Gazmend Oketa: Ka ardhur koha të flakim këta politikanë dhe modelet e tyre, ndryshe do mbetemi në tranzicion

533
Sigal

Ish-ministri i Mbrojtjes dhe tani nënkryetari i FRD-së, Gazmend Oketa, në intervistën për “Telegraf” pohon se përgjegjësia e një majori nuk mund të përlyejë imazhin e gjithë Forcave të Armatosura, sikurse edhe përgjegjësia e atyre politikanëve që financohen nga trafiqet e drogës nuk mund të jetë kolektive për gjithë politikanët. Por, nga ana tjetër, zoti Oketa pohon se shoqëria jonë nuk duhet t’u besojë më këtyre politikanëve dhe modeleve të tyre politike, ndryshe do të mbetemi në tranzicion. Pa ndryshime kushtetuese, nuk mund të ketë reforma.

– Zoti Oketa, a përjashtohen nga përgjegjësia morale dhe ligjore drejtuesit e Ushtrisë, të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Forcave të Armatosura, nga rasti i majorit Feka, i cili ishte një trafikant ndërkombëtar i drogës?

– Për shkak të politizimit që synohet t’i bëhet çdo çështje, edhe rasti në fjalë nuk kish si trajtohej ndryshe nga rastet e tjera. Personalisht, nuk besoj se për këtë çështje, apo çështje të ngjashme, duhet të synojmë dhe të gjejmë përgjegjësi kolektive. Major Feka nuk ishte një minoren, për të cilin duhej kujdesur familja, apo dhe mësuesit e tij. Ai ishte një prind, ishte një ushtarak dhe kishte detyrimin, siç dhe duhej të kishte përgjegjshmërinë përkundrejt familjes së tij dhe detyrës së ushtarakut. Nga ana tjetër, për sa kohë çështja është nën hetim nga autoritetet spanjolle e ato shqiptare, do të ishte mirë të pritej përfundimi i hetimeve për të qartësuar rolin e major Feka, apo gjithkujt tjetër të përfshirë në këtë trafik. Por ajo që duhet ndalur menjëherë, pavarësisht hetimeve, është përbaltja dhe përpjekjet për të përfshirë Forcat e Armatosura në histori të tilla. Një njeri i vetëm nuk mundet të hedhë poshtë mundin dhe djersën e atyre mijëra ushtarakëve të tjerë, të cilët punojnë me përkushtim e respekt për uniformën e tyre. Zërave që përpiqen të luajnë politikisht me një histori të tillë, dua vetëm t’i kujtoj se për të qenë më konstant në deklaratat e tyre, ashtu siç bënin tre apo katër vite më parë, në listën e institucioneve apo personave që fajësojnë për këtë ngjarje, të shtonin dhe atë të Presidentit të Republikës, si komandat i përgjithshëm i Forcave të Armatosura.

– Pas zbulimit të laboratorit të drogës në Elbasan, rasti i avionit në Divjakë, dhe “Lazarati”, a janë disa prova që dëshmojë se edhe politika jonë (derisa edhe PD dhe PS akuzojnë njëra tjetrën) është e inkriminuar me trafiqet e drogës?

– Të akuzosh të gjithë politikën si të inkriminuar, apo përfshirë në trafiqet e drogës, do të bënim të njëjtin gabim si të akuzonim të gjithë Forcat e Armatosura për rastin Feka, apo gjithë shoqërinë shqiptare, si të implikuar, meqenëse pjesa më e madhe e trafikantëve të kapur janë qytetarë të thjeshtë. Përpjekjet për të shpërndarë përgjegjësinë tek e gjithë klasa politike, për ta quajtur atë të gjithën të korruptuar apo të papërgjegjshme dhe për të bërë nga pak pis të gjithë politikanët, janë përpjekje të cilat i interesojnë atyre, të cilët, në mos të implikuar direkt në trafiqe droge, financohen nga trafikantët, apo përpjekje të atyre të cilët janë të implikuar në korrupsion, krime shtetërore, deformim vullneti të qytetarëve nëpërmjet vjedhjes së votës. Fatkeqësisht, pjesa më e madhe e memories politike shqiptare të këtyre 24 viteve tranzicion është e mbushur me akuza e kundër akuza nga të dyja krahët. Nëse akoma nuk e kemi kuptuar se nuk është kjo mënyra e duhur për të bërë politikë, nëse akoma shoqëria shqiptare nuk e ka kuptuar se nuk janë këto politikanët apo modelet politike që duhen mbështetur, do kalojnë dhe shumë 24 vjeçarë të tjerë dhe ne do mbetemi akoma në të njëjtin nivel politik, i cili dallon shumë pak nga niveli i debatit të rrugës.

