Gerti Xhanari: “Antishpifja” është frika e madhe ndaj zbulimit të aferave korruptive dhe kriminale

979
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Bie ndesh katërçipërisht me çdo të drejtë evropiane mbi informimin dhe median e lirë, të sanksionuar në Rezoluta të njëpasnjëshme nga Bashkimi Evropian dhe vendime të Gjykatës Evropiane së të Drejtave të Njeriut

Gerti Xhanari, jurist në intervistën për gazetën “Telegraf” shpjegon që paketa “Antishpifje” që kërkon të kalojë me ligj të thjeshtë kryeministri Rama bie ndesh me çdo të drejtë evropiane për informimin dhe median e lirë. Zoti Xhanari pohon se qëllimi i kryeministrit Rama është i errët dhe kërkon “…mbyllja dhe penalizimi i çdo medie të lire” dhe gjithashtu, tregon qartë një frikë të madhe ndaj zbulimit të të vërtetave mbi shkeljet e Kushtetutës, apo kryerjen e “aferave kriminale” nga ana e pushtetit.

– Zoti Xhanari si nocion juridik çfarë është shpifja?

– Sipas përcaktimit në Kodin Penal, Neni 120, është “përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër, duke e ditur se janë të rreme, dhe që cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit”. Nga përmbajtja e këtij neni, që të kemi shpifje, duhet të plotësohen këto kushte:

  • Shpifja të bëhet me anë të thënieve direkte, dhe me qëllim dhe dijeni të plotë.
  • Thëniet të jenë të rreme.
  • Thëniet, apo informacioni të jetë konkret.
  • Thëniet apo informacioni të jetë diskretitues dhe që cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit.

Legjislacioni ynë a e përmban “shpifjen” si Vepër penale? A mund të plotësojë ndonjë boshllëk ligjor Paketa “Antishpifje” që përgatit qeveria?

Siç e përcaktova edhe me sipër, vepra penale e “Shpifjes” është e parashikuar në Kodin Penal, duke përcaktuar sanksionimin e saj me “gjobe penale”. …. dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në një milion e pesëqind mijë lekë”. Nuk e di dhe nuk jemi njohur publikisht mbi këtë Pakete të Qeverisë, se çfarë do të përmbajë ajo. Nëse do ndërhyhet ne Kodin Penal, duke parashikuar rivendosjen edhe të dënimit me “heqje lirie” në nenin përkatës, apo thjesht do të mbetet një iniciativë, në akte nënligjore, apo iniciativa politike dhe administrative. Kur të njihemi me këtë Paketë më mirë, mund të japim edhe një gjykim më të plotë juridik mbi të. Deri tani kemi vetëm deklarimin e Kryeministrit, mbi iniciativën që pritet të ndërmarrë Qeveria.

– Cili është dallimi juridik i Shpifjes nga e Drejta e Fjalës së Lirë?

-Janë dy koncepte diametralisht të kundërta. Fjalë e lirë, kur shpreh të vërteta dhe kur nuk përmban elementin e “qëllimit negativ” brenda saj, është një e drejtë legjitime e çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë e mbrojtur nga çdo ligj i brendshëm dhe çdo Konventë Ndërkombëtare.

Nëse koncepti i “fjalës së Lirë” është i bërë pis, me përhapjen e një informacioni të rremë, dhe me qëllimin për të denigruar një person, atëherë nuk është më liri e shprehjes së lirë, por shpifje e pastër. Këtu bëjmë fjalë gjithmonë që subjekti i veprës penale, është personi si individ. Mbrojtja e dinjitetit dhe integritetit të personit nga një subjekt i tillë sa më sipër, është e mbrojtur edhe në nenin 3 të Kushtetutës së Shqipërisë.

– Pse pikërisht tani, kur Shqipëria vlerësohet nga BE, DASH, FMN dhe BE si vend me korrupsion të lartë, qeveria kërkon të miratojë një ligj kundër shpifjes?

