Gazeta Telegraf/Ekskavatorët e “Rilindjes”groposin 600 milonë lekë

406
Sigal

 “Moçali” i tenderit të ekskavatorëve
të bashkive, që groposi 600 milionë lekë më tepër në pazar të pisët me firmën e
lidhur me shtetarë

 

Përparim HALILI

 

Skandalet me tenderët e shërbimeve, blerjeve dhe investimeve publike, nuk
po ndalen, madje janë bërë moto pune dhe gare mes drejtuesve shtetërorë, jo
vetëm të atyre që organizojnë tenderët, por edhe ët atyre që i gjykojnë ato në
emër “të drejtësisë” së procedurave në APP. Një të tillë e ka futur në “CV” e
tij edhe Komisioni i Prokurimeve Publike (KPP), i cili nisur prej fakteve e
denoncimeve të shumta rezulton se është kthyer në “gogol” dhe përbindësh
zhvatës, bllokues e shkatërrues për aktivitetin e bizneseve shqiptare e sidomos
për bizneset e huaja, që guxojnë për të investuar e kryer shërbime publike.
Sipas ligjit, këto kalojnë nëpërmjet procedurave ligjore të prokurimeve
(tenderimeve), të cilat pas garës në shumë raste edhe apelohen për shkelje të
pretenduara nga palët humbëse në tender! nëse firmat ankohen se abuzohet prej
zyrtarëve që në tenderim, kohët e fundit po ndodh e kundërta. Mund të fitosh
një tender konformë procedurave ligjore të përcaktuara e të shpallura përpara
zhvillimit të garës, por pas fitores së rregullt ligjore e ofertuese më të ulët,
të shpall humbës një komision i tipit “Vetë Ali e vetë Kadi”, me emrin
institucional zyrtar “Komisioni i Prokurimeve Publike” (KPP).

 

Skandali me tenderin e blerjes së ekskavatorëve të bashkive

 

Sot po publikojmë një nga skandalet e shumtë, që kanë si tregues e
përmbajtje lojën dhe pazaret e pista të bëra prej Komisionit të Prokurimeve
Publike (KPP) në tenderin e blerjes së ekskavatorëve të bashkive, tender për të
cilin firma e shpallur fituese në garën e zhvilluar, “çuditërisht” u shpall
humbëse pas gjykimit në Komisionin e Prokurimeve Publike, nisur prej ankesës së
bërë nga firma humbëse. Këtë skandal të rëndë, që po tenton t’i vjedh shtetit
mbi 600 milionë lekë nëpërmjet vendimit (pazarit) të KKP, firma e huaj fituese
reale e me ofertë shumë më të ulët se firma humbëse e shpallur fituese e ka
marrë si ankim zyrtar edhe kryeministri Rama, të cilit firma e dëmtuar, e
spostuar dhe e shpërfillur prej KPP, i drejtohet për ndërhyrje urgjente, që të
vendos drejtësinë në vend, vendim që në fakt është cënim i imazhit të shtetit e
të qeverisë shqiptare në raport me bizneset e huaja që duan të investojnë në
Shqipëri. Çfarë ka ndodhur konkretisht. në vijim të politikave të
decentralizimit të punëve zhvilluese për sektorin e bujqësisë, konformë
rregullave të një praktike e procesi prokurimi me vlera të larta financiare,
Ministria e Bujqësisë zhvilloi tenderin për blerjen e ekskavatorëve të vegjël e
të mesëm për bashkitë, për t’i përdorur sipas nevojave të tyre territoriale, për
thellimin e lumenjve, kanaleve e baseneve, me qëllim për të disiplinuar dhe
evituar përmbytjet e mundshme në zonat e tyre! Tenderi u zhvillua në datën 24. 03.
2016. Në këtë tender, pjesëmarrëse në garë ishin 8 firma të ndryshme. Si në çdo
garë, do të dilte vetëm një firmë fituese, pikërisht ajo që plotësonte kushtet
teknike, me bazë ofertën më të ulët financiare, krahasuar me fondin limit të
paracaktuar nga autoriteti kontraktor! Pas garës së zhvilluar, fituese që
plotësoi të gjitha kriteret teknike, u shpall firma “Lager Basic”, koncesionare
e mirënjohur e prodhimit Japano-Kinez, me seli në Kroaci, që paraqiti ofertë
(çmim) më të ulët se firmat e tjera.

