Gazeta Telegraf/ Gert Bogdani: Mos votoni kundër fëmijëve tuaj, për hir të shefit

175

Deputeti demokrat, Gert Bogdani i bëri thirrje deputetëve të mazhorancës që
të mos votojnë ligjin e importit të plehrave, pasi ky do të ishte një gabim i
rëndë për vendin dhe të ardhmen. Ndërsa shigjetoi kryeministrin Rama, duke i
kujtuar vendimin e parë për të anuluar ligjin e miratuar nga qeveria “Berisha”,
Bogdani shtoi se: “Por sot është detyra juaj, e të gjithëve ne, hiq deputetin
Shalsi, që ta bëjmë ta kujtojë! Dhe që t’ia kujtoni, ju sot nuk duhet të
mendoni dhe votoni si deputetë listash! Nuk duhet ta keni mendjen a do jeni apo
jo në listë vitin tjetër; e nëse po, i sati, i pari, i pesti, apo i pesëmbëdhjeti”.
Sipas Bogdanit socialistët dhe deputetët e mazhorancës “duhet të votoni ashtu
sikundër nuk keni votuar asnjëherë më parë; kundër vullnetit të shefit! Sot
duhet të votoni si kurrë më parë. Jo me moralin e kalbur dhe integritetin e
humbur të politikanit, por me vetëdijen e qytetarit dhe shtetarit të përgjegjshëm!
Me vetëdijen e të qenurit prind, gjysh apo gjyshe, vëlla apo motër, nip apo
mbesë, mik apo komshi; Me vetëdijen e familjarit që familjen e vet do që ta
rrisë në një vend të shëndetshëm. Me vetëdijen e prindit që fëmijën e vet do ta
rrisë në këtë vend. Sepse ndryshe nga shumë votime të tjera në këtë parlament,
kjo votë e juaja e sotmja, është e një rëndësie të veçantë, sepse është një
takim me të ardhmen e fëmijëve tuaj”. Në fund të fjalës së tij, Bogdani i
paralajmëroi deputetët e mazhorancës se “Nëse sot votoni, si deri më tani, me dritëshkurtësinë
e një deputeti që shpreson të jetë përsëri në listën e shefit, apo një
politikani që mendon thjesht të bëjë një dorë lekësh e të iki nga ky vend, atëherë
vërtetoni që nuk ka rëndësi importi apo jo i plehrave, por rëndësi më imediate
ka eksporti juaj”.