputetët e Kuvendit, nuk është më e popullit, por e kryetarëve të partive. Dhe praktika e zgjedhjeve 2013 dhe 2017 tregoi se akoma ka raste të përzgjedhjes së njerëzve me lidhje të shumëfishta me botën e krimit. Si rastësisht, sot kemi 12.000 votues së Partisë së Çamëve në Dibër apo deputet që rastësisht ka si meritë vetëm “kojshillëkun” me të fortin e qytetit, apo rastësisht, je deputet se ke folur dhe kontaktuar me orë të tëra me një eksponent të botës se krimit. Zbatimi i të njëjtave norma dhe parime të vettingut, për vlerësimin e “lidhjeve me krimin e organizuar” edhe për politikanët dhe zyrtarët e të tjerë të lartë publike, do të kontribuojë në dekriminalizimin e qeverisjes në vend. Gjithashtu, kjo do të parandalonte aleancat e fshehta e të drejtpërdrejta, para dhe pas zgjedhjeve, midis politikanëve dhe grupeve kriminale.

– Edhe procesi i Vettingut në Gjyqësor nuk dha atë besueshmëri që pritej, sa Opozita ka denoncuar dhjetëra raste. Kush na garanton se Vettingu në politikë nuk do jetë formal?

– E rëndësishme është të gjendet vullneti politik për ta pranuar si një domosdoshmëri imediate dhe për të përcaktuar se kush do ta marrë përsipër garantimin e këtij procesi? Mendimi im është se ky vetting, nuk mund të bëhet nga vetë politika. Sepse nuk ka kuptim dhe do të kishte një humbje besimi që në fillim. Dhe përfundimi do të ishte ajo që po ndodh me Vettingun në Drejtësi, i cili ka marrë tashmë një drejtim të njëanshëm. E rëndësishme është që këtë Vetting ta bëjnë “shqiptarët për shqiptarët”dhe jo partneri qeveritar, SOROS. Është e rëndësishme që edhe të jetë një Ligj i përcaktuar qartë dhe mirë, që të mos përfundojë si “çomage” në duart e kryetarëve të partive për të goditur kundërshtarët brenda partive të tyre. Garantues indirekt, mund të jenë vetëm partnerët tanë ndërkombëtare, por garancia e vetme do te ishte Integriteti moral dhe vetëmohimi i lartë i personave që do t’u ngarkohet ky mision. Kriteret e përzgjedhjes së këtyre personave, duhen parë dhe studiuar mirë kësaj radhe.

-. Pse nuk duhet që Vettingun ta bëjnë institucionet e Drejtësisë, si SPAK, BKH etj? Korrupsioni është galopant, ligjet ekzistojnë, asnjë zyrtar i lartë nuk u dënua.

– Është gabim të mendosh ,siç e kane shprehur edhe disa politikanë të majtë, se nuk i nevojshëm ky Ligj se kemi SPAK dhe BKH. Mendoj se janë dy shina paralele që vetëm ndihmojnë njëra tjetrën. Njëlloj si te Dekriminalizimi dhe Vettingu në Drejtësi, askush nuk e ndalon SPAK dhe BKH, të hetojë dhe të marrë nën përgjegjësi penale, çdo të përjashtuar nga sistemi i drejtësisë nga ana e organeve të vettingut, apo çdo deputet, apo kryetar Bashkie të larguar nga Parlamenti, apo detyra!

– Duke kërkuar vetting edhe në politikë a nuk dëshmon se institucionet si Inspektorati i Lartë i deklarimit dhe verifikimit të pasurive dhe ai i Pastrimit të Parave janë formale dhe nuk kryejnë Detyrën sipas ligjit? Çfarë duhet bërë me to?

– Edhe organet kushtetuese, apo të krijuara me Ligj të veçantë që Ju përmendni, e kanë të përcaktuar objektin e veprimtarisë së tyre si dhe kompetencat. Në rastin e proceseve të Dekriminalizimit, Reformës në Drejtësi, apo dhe Vettingut në politikë, ato do të vazhdojnë të kenë një rol parësor ndihmës, pa ndaluar për asnjë çast veprimtarinë e tyre, sipas objektit për të cilin janë krijuar.

– Kush duhet ta bëjë vettingun në politikë? Si do të jenë të pandikuar nga Ekzekutivi e Parlamenti ata që do bëjnë Vettingun në Politikë?

-Përgjigja e kësaj pyetjeje, do të ishte çelësi i suksesit apo dështimit të kësaj iniciative të domosdoshme, them unë. Duhet gjetur një formulë, që këtë proces ta drejtojë dhe implementojë një organizëm i pavarur nga politika, për të mos ngecur, si në rastin e Reformës në Drejtësi. Por për këtë duhet vullnet politik nga të gjitha palët, gjë që më duket e vështirë për t’u arritur, me këtë mazhorancë arrogante, e cila për momentin, është partnerja më e “sinqertë” e botës së Krimit në vendin tonë.