 

Humbja e firmës së kupolës shtetërore/ Ankim dhe anulim i tenderit për…
“pasaktësi dokumentesh të firmave humbëse”

 

Duke qenë se “ortakëve” në kupolën shtetërore, nuk iu zbatua urdhri dhe nuk
u dolën llogaritë e pazarit të bërë, për të shpallur fituese firmën e paracaktuar
prej tyre, humbësi i tyre u instruktua, u garantua për fitore në garën e përsëritur
dhe ankimoi me kërkesën për përsëritje tenderi! Pranimi dhe ankimimi për
anulimin e procedurës tenderuese, u bë me motivin “për pasaktësi në plotësimin
e dokumenteve nga të gjithë pjesëmarrësit”. Në fakt kishte një firmë që garoi
deh fitoi me dokumente të plota, të sakta, ligjore dhe me ofertë më të ulët,
por JO, duhej të ribëhej tenderi për të shpallur fitues firmën që kishte
piketuar një dorë e lartë shtetërore e lidhur në pazar me të! kështu ndodhi. Në
datën 27. 06. 2016, tenderi u përsërit. Të gjitha firmat i kishin riparuar
pasaktësitë në plotësimin e dokumentacionit. Dhe përsëri, fituese e tenderit u
shpall firma parë “Lager Basic” e shpallur fituese edhe në garën e
parë të datës 24. 03. 2016, madje duke paraqitur një ofertë me vlerë kontrate 60
milionë lekë të reja më pak se sa firma e klasifikuar e dyta në listë e garës!
Por përsëri, me fuqinë e pushtetit dhe me shqetësimin për humbjen e pazarit,
ndërhyri “dora” që inskenoi ankimin dhe anulimin e procedurës së parë të
tenderit, ku firma e paracaktuar prej tyre u shpall fituese si në garën e parë
të datës 24. 03. 2016, ashtu edhe në garën e dytë të datës 27. 06. 2016, lënë
prapa me ofertë më të ulët 600 milionë lekë, prej firmës “Lager
Basic”! Edhe në këtë rast, u përsërit loja, por me “aktorë” të tjerë
shtetërorë! Duke mos mundur dhe duke mos arritur ta bëjnë dot “palë” Ministrinë
e Bujqësisë në këtë “histori” e cila realisht nuk u përfshi dhe nuk është
përfshirë aspak në lojërat abuzive të këtij tenderi, por që me procedura,
dokumentacion e ofertë ligjore ka shpallur për të dytën herë fituese firmën “Lager
Basic”, shefat e shtetit që kanë interesa në këtë tender, iu drejtuan për
ndihmë “bunkerit” të tyre të mbushur me “ushtarë” të bindur të quajtur Komisioni
i Prokurimeve Publike (KPP)! Dihet që ky komision “gjykimi” i tenderëve i cili
paguhet nga taksat e shqiptarëve për të venë drejtësi, ka ndodhur shpesh dhe
vazhdon të shkel hapur dhe rëndë ligjin e prokurimeve, duke rrëzuar fitues
tenderësh e duke shpallur fitues humbës të tyre, paçka se kanë edhe oferta
miliarda lekë më të larta së fituesit real dhe mungesë garancie në kohë e
cilësi shërbimesh dhe investimesh! Një shembull i tillë padrejtësie i
manifestuar prej Komisionit të Prokurimeve Publike (KPP) është rasti i tenderit
të ekskavatorëve të bashkive.

 

Pazari u mbyll me shpalljen fitues të humbësit, që ka ofertën 600 milionë
lekë më të lartë

 

Kështu u urdhërua dhe kështu u bë. Pazari për të shpallur fituese firmën
humbëse, pra firmën që është kliente e një dore të fortë në zyrat e larta të
shtetit, u finalizua me sukses në zyrat e mbyllura të Komisionit të Prokurimeve
Publike (KPP), ku vendimet janë të formës së prerë! Sa për informacion, në
tenderin për ekskavatorët ku u shpall fituese firma “Lager Basic”,
ishte prezent edhe një përfaqësues i Ambasadës ë SHBA në Tiranë, kjo për shkak
sepse në tender ishte pjesëmarrëse garuese edhe një firmë amerikane dhe që pas
garës, vlerësoi shpalljen fituese ët firmës “Lager Basic” e cila
kishte parametrat teknikë më të plotë dhe ofertën financiare më të ulët se gjithë
firmat e tjera garuese, ndaj dhe firma amerikane nuk bëri as reklamim e as ankimin,
por iu bind vendimit të shpallur prej KVO të Ministrisë së Bujqësisë. Mirëpo,
APP që trajton garat e tenderimeve, përfshirë në lojën e diktuar nga “lartë”
(siç duket qartazi nga veprimet e pas procedurës së dytë të tenderit të përsëritur),
i dërgoi me urgjencë një shkresë Ministrisë së Bujqësisë, me të cilën e
urdhëronte prerazi, që të mos e shpallte në aftin ligjor fituesin “Lager
Basic” që kishte dhënë çmim më të ulët dhe që plotësonte gjithë kriteret
teknike, por ta shtynte shpalljen zyrtare të fituesit, mbasi sipas APP kishte
një reklamim dhe ankimim nga një firmë tjetër që ishte pikërisht firma
klienteliste e cila ishte shpallur humbëse me ofertë 600 milionë më shumë! Ky
urdhër, iu dërgua Ministrisë së Bujqësisë një ditë para shpalljes dhe njoftimit
të fituesit që ishte ditë e hënë! Nisur prej faktit që vendimi i KPP është
përfundimtar dhe pa asnjë të drejt tjetër ankimi, nisi “procedura” për të
shpallur fitues humbësin.

