Gazeta Telegraf/Qeveria e BE, kundër Tiranës zyrtare për mbetjet

406
Sigal

 Paketa e propozuar nga Komisioni Evropian përfshin tre kërkesa

Ajo që mendon dhe, mbi të gjitha, standardet që ndjek Bashkimi Evropian në
lidhje me mbetjet, kanë qenë në qendër të të dy palëve këto ditë: kryeministrit
Edi Rama që mbron importin e mbetjeve dhe atyre që e kundërshtojnë atë.
“Historia Ime” ka mundur të lexojë transkriptet dhe rekomandimet e një
konference me temë “Seleksionimi i mbetjeve në kontekstin e një ekonomie
qarkulluese në Evropë” të mbajtur më 29 janar 2016 nga Komisioni Evropian
(Municipal Waste Evrope dhe EUROCITIES). Menjëherë të bie në sy një element i
rëndësishëm i kësaj pakete që është, nevoja që vetë Bashkimi Evropian ia njeh
vetes për rishikimin e ligjeve të BE-së për mbetjet, duke e vënë theksin tek
riciklimi dhe ripërdorimi i mbetjeve urbane. Për të arritur këtë, Komisioni
Evropian ka sugjeruar si domosdoshmëri ndryshimin e mënyrës së mbledhjes së
mbeturinave nga familjet në vendet e Bashkimit Evropian. Debati kryesor gjatë
Konferencës ishte si të lehtësohet zbatimi i praktikës së seleksionimit të
mbetjeve. Ndryshe nga si e ka paraqitur qeveria shqiptare, diferencimi i
mbetjeve nuk e bën riciklimin domosdoshmërish një proces më të kushtueshëm,
thuhet në paketën e sugjeruar nga Komisioni Evropian. Sipas BE, është më e
kushtueshme në rast se mbetjet nuk seleksionohen që në burim (madje që në kuzhinat
e familjeve), një fakt ky që rrëzon argumentin e qeverisë shqiptare sipas së
cilës “ky proces është i shtrenjtë”. KE ka shpjeguar gjithashtu se diferencimi
nuk është  as i papranueshëm nga publiku.
Nëse jepen stimujt e duhur financiar, ndërgjegjësues etj, shembujt pozitivë të
qyteteve kanë treguar se qytetarët e kanë pranuar sistemin dhe kanë
bashkëpunuar. Nuk është i vërtetë as fakti se kjo praktikë mund të funksionojë
vetëm në qytete të vogla apo të mesme. Praktika e kryeqyteteve evropiane ka
treguar të kundërtën, sipas dokumentit me rekomandime nga kjo konferencë që
Historia Ime e zbardhi të plotë nga faqja zyrtare e Bashkimit Evropian. Gjatë
konferencës, ekspertë të ndryshëm kanë theksuar se riciklimi duhet të jetë me
patjetër një proces ku qytetari të luajë rol kyç. Qytetet e vogla dhe të mesme
shpesh kanë rezultate më të mira se kryeqytetet për shkak të afërsisë dhe
impaktit që kanë tek qytetarët. Pra riciklimi dhe procesi i seleksionimit është
shumë më i suksesshëm në nivel lokal pasi ka përfshirje më të madhe. Ajo që
sugjeron Komisioni Evropian është në kundërshtim me atë që po propozon qeveria
shqiptare. Sugjerohet t’i jepet prioritet procesit të riciklimit në nivel lokal
dhe forcimit të marrëdhënies bashki – qytetar dhe jo ndërmarrja e politikave
për importimin e mbetjeve jashtë kufijve. KE-ja sugjeron që mbeturinat të mos
lëvizen, pra të mos eksportohen apo importohen, por të riciklohen aty ku janë,
mundësisht në qytetet apo qytezat ku prodhohen. Ndërsa ajo që na sugjeron
qeveria shqiptare është importi i plehrave të huaja, që sipas saj do t’i hapte
rrugë fuqizimit të industrisë ricikluese. Paketa e propozuar nga Komisioni
Evropian përfshin tre kërkesa të cilat vendi ynë i sheh ende nga larg (për të
mos thënë se po ecën në drejtim të kundërt):

         
Grumbullim
i diferencuar (seleksionim) i mbetjeve urbane.

         
Pakësim
sa më i madh i landfilleve deri në mbyllje të tyre për mbetjet e seleksionuara.

         
Kthimi
i kulturës së riciklimit dhe ripërdorimit në një objektiv kryesor.

Shteti me performancën më të lartë të riciklimit dhe ripërdorimit të
mbetjeve është Gjermania me 64% dhe me performancë më të ulët Rumania me vetëm
3% – ndërkohë që pjesa tjetër shkon nëpër landfille. Ndërkohë kryeqytetet me
performancë më të mirë janë cilësuar Ljubjana në Slloveni dhe Talin në Estoni.
Shembulli i këtyre dy qyteteve rrëzon edhe mitin paragjykues se Evropa e veriut
është e suksesshme në këtë proces në krahasim me jugun apo vendet që dikur i
përkisnin ish bllokut komunist. Në Shqipëri ende nuk kemi ndërgjegjësim për
praktikën e koshave të ndarë (plastikë, metal, letër, qelq), e aq më pak zbatim
të teknikave për shtimin e mbetjeve të ricikluara. Për letrën dhe metalin,
teknikat më frytdhënëse në Evropë janë ato të grumbullimit derë më derë e
ndërsa për produktet e qelqit mbledhja në pikat e grumbullimit. Gjithashtu
shumë qytete aplikojnë edhe formën “pay-as-you-throw”, (paguhesh sapo i hedh
mbeturinat) duke i shpërblyer financiarisht qytetarët që diferencojnë mbetjet e
tyre. Sipas propozimit të KE-së, komunikimi i mirë me qytetarët është gjithmonë
çelësi për një proces të suksesshëm. Vendet që duan të kontribuojnë në
zhvillimin e ekonomisë qarkulluese dhe riciklimit, duhet patjetër të adoptojnë
sistemin e diferencimit të mbetjeve.