– A mund të sterilizohet Kuvendi dhe politika nga kriminalizimi vetëm me ngritje të komisioneve parlamentare, apo me dëshmi certifikimi të dëshmive të penalitetit të çdo deputeti?
– Absolutisht jo. Së pari, komisionet hetimore parlamentare në pothuaj 100% të rasteve kanë dështuar, pasi ngritja e tyre nuk ka pasur asnjëherë qëllim në vetvete çështjen për të cilën është ngritur, por thjeshtë përdorimin politik të punës së tij. Pas ndryshimeve kushtetuese dhe kodit zgjedhor në vitin 2008, Shqipëria, de fakto, është kthyer në një republikë kryeministrore. Nga ky këndvështrim, Kuvendi i Shqipërisë pothuajse ka humbur krejtësisht funksionet e tij dhe deputetët kanë humbur pavarësinë për të ushtruar të gjitha funksionet e tyre, të pa ndikuar nga vullneti i ekzekutivit. Kur them pavarësi, sigurisht nuk kam parasysh një pavarësi absolute, pasi deputetët kanë dhe detyrimin të mbështesin një linjë politike të forcës që përfaqësojnë, por nuk kanë detyrimin të pranojnë që të konsiderohen dhe përdoren thjesht si kartonë që ngrihen dhe ulen sipas urdhrave politik. Në rast se duam të korrigjojmë diçka, atëherë së pari duhet t’i rikthehet qytetarëve shqiptarë mundësia për të zgjedhur ata me votë përfaqësuesit e tyre, gjë që i është mohuar me kodin zgjedhor aktual. Sot votuesit shqiptar janë thjesht noter të listave të mbyllura të partive politike. Sistemi zgjedhor maxhoritar, për 100 zona zgjedhore dhe proporcional për 40 vende në parlament, besoj se ka qenë sistemi më i mirë dhe që i kufizonte mundësinë kryetarëve të forcave politike për të trajtuar si pronë të tyre këto forca.

– Zoti Oketa, cila është domethënia e fitores së SYRIZA? 
– Është e vështirë që të “përkthesh” e të krahasosh domethënien e fitores së Syriza në Greqi, me situatën dhe realitetin në Shqipëri. Mesazhi i parë që përcolli fitorja e Syriza, besoj se është fakti që votuesit grek guxuan të bëjnë një rotacion të elitave të vjetra politike. Me plot të drejtë dikush mund të thotë se z. Tsipras bëri shumë premtime, të cilat vështirë se do t’i mbajë. Kështu besoj dhe unë, por gjithsesi, së pari, kjo mbetet një gjë për tu vërtetuar, dhe së dyti, është më mirë të guxosh e të provosh ndryshimin, se të mbash në pushtet pambarim të njëjtit drejtues, sidomos kur ata prioritet kanë interesat e familjeve të tyre dhe jo ato të qytetarëve.

– Mendoni se kjo demokraci që deri tani njohim, me dominimin 70 vjeçar të 2 partive tradicionale, e djathta konservatore dhe e majta socialdemokrate, e kanë mbaruar misionin e tyre politik dhe duhen forca e mendësi të reja politike?
– Fatkeqësisht shoqëria shqiptare është mësuar dhe duket sikur i adhuron liderët e përjetshëm. E për këtë arsye gjërat në Shqipëri lëvizin më ngadalë dhe me më shumë kosto në drejtimin e duhur. Shpesh situata duket pesimiste dhe pa zgjidhje, pasi dhe ata që ftohen në politikë pikërisht për mendësi të reja, e kanë më të lehtë të njësohen me mendësinë e kryetarit të vjetër, sesa të përpiqen të krijojnë një identitet të tyrin politik. Më shumë se mungesën e mendësisë, ne vuajmë për politikanë me karakter të fortë dhe të ndershëm. Dhe akoma më shumë ne vuajmë dakordësinë që pjesa më e madhe e shoqërisë ka me modelet e vjetra apo të korruptuara politike, pasi tek e fundit duhet ta pranojmë, janë votuesit ata që zgjedhin pasuesit e tyre dhe jo anasjelltas.

