Gazment Bardhi: Rama kërkon të intimidojë Prokurorinë

829
Sigal

Këshilltari juridik në PD, Gazment Bardhi ka deklaruar se kryeministri Rama do të përtypë çdo fjalë që thotë në mënyrë të papeshuar pasi PD akuzat e saj i mbështet në fakte, duke paralajmëruar publikimin e fakteve të reja, por që janë ende në fazën e verifikimit, pasi sipas tij PD-ja nuk mund të publikojë në opinion prova të pavërtetuara. Në lidhje me dëshmitarin Veliu Gazment Bardhi u shpreh, se PD i ka ofruar atij ndihmë ligjore, pasi ndihet i kërcënuar, për shkak se dëshmia e tij implikon strukturat e shtetit. “Albert Veliu zgjedh vetë se kujt i beson, ai beson se PD është i vetmi autoritet që po lufton krimin e organizuar, dhe rasti flet për ministrin e Brendshëm, ndaj ne kemi kërkuar që ai të largohet, pasi Prokuroria sa kohë ai është ministër nuk mund të hetojë në mënyrë jo të njëanshme. Ka ende elementë, e fakte që do publikohen, por jemi në fazën e verifikimit, se faktet e provat verifikohen, e siguroj kryeministrin që çdo fjalë që thotë me tepri dhe pa prova do i përtypë mbrapsht”, tha ai. Sa i përket deklaratës së kryeministrit se audio-përgjimi ishte i pavërtetë dhe se ekspertiza i ishte bërë në një laborator ndërkombëtar, këshilltari juridik i PD-së tha se Rama me këtë i çon mesazh Prokurorisë se cili do të jetë përfundimi i hetimeve. “Rama po e thotë këtë për të intimiduar Prokurorinë në mënyrë që t’i thotë se rezultati i hetimit të jetë ky, prandaj sa kohë që ministri nuk jep dorëheqje dhe kryeministri sillet në një mënyrë të tillë unë dyshoj shumë në pavarësinë e prokurorisë në hetim”, u shpreh Gazment Bardhi. “Ne do të paraqitemi për të dëshmuar, dhe ne kemi qenë bashkëpunues. Shumë shpejt do të tregojmë elemente të tjerë për mënyrën si është realizuar përgjimi”, tha Bardhi.