Gerti Bogdani: Kryeministri Rama vendos kokëfortësinë, arrogancën dhe interesin e tij personal, mbi interesin kombëtar

436
Sigal

Kalimi i kompetencave për zv.ministrin e Jashtëm, z. Cakaj, nga ana e Kryeministrit dhe njëkohësisht Ministrit të Jashtëm të Dekretuar, z. Rama, nuk është thjeshtë një artific për të anashkaluar mos dekretimin e z. Cakaj nga ana e Presidentit, por mbi të gjitha një gabim i rëndë politik dhe diplomatik. Në këtë rast, z. Rama vendos kokëfortësinë, arrogancën dhe interesin e tij personal, mbi interesin kombëtar. Siç u publikua, mos dekretimi nga ana e Presidentit të Republikës ishte si pasojë e një hulumtimi, jo thjesht mbi figurën, por mbi të gjitha mbi ligjshmërinë, e kandidatit të propozuar nga z. Rama. Argumentet se u sulmua për shkak të moshës së re dhe faktit që vjen nga Kosova nuk qëndrojnë aspak. Askush nuk është kundra të rinjve, përkundrazi, por mosha nuk mund të jetë avantazhi kryesor për emërimin në një detyrë kaq të lartë, sidomos kur bëhet fjalë për diplomacinë. Së dyti, numri i librave të lexuar nuk mund të jetë arsyetimi kryesor, sepse mund të kesh lexuar shumë, por të dish pak dhe këtë e tregojnë deklaratat e papjekura të bëra në të kaluarën në postin e zv. Ministrit të Jashtëm të z. Cakaj (si ato për ndarjen e kufijve të Kosovës e të tjera). Dhe së treti, fakti që vjen nga Kosova, nuk duhet të përdoret për të mbuluar mangësitë e tjera, sepse prejardhja nuk mund të mbulojë gabime të aluduara, qoftë për shkak të moshës apo për shkak të interesit, në kurriz të vendit nga vjen; dhe siç e ka cilësuar një diplomat i njohur zv.ministri ynë i jashtëm vërtetë është nga Kosova, por po aq e vërtetë është, se mund të jetë ‘droni i Beogradit në Prishtinë’. Për ta mbyllur, shpreh keqardhjen e thellë që diplomacia shqiptare në këto vite po rrëshqet në nivele shumë të ulëta dhe po e vendos Shqipërinë në pozicione shumë të dobëta në Rajon. Kur mendohej që pika më e ulët e diplomacisë ishte arritur me z. Bushati si Ministër i Jashtëm, z. Rama po na tregon se vërtetë ‘nuk kishim parë gjë akoma’, sot diplomacia zbret edhe në një nivel më të ulët ku krye-diplomat de jure është kryeministri që merret dhe kupton më shumë nga moda, se sa nga diplomacia; ndërsa de-facto do përfaqësohemi me nivel zv.ministri, pra një shkallë më poshtë se të gjithë homologët e tij. Edhe sikur asgjë nga sa thashë më sipër të mos qëndronte, mjafton ky fakt për të kuptuar që në çdo tryezë bisedimi do të jemi në disavantazh. Duke filluar që nga tradhtia kombëtare e ‘Dhimitrit’ (siç e thërriste ish-homologu grek ish-ministrin tonë), që në mënyrë të turpshme i shet detin Greqisë, e duke vazhduar deri tek çështja aktuale dhe sensitive e ditës, ajo e copëtimit të Kosovës, që duket se ministri de-jure dhe ai de-fakto e kanë “për zemër”, pa menduar gjatë për interesin kombëtar. Shqiptarët sot kanë nevojë për një politikë serioze, se po marrin rrugët dhe po lenë vendin e tyre në mënyrë të frikshme. Në vend që politika të merret me këtë çështje madhore, merret me “ping-pong” postesh që e thellojnë edhe më shumë mungesën e shpresës së shqiptarëve!