Gerti Bogdani zgjidhet President i Organizatës Botërore të Rinjve të Qendrës së Djathtë

87

Gerti Bogdani, Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe Deputet i Partisë Demokratike në Parlamentin Shqiptar, zgjidhet President i IYDU, Organizata Botërore e Forumeve Rinore të Qendrës së Djathtë.

Mbledhja vjetore e International Young Democrat Union (IYDU) u zhvillua në Lisbone, Portugali, per te zgjedhur drejtuesit e rinj per periudhen 2014-2015. Si një aleancë globale e forumeve rinore të partive të qendrës së djathtë, vizioni dhe puna e IYDU-së bazohet në promovimin dhe forcimin e parimeve dhe vlerave të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe të ekonomisë së tregut. Themeluesja e kësaj organizate, ish-Kryeministrja Margaret Thatcher, e ka përshkruar rolin e IYDU-së si “shumë të rëndësishëm në përçimin, zbatimin dhe forcimin e lirive që kemi dhe të atyre që dëshirojmë të zhvillojmë ende më shumë kudo nëpër botë”. IYDU një organizatë tashmë e konsoliduar, e pavarur dhe me pjesëtarë liderë të rinj nga e gjithë bota, është sot një nga zërat më të fortë për demokracinë kudo në botë.

Zgjedhja e z.Bogdani si President IYDU-së vjen pas një angazhimi intensiv personal dhe të FRPD-së në aktivitete ndërkombëtare, duke marrë një rol aktiv në takimet e organizuara nga IYDU dhe duke ngritur lart imazhin e të rinjve shqiptarë në arenën ndërkombëtare. Në fjalën e tij përshëndetëse si President i sapozgjedhur, z.Bogdani, u shpreh se:

“IYDU është një organizatë dhe një familje e hapur për të gjithe forumet rinore të qendrës së djathtë, të cilët promovojne vlerat e demokracise dhe lirisë në botë. Ne kemi treguar deri më sot se mund të jemi në pararojë të reagimit dhe angazhimit edhe në vendet me konfliktet më të veshtira, dhe jam i sigurt që do të vazhdojme ta bejmë këtë edhe në të ardhmen, atje ku demokracia është në rrezik dhe ku duhet të zhvillohet. Të rinjtë janë forca e vërtetë e çdo demokracie!”

Bogdani tha se lajmin për zgjedhjen President i IYDU-së, e priti me gëzim të veçantë, pasi këto zgjedhje konfirmojnë edhë njëherë njohjen e arritjeve të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, si anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, roli i rëndësishëm në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, avancimin e proçeseve integruese në Bashkimin Europian dhe finalizimin e liberalizimit e vizave, si edhe marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Europian.

“Them se ishte kënaqësi e veçantë pasi këto zgjedhje dëshmojnë për zhvillimin e gjithanshëm të shoqërisë shqiptare dhe konsolidimin e demokracisë në vend – dhe vecanërishtpër përmbushjen e aspiratave të Studentëve të 8 Dhjetorit, të cilët rreth dy dekada më parë shembën regjimin komunist dhe hapën rrugën e rikthimit të Shqipërisë në Europë”, theksoi Presidenti i ri i IYDU.

Votëbesimi i dhënë nga kongresi i IYDU-së në zgjedhjet e zhvilluara pasqyron forcimin e partneritetit të FRPD-se me forumet simotra të spektrit të djathtë politik në rrafshin Europian dhe atë ndërkombëtar. Për më tepër, në këto zgjedhje, vendimtar ka qenë edhe forcimi i profilit të marrëdhënieve ndërkombëtare të FRPD-së për përfaqësimin dhe angazhimin aktiv të Forumit Rinor në aktivitete dhe nisma europiane dhe ndërkombëtare të partive të djathta.

“Ky përfaqësim përbën një moment historik, sepse është hera e parë që Shqiperia zgjidhet në një nivel kaq të lartë drejtues në një organizatë globale. Me krenari mund të them se FRPD është tashmë plotësisht e integruar në të gjitha organizmat e partive simotra europiane dhe botërore”, vecoi Bogdani.

FRPD është anëtare themeluese e organizatës Youth of the European People’s Party (YEPP) – Të Rinjtë e Partive Popullore Europiane, ndërkohë që anëtarësimi në IYDU përbën shkallën më të lartë të integrimit të një organizate politike në formacionin ndërkombëtar të partive të djathta.

IYDU përbën një strukturë të rëndësishme në skenën e politikës ndërkombëtare. Kryesimi i kësaj organizate ofron mundësi për promovimin e rolit të Shqipërisë në axhendën e angazhimeve dhe nismave të partive të djathta në Europë dhe më gjerë në botë. Faktorizimi i vendit tonë në këtë drejtim ka kontribute të drejpërdrejta në forcimin e imazhit në opinionin ndërkombëtar dhe veçanërisht në avancimin e interesave kombëtare në kuadër të integrimit Europian.

“Per mua personalisht përbën kurorëzimin e një angazhimi intensiv në këtë organizatë dhe në marrdhëniet ndërkombëtare gjatë këtyre viteve, është padyshim një ndjesi e vecante kur mendon që një vend i vogël si Shqiperia mund të kryesoje një organizatë të tille globale. Gjë që tregon se shqiptaret mund t’ia dalin kur u krijohen mundësitë dhe e kanë potencialin dhe energjite per ta bere nje gje te tille”, tha Bogdani.

Te zgjedhurit e tjerë nga Mbledhja Vjetore e Këshillit të IYDU janë:  Juan Gowland, Propuesta Republicana – Argentina, Nën-Kryetar; Tuomas Stöckel, KNL – Finland, Sekretar i Përgjithshëm; dhe 10 zv/president nga Junge Union – Gjermani, Young UMP – France, Forza Italia Giovani – Itali, Libani, Tanzania, Kurdistani, Serbia dhe Portugalia.