Gentian Çala: Po fryn era e ndryshimit…

597
Sigal

Të thuash që jemi një vend i çuditshëm është pak, pasi kur palët politike nuk merren vesh të gjithë analizojnë përse-në, por edhe kur nuk merren vesh, sërisht kërkojnë të gjejnë patjetër një shpjegim ose më keq akoma një “pazar”. Presioni ndërkombëtar (ku përfshihet dhe avancimi i procesit të integrimit), kriza politike dhe zgjedhjet që po afrohen, janë tre faktorë që po e rrëzojnë kështjellën e mospajtimit lidhur me reformën zgjedhore.
Hallkat janë të lidhur në një zinxhir logjik: nuk mund të ketë zgjedhje të reja pa një reformë zgjedhore të dakordësuar ndërmjet palëve, nuk mund të ketë një zgjidhje politike pa zgjedhje, nuk mund të ketë avancim të procesin e integrimit europian pa dy të parat.

Tashmë, marsi duket më afër se kurrë dhe miratimi i reformës zgjedhore me 84 vota në Kuvend do të jetë një formalitet që vjen drejtëpërsëdrejti nga tryeza katërpalëshe. Kjo është dëshmi që opozita dhe opozitarizimi nuk ka vdekur, as nuk është shuar, por është duke trasuar rrugën e ndryshimit në vend. Kështu që bie edhe alibia e dikujt për një opozitë të defaktorizuar, ose për një opozitë letargjike. Me kështjellën e mospajtimit më duket që bie edhe kulla e mosbesimit ndaj opozitarizmit në Shqipëri.

Zgjedhjet e pakontestuara dhe të padeformuara, ndajnë dy epoka në Shqipëri, atë të zgjedhjeve me probleme dhe jo plotësisht të lira dhe të ndershme, me zgjedhjet e lira dhe të ndershme e të gjithëpranuara. Kjo do ti jepete një goditje gjithë paktit të pazëshëm midis krimit dhe politikës, midis gjuetarëve të votave dhe të atyre që pushtetin e shohin si lopë për ta mjelë. Zgjedhjet e ndershme mbyllin përfundimisht kapitullin e tranzicionit të mundimshëm dhe të gjatë të vendit tonë. Ndaj ky më duket një moment historik për vendin.

Ulja në tryezë dhe dakordësimi për reformën zgjedhore nuk është aspak një pazar i radhës, por një marrëveshje për një proçes ku askush nuk të mundet të bëjë atë që ka bërë në të shkuarën, as nuk duhet ta mendojë. Unë e di se kjo nuk do të jetë ideale, por ajo duhet të jetë e gjithëpranuar dhe duhet të tentojë që të ndajë votën nga blerja dhe deformimi, të ndajë politikën nga administrimi i procesit, të ndajë pushtetin nga mundësia e presionit mbi qytetarët. Nëse kjo arrihet, do të jetë një fitore e të gjithëve, por kryesisht e opozitës shqiptare, e cila ka sakrifikuar shumë për të arritur deri këtu.

Kështjella e mospajtimit ra, me hir a me pahir, kjo nuk ka rëndësi. Bashkë me të bien edhe disa nga fenomenet negative të ndodhura në Shqipëri në vitet e fundit. Era e ndryshimit po afron dhe këtë nuk do të ketë mundësi që ta ndalë askush!