Gent Ibrahimi:“KQZ-ja ka një problem themelor, mungesën e legjitimitetit”

470
Sigal

*Drejtori i Institutit për Studime Publike dhe Ligjore

Rikompozimi i KQZ-së, sipas formulës aktuale të Kodit Zgjedhor, është zgjidhja e vetme për të bërë të mundur zhvillimin e një procesi zgjedhor minimalisht të besueshëm

Dje KQZ-ja, edhe pse me 4 anëtarë, vazhdoi që të marrë vendime tepër të rëndësishme të procesit zgjedhor, sikurse është zëvendësimi i anëtarëve të  KZAZ-ve, KQV-ve në rang vendi dhe të marrë pjesë në shortin për propozimin e anëtarit të GNV, të propozuar nga LSI-ja me anëtarë të PR-së. 4 anëtarët e KQZ-së janë të një kahu politik, ndaj çdo vendim i KQZ-së, tashmë është i paragjykuar, sepse është njësoj me  vendimet e  marra nga qendra politike njëpartiake për mbarëvajtjen e gjithë procesit zgjedhor. Po kështu, edhe vendimet për pranimin ose jo të kandidatëve të pavarur, prapë duken të paragjykuara. Drejtori i Institutit për Studime Publike dhe Ligjore, Genti Ibrahimi, në intervistën për “Telegraf”, pohon se, kjo KQZ, e cila tashmë funksionon me 4 anëtarë, ka një problem themelor, mungesën e legjitimitetit. Sepse, sipas zotit Ibrahimi, edhe pse procesi i identifikimit të kandidaturave për anëtarë të KQZ-së vjen nga partitë, kjo nuk do të thotë, argumenton zoti Ibrahimi, që KQZ-ja është institucion politik! Ndërsa vendimin e PS-së, që të mos japë kandidatura të tjera, zoti Ibrahimi e shikon me simpati, sepse kriza është politike dhe zgjidhja duhet të jetë politike, domethënë, të jetë konsensusi, e jo arbitrariteti politik. Nga ana tjetër, – thotë zoti Ibrahimi,- Kolegji Zgjedhor, kurrsesi nuk  ka kompetencën ligjore që të propozojë anëtarë të KQZ-së. Dhe, po të ndodhë edhe kjo, atëherë, sipas zotit Ibrahimi, një situatë që ekspozon brishtësinë dhe absurdin e këtij sistemi. Ndaj, zgjidhja, sipas zotit Ibrahimi është  “Rikompozimi sipas formulës aktuale të Kodit Zgjedhor është zgjidhja e vetme për të bërë të mundur zhvillimin e një procesi zgjedhor minimalisht të besueshëm”.

Ibrahimi, a është e ligjshme, që të kërkohet nga palët politike zëvendësimi i anëtarit të KQZ-së, sa herë ndryshon balancimi politik?

Absolutisht JO! Fakti që procesi i identifikimit dhe propozimit të kandidaturave për anëtarë të KQZ-së kalon përmes kanaleve politike, nuk do të thotë se institucioni qendror i administrimit të zgjedhjeve është politik dhe mund të ndryshojë sa herë ndryshon raporti i forcave politike në Kuvend.Po të ishte kështu, çdo gjyqtar i lartë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe drejtues të institucioneve të tjera të pavarura do të duhej të ndryshonin, kur shumica politike, që i ka votuar ata, nuk është më.

– A është bindës, argumenti tjetër, që u përdor si motiv për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, Muho, për fshehje të shkarkimit të tij, si prokuror në 2003-n?

Pavarësisht stuhisë që shkaktoi propozimi për largimin e Muhos nga KQZ vetëm e vetëm sepse kishte ndryshuar rreshtimi i forcave politike në Kuvend, (një qasje krejtësisht e papranueshme), largimi i tij për shkak të shkeljes së kushtit të parashikuar në germën ë të nenit 12 të Kodit Zgjedhor është teknikisht i saktë. Pra, në qoftë se ligji parashikon se nuk mund të zgjidhet si anëtar i KQZ-së një person që është larguar nga një funksion publik për shkelje të detyrës, fakti që z. Muho është shkarkuar nga detyra e prokurorit pikërisht për shkelje të detyrës, përbën shkak të arsyeshëm për largimin e tij nga KQZ. Natyrisht, që verifikimi do duhej të ishte bërë që përpara zgjedhjes së tij, por sidoqoftë në këto kushte, vendimi i Parlamentit për ta zgjedhur z. Muho, si anëtar të KQZ-së,  është absolutisht i pavlefshëm dhe mund të revokohet nga Parlamenti në çdo kohë. Sidoqoftë, fakti që kjo zgjidhje erdhi vetëm pasi u provua të argumentohej nevoja e largimit të tij, për hir të balancimit (politik),  tregon qëllimin e vërtetë të lëvizjes dhe thelbin e saj politik.