– A ka justifikim dhe moral politik qeveria të zbatojë politika që nuk janë në premtimet e programet e saj elektorale, sikurse bëri PS-ja me rritjen e çmimit të energjisë elektrike, me mos heqjen e koncesioneve, për të cilat u zotua etj., dhe sot zbaton pikërisht politika të kundërta?
– Nuk ka asnjë lloj justifikimi për asnjë forcë politike apo individ, i cili premton gjëra të tjera në fushatë dhe bën gjëra të tjera kur vjen në pushtet. Në Shqipëri kjo ndodh shpesh, pasi drejtuesit kryesor politik të këtyre 24 viteve tranzicion, kanë arritur të përçajnë shoqërinë shqiptare me parimin o me ne o me ata, dhe shoqëria jonë nuk reagon asnjëherë edhe kur premtimet nuk mbahen. Nga ana tjetër, drejtuesit politik kanë vënë pothuaj plotësisht në varësi ose ortakëri për interesa ekonomike pjesën më të madhe të mediave në vend, duke mundësuar nëpërmjet tyre deformimin e realitetit dhe orientimin e vëmendjes së opinionit publik aty ku i intereson politikës. Dhe akoma më keq, kur vjen dita e llogaridhënies, d.m.th dita e votimeve, qytetarët pëlqejnë më shumë të dëgjojnë premtime të reja akoma më të fryra, sesa të pyesin se çfarë u bë me premtimet e katër viteve më parë. E këtu përsëri media sipas pozicionit ekonomiko-politik, vjen në ndihmë duke fshirë dhe ajo nga memoria gjithçka, e duke zbukuruar premtimet e radhës.

– A mund të konkretizohen reformat, të cilat janë edhe prioritet që ka kushtëzuar BE për Shqipërinë, pa ndryshime kushtetuese?
– Nëse vërtet ekziston vullneti dhe dëshira për të realizuar reforma të suksesshme dhe afatgjata, atëherë mendoj se debati duhet të përqendrohet në domosdoshmërinë e një reforme kushtetuese. Pa ndërhyrje në Kushtetutë, asnjë reformë nuk do të jetë e suksesshme, të paktën jo për një kohë të gjatë. Pa një reformë kushtetuese konflikti Presidencë-Kryeministër do kthehet në një konflikt të vazhdueshëm në historinë e shtetit shqiptar, pa një reformë kushtetuese do të ndërrohen një apo dy emra në Këshillin e Lartë të Drejtësisë apo diku tjetër, por sistemi do vazhdojë të gjenerojë përherë konflikte të thella interesi e drejtësi të korruptuar, pa një reformë kushtetuese. Parlamenti do vazhdojë të keqpërdorë instrumentin e komisionit hetimor për qëllime të vogla politike, KQZ do të jetë në shërbim të partisë e cila ka shumicën e përfaqësimit në të, për shkak të një formule antikushtetuese, ligji zgjedhor do nxjerrë mijëra vota të pavlefshme, maxhorancat do ia faturojnë Prokurorisë dhe gjykatave mungesën e rezultateve të luftës kundër korrupsionit, pushtetet do jenë përherë në përpjekje për të ndërhyrë në kompetencat e njëri-tjetrit, ligjet do i shërbejnë qeverisë së radhës dhe të drejtat themelore të lirisë, jetës dhe pronës do të jenë të cenueshme. Për të mundësuar që kjo situatë të mos vazhdojë, gjykoj se ndryshimet kushtetuese janë të domosdoshme.

– Atëherë, sipas jush, përse maxhoranca deri tani nuk ka thënë asnjë fjalë për ndryshimet kushtetuese? 
– Maxhoranca me sa duket është mjaftuar me një ndjesë publike të kryeministrit Rama, por që nuk është pasuar me ndonjë veprim apo qoftë dhe diskutim për të korrigjuar kushtetutën. Kjo të bën të mendosh se ajo ndjesë nuk ka qenë asnjëherë e sinqertë. Ndoshta dhe z. Rama, ashtu si paraardhësit të tij, ka filluar t’i pëlqejë më shumë se ç’duhet republika kryeministrore.
– Faleminderit!

FRD-ja do të konfirmohet si një forcë politike e domosdoshme

 – FRD-ja në zgjedhjet lokale do të ketë kandidatët e saj, apo do të jetë në koalicion? Nëse po, cilat do të jenë kriteret për të bërë pjesë në koalicion?

– Më shumë se koalicioni apo jo i FRD, shqetësim, jo vetëm i FRD por i të gjithë opinionit publik, duhet të jetë fakti që akoma procesi zgjedhor do të administrohet nga forcat politike, duke e lënë Shqipërinë një nga të paktat vende me një administrim të tillë të zgjedhjeve. Shqetësim duhet të përbëjë fakti që nëse në vendet e tjera rezultati zgjedhor del për tre orë dhe pranohet nga të gjithë, tek ne duhen tre muaj dhe pothuaj askush nuk e beson dhe nuk e pranon. Megjithatë, një gjë është e padiskutueshme, FRD do të marrë pjesë në zgjedhjet e 21 qershorit 2015 dhe do të konfirmohet si një forcë politike e domosdoshme në spektrin politik shqiptar. Në koalicion apo jo, ky është një vendim politik i cili do të merret nga strukturat drejtuese të FRD, sigurisht duke marrë në konsideratë dhe vullnetin e anëtarësisë së FRD dhe do të jetë një vendim në funksion të maksimalizimit të rezultatit tonë në këto zgjedhje.

Jakup B. GJOCA