Gazeta Telegraf/ Maksim Tufa: Banorët akuzojnë Ministrinë e Shëndetësisë,nuk ka gjinekolog, gratë lindin në Maqedoni dhe Greqi

507
Skandal, 1884 foshnje me shtetësi maqedonase dhe greke
Maksim TUFA
3 vitet e fundit, 1884 foshnje nga fshatrat e Librazhdit, Prrenjasit, Gramshit dhe zonave të tjera periferike, lindin në Strugë, Dibër të Madhe ose në qytetet kufitare greke. Sipas burimeve nga institucionet e shëndetësisë në Elbasan rezulton se, kjo situatë kaq skandaloze ka detyruar 1884 gra të lindin në maternitetet e vendeve fqinje 
Mungesa totale e vëmendjes nga Ministria e Shëndetësisë, mungesa për shumë vite e mjekëve pasi largohen drejt qyteteve të mëdha apo edhe jashtë shtetit, mungesa e investimeve dhe mashtrimi me premtimet elektorale, ka bërë që në 3 vitet e fundit, plot 1884 foshnje nga fshatrat e Librazhdit, Prrenjasit, Gramshit dhe zonave të tjera periferike, të lindin në Strugë, Dibër të Madhe, ose në qytetet kufitare greke. Sipas burimeve nga institucionet e shëndetësisë në Elbasan rezulton se “kjo situatë kaq skandaloze që ka detyruar 1884 gra të lindin në maternitetet e vendeve fqinje, ka ardhur si pasojë e mungesës totale të qendrave shëndetësore, mjekëve gjinekologë, mamive dhe stafeve mjekësore, kujdesit dhe gjithçka tjetër që lidhet me kujdesin ndaj nënës dhe fëmijës. Realisht 1884 foshnjat kanë shtetësi maqedonase apo greke, sepse certifikatën e lindjes ato e kanë marrë nga maternitetet e vendeve fqinje, kjo padyshim mbetet skandaloze, për faktin sepse në një ditë të bukur Maqedonia dhe Greqia mund të pretendojnë se ata foshnje i ka shtetasit e tyre, pavarësisht kombësisë”. Kjo padyshim mbetet një fushë e hapur për akuza të rënda ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, ndaj drejtuesve të saj dhe drejtuesve edhe në rrethe, që nuk kanë ngritur sa duhet zërin e tyre për situatën e rëndë, e cila nesër mund të ketë precedentë të rëndë ligjorë apo edhe midis shteteve tona fqinje. 
Banorët akuzojnë Ministrinë e Shëndetësisë
Burimet nga zonat e thella të tre rretheve të qarkut të Elbasanit i deklaruan “Telegraf” se “ka vite që jetojmë si në ferr, nuk kemi mjekun, maminë, infermierin, i merr frika gratë të lindin, sepse u duhet të shkojnë me taksi në Strugë, Ohër, Dibër të Madhe e Gostivar apo dikush që ka djalin në Greqi të shkojë dhe të kryejë lindjen atje, sepse këtu shteti na ka braktisur”. Banorët tregojnë se “pavarësisht se duam të lindim këtu në vendin tonë, rreziku ndaj ndonjë urgjence, e cila mund t’i marrë jetën grave dhe foshnjave, na ka detyruar të kapërcejmë kufirin dhe të pajisim foshnjat tona me certifikata lindje në maternitetet maqedonase ose greke, por duhet të themi edhe diçka, shërbimi dhe kujdesi atje na bëhet sikur të ishim shtetasit e tyre, ndërkohë që këtu trajtohemi sikur të ishim kafshë”. Lidhur me situatën kaq dramatike, edhe pse Ministria e Shëndetësisë ka dijeni, asnjëherë nuk ka marrë masa, asnjëherë nuk ka deklaruar publikisht se kur do të investohet atje , kur do t’i shkojë mjeku edhe atyre banorëve që janë harruar prej vitesh atje larg në male dhe mes pyjesh. Natyrisht ministri Ilir Beqja e njeh mirë situatën, i informuar edhe nga drejtuesit e spitaleve Librazhd, Gramsh dhe Prrenjas, të cilët prej 3 vitesh kanë dërguar drejt Ministrisë së Shëndetësisë mbi 261 shkresa dhe kërkesa zyrtare të protokolluara, për mjekun e familjes, mjekun gjinekolog, kërkesa për mami dhe infermierë, por nuk kanë asnjë përgjigje zyrtare, veç ndonjë sms-je, e cila edhe ajo e shkruar fare thatë “e vumë në dijeni ministrin”. Kjo situatë dhe kjo brejtje morale ka detyruar 4 drejtues të shëndetësisë në tre rrethet e qarkut Elbasan, të “dorëhiqen” në harkun kohor të 3 viteve, duke u hapur rrugën militantëve që, edhe pse me arsimim të gjymtuar (inxhinierë mekanikë), kanë patur kurajën të pranojnë postin e drejtuesit të shërbimeve mjekësore. Nga ana tjetër kjo situatë, ka favorizuar artificialisht një fenomen negativ që lidhet me rritjen fiktive të numrit të shtetasve (apo pakicave) maqedonas apo grekë në vendet kufitare, kur ata janë absolutisht 100 për qind shqiptarë. Pajisja me certifikatën e lindjes në gjuhën maqedonase apo greke, do t’u hapë probleme të mëdha pas pak vitesh 1884 nënave dhe foshnjave në rastin më të parë kur ata do të kryejnë regjistrimin në Gjendjen Civile, apo do t’u duhet të kërkojnë shërbime të tjera jetësore, shkollore apo diçka tjetër. Ato foshnje aktualisht dhe zyrtarisht kanë shtetësi maqedonase apo greke, kurse kombësinë e kanë shqiptare, ndaj ky do të mbetet problem i hapur, ‘ një faturë e rëndë morale dhe ligjore e atyre që po e qeverisin vendin me logjikën e parasë, dhe teorinë e mohimit të veprimit. 
 
Sigal