Gazeta Telegraf/Petrit Vasili: Transparencë dhe kontroll i rreptë për importimin e plehrave

436
Sigal

Kontrolli i shoqërisë civile, përcaktues në eksportimin e plehrave me
vendin tonë

Mosbesimi për ligjin e importimit të plehrave, mund të kishte vetëm një
shërim apo vetëm një zgjidhje, që është transparenca e thellë dhe maksimale.
Përpara transparencës të gjitha fenomenet, të shtrembra qofshin ato apo okulte
që ndodhin në sytë tonë, edhe pa pasur një ligj të tillë, sigurisht do të
kishim prapë, shërim transparence, pasi në rast se një doganë apo një sistem
doganor kontrolli nuk funksionon apo lejon futje gjithfarësh në Shqipëri, në
mënyrë okulte këto mbeturina mund të futen dhe sot. Dhe vetëm transparenca,
kontrolli i rreptë, syri dhe vëzhgimi i gjerë publik, shtetëror dhe qytetar
mund t’i jenin një përgjigje të vetme dhe mund të bënin të ndalej e të dënohej
rëndë dhe publiku ta stigmatizonte e të mbante qëndrim shumë të rreptë ndaj
tij. Ndaj dhe thelbi i amendamentit që unë kam paraqitur në emër të grupit
parlamentar të LSI është një rol i ri i pavendosur kurrë më parë në legjislacionin
shqiptar, i cili i njeh shoqërisë civile në kuptimin më të mirë të saj si
përfaqësuese e vullnetit të gjerë qytetar, mundësinë që me ligj të jetë një sy
vëzhgues, i cili pa asnjë kufizim të kryejë atë që quhet monitorim i thellë dhe
qytetar. Unë nuk jam dakord me kolegë në sallë, të cilët e paraqitën shoqërinë
civile si të pamundur dhe të pazonjën që ajo të bëjë një monitorim profesional.
Besoj dhe kjo është e njohur botërisht dhe ndërkombëtarisht, shoqëria civile
përveç vlerave të jashtëzakonshme shoqërore që ajo i përfaqëson, ndofta si
askush tjetër, është e rëndësishme pikërisht për vlerat e saj intelektuale të
spikatura të cilat tejkalojnë shpeshherë edhe politikën dhe institucionet
qeveritare, dhe ku shpeshherë hyn në garë dhe me institucionet më të mira
shkencore, pasi mjaft vlera edhe të intelektualizmit por edhe të aspektit
shkencor, bëhen pjesë e natyrshme e shoqërisë civile për të kundërshtuar çdo
lloj nisme e cila krijon dyshime të forta të karakterit të fortë shoqëror. Edhe
shoqëria civile shqiptare i bart këto vlera edhe të karakterit intelektual por
edhe të sensibilitetit shoqëror. Ajo që na duhej dhe ne që gjykuam që ishte e
domosdoshme ishte që ajo të kishte instrumentin institucional, të kishte
instrumentin ligjor, të mos ishte një mundësi fakultative që mund të bëhet apo
mund të mos bëhet, të mos ishte një detyrim i kufizuar, të jepet apo të mos
jepet, por të ishte një mundësi dhe një pranim ligjor që syri i mijëra
qytetarëve me përfaqësues detyre më të kualifikuar dhe sigurisht më të
ndershëm, të bënte në çdo etapë të momentit të futjes dhe të zhdoganimit, por
edhe të analizimit të këtyre mbeturinave. Pra, të ishte një sy vëzhgues i
fortë. Është fare e qartë që një vëzhgim i tillë përveçse atij shtetëror,
mosbesimi për të cilin duket që është i gjerë, do të ishte besoj një instrument
i çmuar për të dalluar gjithçka që devijon nga ligji, gjithçka që ecën përtej
qëllimeve që ligji ka shkruar në letër duke i dhënë thelbin e gjësë që ligji të
zbatohet korrekt ashtu siç është shkruar, pasi historia e Shqipërisë njeh më së
miri mjaft ligje të tjera të shkruara mirë ku problemi më i madh i shqiptarëve
ka qenë zbatimi i ligjit. Dhe kjo është një sëmundje e rëndë që ka shoqëruar
sistemin pluralist shqiptar 25 vitet e fundit, ku kultura e zbatimit të ligjit,
thellësia dhe korrektesa e tij ka qenë ajo që ka rrënuar edhe iniciativa shumë
të dobishme dhe të cilat kanë qenë në shumë raste iniciativa qëllimmira. Në
rastin konkret kemi të bëjmë me një iniciativë e cila ka absolutisht një
sensibilitet maksimal shoqëror dhe besoj që në këtë rast, në rast se kjo sallë
e nderuar do ta miratonte një instrument të tillë, do të jepte një përgjigje të
drejtpërdrejtë, me një qëndrim ligjor të përcaktuar mirë, pra ku ligji flet
qartë dhe pa ekuivokë që kjo mundësi nuk është fakultative, por është një
detyrim dhe që qëndron pikërisht aty në ligj, do t’i jepte një përgjigje këtij
mosbesimi të thellë dhe sigurisht do t’i jepte përgjigje edhe pyetjeve të
lindura në 2011-n kur ligji është miratuar për herë të parë. Do t’i jepte
përgjigje edhe dyshimeve por edhe entuziazmit të anulimit të tij në 2013-n. Dhe
rimarrjes së tij në vitin 2016 përsëri të kësaj nisme, e cila sërish shoqërohet
me të njëjtin mosbesim. Besoj që ka ardhur momenti që përtej dyshimeve,
shoqëria shqiptare të vëzhgojë me sytë e saj në praktikë se si funksionon dhe
si do të funksionojë zbatimi i këtij ligji. Dhe besoj dhe këtu doja ta thosha
me besim të plotë, qoftë edhe një fakt i vetëm, qoftë edhe një devijim i vetëm,
qoftë edhe një analizë e vetme e manipuluar, qoftë edhe një kontenier i vetëm,
i cili do të përpiqej të fuste një mbeturinë tjetër për tjetër, apo një seri
dukurish të tjera që lidhen me zbatimin e ligjit, do të ishin një motiv i
mjaftë për ta anuluar njëherë e përgjithmonë këtë ligj e për të thënë që në
shtetin shqiptar është e pamundur që ky ligj apo edhe ligje të tjera të
zbatohen ashtu si shkruhen. Njëkohësisht, besoj që me këtë qëndrim ne krijojmë,
jo thjesht dhe vetëm një precedent, por edhe një standard të ri se si shoqëria
civile do të mund të përfaqësohet dhe si do mundte ajo që me fakte konkrete të
mbledhura drejtpërsëdrejti në territor, në rastin konkret ligji ka pasur besoj
një element të rëndësishëm që është kufizimi i vetëm në tre dogana të vendit,
pra është shumë e përqendruar edhe futja por edhe mundësia për të përqendruar
vëmendjen dhe monitorimin e fortë. Dhe në këtë rast asnjëra palë nuk zëvendëson
tjetrën. Shteti është i detyruar të bëjë detyrën, qytetarët janë të detyruar ta
monitorojnë atë nga afër dhe jo nga larg, ta monitorojnë atë pa kufizime dhe pa
ndalime njëkohësisht. Dhe në fund fare, për cilindo nga dukuritë që shikon,
edhe minimale qoftë ajo, të ketë të gjithë të drejtën publike, por edhe
mbështetjen tonë të plotë, e cila deklarohet këtu publikisht për t’i thënë ‘jo’
në rast se ky ligj prodhon që zbatimi i tij është i kundërt nga ajo që në të
cilin shkruhet.