Gerd Hoxha: Pa pavarësinë financiare, Reforma në Drejtësi dështon

463
Kreu i Unionit të Gjyqtarëve, Gerd Hoxha analizon situatën e sistemit të drejtësisë, duke evidentuar problematikat dhe duke theksuar nevojën për t’u dhënë zgjidhje atyre. Ai thotë se, për një reformë të suksesshme në drejtësi, duhet siguruar pavarësia financiare e sistemit. Pavarësia në përcaktimi e nevojave buxhetore, trajtimi financiar i gjyqtarëve, kushtet e godinave të gjykatave e rivlerësimi i tarifave janë disa prej çështjeve që, sipas tij, duhet të marrin zgjidhje përmes reformës.

Në këndvështrimin tuaj, si kryetar i Unionit të Gjyqtarëve dhe si njohës i sektorit, si paraqitet situata financiare në sistemin e drejtësisë sot?

Para se gjithash, më duhet të them se gjyqtarët, veçanërisht anëtarët e Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë janë mjaft të interesuar për kryerjen e kësaj reforme dhe të gatshëm t’i nënshtrohen çdo lloj kontrolli shtesë. Them “kontroll shtesë” pasi, edhe aktualisht gjyqtarët kontrollohen nga struktura të specializuara, siç janë: Inspektoratet e Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, sa i përket aftësive të tyre profesionale dhe integritetit moral dhe etik e ILDKPI-së sa i përket pasurive të tyre. Në përgjigje të pyetjes suaj, më duhet të them se ju keni prekur një problem shumë të rëndësishëm, por, që, për fat të keq është diskutuar pak ose aspak në tryezat e ekspertëve apo dhe nga media: Pavarësia financiare e sistemit gjyqësor. Kjo pavarësi është një kusht “sine qua non” i domosdoshëm, pa të cilin, Reforma në Drejtësi është e destinuar të dështojë”. Aktualisht, trajtimi ekonomiko-financiar i gjyqtarëve lë shumë për të dëshiruar. Sipas raporteve të fundit të CEPEJ dhe organizmave të tjerë të KE-së që merren me këto çështje, Shqipëria rezulton të renditet e dyta nga fundi, mes vendeve të gjithë Europës. Gjyqtarët shqiptarë janë të keqpaguar, në raport me volumin dhe rëndësinë e çështjeve që ata gjykojnë; është shumë e vështirë që ata të trajtohen me kredi të buta për banesa; nuk gëzojnë trajtime financiare në rast sëmundjesh; ata dhe familja e tyre janë të pasiguruar për jetën apo pasurinë; transporti i tyre nga banesa në vendin e punës, edhe në rastet kur largësia është e madhe, nuk mundësohet nga shteti.

A paraqesin problematika kushtet e punës?

Kushtet e punës janë shumë të vështira; sasia e çështjeve është shumë e lartë, çka sjell edhe zgjatje në kohë të gjykimeve dhe cilësi jo të mirë; godinat e gjykatave ose janë shumë të vjetra ose janë të përshtatura për të qenë gjykata , çka sjell probleme të mëdha në zhvillimin si duhet, në kohë dhe me cilësi të gjykimeve; (p.sh: Dhoma Penale e Gjykatës së Tiranës ka shërbyer më parë si fjetinë e trupave speciale të policisë); në shumicën ka një numër shumë të vogël sallash për të zhvilluar gjykimin, çka bën të cenohet ndjeshëm solemniteti në gjykim; nuk ka zyra të mjaftueshme për secilin gjyqtar apo ato janë të keqpajisura. 

Si paraqiten nevojat për investime infrastrukturore në gjykata?

Është e nevojshme, veçanërisht për gjykatat e mëdha, ndërtimi i godinave të reja, sipas standardeve bashkëkohore. Këto ndërtesa duhet të sigurojnë zhvillim të seancave gjyqësore në mënyre solemne; garanci për jetën dhe shëndetin e gjyqtarëve dhe palëve në proces; lehtësira për komunikimin e gjykatës me median, si një ndër elementet bazë për rritjen e besimit të publikut tek gjyqësori; si dhe një mundësi më të madhe për pjesëmarrjen e publikut në proces, pasi dihet që gjyqet janë publike. 

Sa pavarësi ka gjyqësori në përcaktimin dhe në administrimin e nevojave buxhetore që të ketë edhe mundësinë e adresimit në mënyrën e duhur të problematikave që kërkojnë financim?

Pavarësia duhet të jetë më e madhe. Do të ishte më mirë që shteti të alokonte shumën e caktuar për sistemin dhe të mos ndërhynte në mënyrën e shpërndarjes së kësaj shume. Kjo duhet të jetë kompetencë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Në analizën e sistemit të drejtësisë, çështja e tarifave nuk është lënë jashtë studimit. Besoni ju se ka nevojë për rishikimin e tarifave të gjykatave?

Problemi i tarifave gjyqësore është shumë delikat pasi, një rritje e pastudiuar e tyre mund të cenojë aksesin e individit për t’iu drejtuar gjykatës. Por, nga ana tjetër, tarifat e ulëta shërbejnë shpesh si shkak për abuzim me të drejtën për t’iu drejtuar gjykatës, veçanërisht në rastin e apelimit të vendimit. Po kështu, tarifat e ulëta nuk garantojnë cilësi të mirë shërbimi. Këtu kam parasysh faktin se, aktualisht as 1% e vlerës së grumbulluar nga këto tarifa nuk shkon për llogari të gjykatës por, në buxhetin e shtetit.

A besoni se një trajtim më i mirë financiar i trupës së drejtësisë, mund të ndikojë në uljen e korrupsionit në sistem?

Është fakt i njohur dhe i provuar edhe në vende me demokraci të ngjashme si e jona se, rritja e trajtimit financiar të punonjësve të sistemit të drejtësisë ka sjellë ulje të ndjeshme të perceptimit negativ sa i përket çështjes së korrupsionit në gjyqësor. Gjithashtu, kjo rritje e trajtimit financiar do të sjellë edhe një forcim të nivelit të kontrollit mbi gjyqësorin.
Sigal