– Dëgjo, mendoj se duhet sqaruar më qartë, kjo “iniciativë” e papritur e Kryeministrit, dhe qëllimi i tij. Nga njëra anë mund të jetë një iniciativë ligjore për të ashpërsuar sanksionin ndaj kësaj vepre penale, duke rivendosur, dënimin me burg të hequr me ligjin 23, në vitin 2012. Por për këtë do të duhen ndryshime ne Kodin Penal, të nenit 120, pra dhe konsensusi i Opozitës. Dhe nga ana tjetër, mundet që thjeshtë, në vazhdën e “mrekullive ligjore”, në këto 4 vitet e fundit, të veprojë me urdhra administrative, apo akte nënligjore. Nëse do të bëhet për të ndaluar “shpifjen” si një instrument që mund të përdoret për denigrimin e figurës së personit, atëherë të gjykohet nëse vendosja e dënimit me burg do të jetë e nevojshme, apo e domosdoshme për ta minimizuar, apo eliminuar këtë fenomen. Por nëse kjo bëhet që, në këto momente “hajnie te pakufi” nga ana e saj, Qeveria kërkon të intimidojë çdo zë që mund të denoncojë, apo të bëjë publike një aferë korruptive të kësaj Qeverie, duke bërë fajtorë Mediat, që publikojnë “pa qëllim të caktuar” një informacion, ose lajm, atëherë jemi përpara një veprimi antikushtetues dhe anti të drejtë. Sepse, kërcënimi që i bëhet Mediave vizive, elektronike dhe të shkruar për mbyllje, apo dënim të tyre, me këtë propozim, tregon qartë një frikë të madhe ndaj zbulimit të të vërtetave mbi shkeljet e Kushtetutës, apo kryerjen e “aferave kriminale” nga ana e pushtetit. Se tjetër shpjegim nuk mund të ketë një iniciativë e tillë!!!

– A mund të miratojë Qeveria jonë çfarëdo ligj që bie ndesh me Konventat Evropiane apo Ligjet e BE, derisa ne jemi në procesin e Integrimit?

– Do të ishte absurde një gjë e tillë. Por qëllimi më i errët i kësaj iniciative të Kryeministrit, nuk është dënimi me “heqje lirie”, i personave që mund të konsumojnë veprën penale të “Shpifjes”, por mbyllja dhe penalizimi i çdo medie të lirë elektronike, vizive, apo të shkruar, në rastin kur konstatohet një rast “shpifjeje” i publikuar në këto Medie. Dhe vini re, këtë konstatim e bën Qeveria, dhe jo Gjykata. Dhe kjo tregon qartë anën e errët dhe kriminale të këtij propozimi, që vjen erë të rëndë Diktature. Dhe po ju them se po. Bie ndesh katërçipërisht me çdo të drejtë evropiane mbi informimin dhe median e lirë, të sanksionuar në Rezoluta të njëpasnjëshme nga Bashkimi Evropian dhe vendime të Gjykatës Evropiane së të Drejtave të Njeriut. Integrim në këto kushte dhe me këtë Qeveri, nuk mund t’i shkojë në mendje askujt.

– A është problem kushtetues që qeveria të miratojë paketë “Antishpifje” pikërisht në mungesën e Gjykatës Kushtetuese?

– Logjikisht dhe juridikisht kjo gjë nuk ka sens dhe është absolutisht e pamundur, dhe antikushtetuese, por tashmë kur jemi në kushtet e një Puçi Kushtetues, sepse jemi pa Gjykatë Kushtetuese, çdo iniciative ligjore dhe çdo ligj i miratuar në dëm të interesave te qytetarëve dhe në mohim të të drejtave themelore të tyre, do të zbatohej, duke i shërbyer interesave kriminale të pushtetit. Kjo pa pasur mundësi bllokimi, pezullimi, apo rrëzimi nga organi e vetëm kushtetues, që mund ta bëjë, që është Gjykata Kushtetuese. Kështu kuptohet qartë se përse kjo mazhorancë, e ka lënë Shqipërinë pa Gjykatë Kushtetuese.

– Faleminderit!