– Analogjia midis motivacionit që u përdor ndaj Muhos, për shkarkimin e tij si prokuror, a është i njëjtë, me atë të Ristanit, që të kuptojmë nëse ka qëllime të tjera?

Analogjitë janë një mjet efikas në çdo operacion logjik. Në këtë kuptim, do të thosha se analogjia qëndron. Vetëm se çështja që po diskutojmë nuk është një operacion logjik, por një argumentim ligjor. Me fjalë të tjera, në rast se në momentin e emërimit të z.Ristani, i cili gjithashtu është larguar nga detyra e tij si gjyqtar për shkelje të detyrës, ligji parashikonte të njëjtin kusht për emërimin e anëtarëve të KQZ-së, (pra, që kandidatët për anëtar të KQZ të mos ishin larguar nga një funksion publik për shkelje të detyrës), atëherë edhe emërimi i tij do të duhej të ishte revokuar nga Kuvendi. Kujtoj, që neni 12, i cili parashikon këtë kusht, është amenduar në vitin 2012. Por, edhe n.q.s kushti do të kishte qenë në fuqi, në kohën kur u emërua z. Ristani, fakti që ligji mund të jetë shkelur në rastin e emërimit të tij, nuk mund të përdoret si argument për të toleruar një shkelje të ngjashme në një rast tjetër.

– Sipas jush, a duhet të ndërhyjnë në zgjidhjen e ngërçit politik të KQZ-së, Presidenti dhe Gjykata Kushtetuese, derisa është cenuar pavarësia e një institucioni të pavarur?

Për sa kohë zëvendësimi i Muhos u kërkua për shkak të rikthimit të balancës së parashikuar nga ligji në strukturat zgjedhore, ishte teorikisht e mundur një ndërhyrje e Gjykatës Kushtetuese e cila, përsëri teorikisht, mund të vihej në lëvizje nga pakica në Kuvend për të rrëzuar vendimin e parlamentit për shkarkimin e anëtarit të KQZ. Gjithsesi, nuk mendoj se Gjykata Kushtetuese do të pranonte ta shqyrtonte çështjen, po të shihet qëndrimi që mbajti ajo (Gjykata Kushtetuese) në rastin e ankimit të PS-së kundër vendimit të Parlamentit për ndarjen e mandateve për zonat zgjedhore. Në skenarin aktual, nuk shoh ndonjë mundësi juridike veprimi për institucionet e përmendura nga ju.

– A ka kompetenca ligjore Kolegji Zgjedhor të zgjedhë anëtarët e tjerë të KQZ-së, derisa partitë politike nuk pranojnë të japin kandidatura të tjera?

JO! Është e kotë të kërkohen zgjidhje juridike, kur i gjithë sistemi ynë zgjedhor është ndërtuar mbi bazën e balancimit të interesave politike. Me fjalë të tjera, në qoftë se subjektet politike vendosin të mos i ushtrojnë të drejtat që iu njeh ligji zgjedhor, institucioneve të tjera dhe publikut nuk i mbetet gjë tjetër veçse të shohin se ç’ndodh. Mendoj që kjo është një situatë që ekspozon brishtësinë dhe absurdin e këtij sistemi.

– A mundet KQZ-ja që të kryejë funksionin e saj kushtetues me 4 anëtarët që kanë mbetur, derisa Gjiknuri deklaroi se, edhe PS-ja do të pranojë që KQZ-ja të funksionojë edhe me 4 anëtarë?

Kjo është teknikisht e mundur. Por problemi që ka kjo KQZ është shumë më i madh, sesa mundësia, apo pamundësia për të marrë disa vendime. Kjo KQZ ka një problem themelor të mungesës së legjitimitetit dhe si e tillë nuk duhet të funksionojë. Rikompozimi sipas formulës aktuale të Kodit Zgjedhor është zgjidhja e vetme për të bërë të mundur zhvillimin e një procesi zgjedhor minimalisht të besueshëm.

Kriza në KQZ është politike, zgjidhja duhet politike

– 3 dorëheqjet e anëtarëve të tjerë të KQZ-së, mendoni se do të ndihmojnë në zgjidhjen e konfliktualitetit të KQZ-së?

Natyrisht, që 3 dorëheqjet janë pasojë e trajtimi të KQZ-së si një institucion politik. Në këtë kuptim, vetëm lëvizje të mëtejshme politike mund ta sheshojnë konfliktualitetin në KQZ.Mesa duket, opozita nuk ka ndërmend të ndjekë procedurat juridike që parashikon Kodi Zgjedhor për zëvendësimin e anëtarëve të dorëhequr. Unë e shoh këtë qëndrim me simpati, sepse kriza në KQZ është politike (pavarësisht petkave juridike me të cilat vishet) dhe duhet të zgjidhet politikisht. Çdo zgjidhje tjetër, do të ishte hipokrizi.