 

Shkaku i shpikur e antiligjor prej KPP, për të shpallur fitues… humbësin

 

Dhe kështu ndodhi. Firma humbëse “T&C shpk” & “Comar Commerciale
spa” me ofertë financiare 600 milionë lekë më të lartë u shpall fituese, ndërsa
firma fituese u shpall humbëse me Vendimin 643/2016, datë 25. 08. 2016 të
Komisionit të Prokurimeve Publike! Po cili ishte motivi? Sipas shpikjes së bërë
prej KPP dhe të paraqitur në arsyetimin e anulimit të fituesit “Lager
Basic”, thuhet se fituesi nuk e ka bërë sigurimin e ofertës në një bankë
private, por në një shoqëri sigurimi. nëse do të ishte detyrimi ligjor të bëhej
sigurimi në shtet, në rregull, por gjersa edhe banka është subjekt privat si
shoqëria e sigurimeve, nuk ka pse bëhen dallime e bllokazhe të kota. për më
tepër, që ligji për prokurimet dhe vetë dokumentet e tenderit që ka publikuar
APP dhe zhvilluesi i tenderit e ligjërojnë të drejtën, që sigurimi i ofertës
mund të bëhet në një bankë, ose në një shoqëri sigurimi të licencuar nga
shtetit. në rastin konkret firma fituese “Lager Basic” e ka bërë
sigurimin e ofertës në shoqëri sigurimi e nëse sipas arsyetimit të KPP kjo
duhej bërë në bankë, APP dhe proceduesit e garës e kanë detyrimin për të
njoftuar paraprakisht e jo për të bërë tenderin, pasta+j njoftimin e
procedurave. tashmë, Komisioni i Prokurimeve Publike (KPP) ka shpallur fitues firmën
humbëse “T&C shpk” & “Comar Commerciale spa”, duke qenë në shkelje të
plotë të ligjit, vendim që përbën një krim të plotë e të hapur ekonomik, financiar
dhe administrativ, duke vepruar me vendimet e veta arbitrare e klienteliste, si
një shtet privat e banditesk brenda shtetit kushtetues!

 

Po çfarë përcaktojnë dokumentet standarde ligjore, të procedurave të
tenderimit

 

Ligji/ Përllogaritja e
ofertës ekonomike

 

2.4. Në rastin e një marrëveshje kuadër ku të gjitha kushtet NUK janë
përcaktuar, çmimet për kontratat e bazuara në marrëveshjen kuadër nuk janë të
fiksuara; ato janë objekt i ndryshimit pas një mini-konkursi midis operatorëve
ekonomikë, palë në marrëveshjen kuadër.

2.5 Sigurimi i Ofertës, kur kërkohet, duhet të dorëzohet bashkë me ofertën
para skadimit të afatit kohor për dorëzimin e ofertave. Mospajtimi me kërkesat
për sigurimin e ofertës do të ketë si pasojë refuzimin e ofertës.

2.6 Sigurimi i Ofertës mund të dorëzohet në një nga format e mëposhtme: a)
garanci bankare b) garanci sigurimi Formulari i sigurimit të ofertës duhet të
nënshkruhet nga lëshuesi (Banka, kompania e sigurimit, etj) dhe duhet të
dorëzohet së bashku me ofertën para hapjes së ofertave, përndryshe oferta do të
refuzohet. Dokumentet si më sipër duhet të jenë të vlefshëm përgjatë gjithë
periudhës së vlefshmërisë së ofertës. Në rastin kur sigurimi i ofertës ka formën
e një garancie bankare, Autoriteti Kontraktor ia rikthen ofertuesve sigurimin
përkatës brenda 15 ditëve nga nënshkrimi i kontratës.

2.7 Periudha e Vlefshmërisë së Ofertës Periudha e vlefshmërisë së ofertës
fillon që nga momenti i hapjes së ofertave. Për sa kohë nuk ka skaduar afati
kohor për vlefshmërinë e ofertave, Autoriteti Kontraktor mund t’i kërkojë
Ofertuesit me shkrim të zgjasë periudhën e vlefshmërisë, deri në një datë të
caktuar. Ofertuesi mund ta refuzojë këtë kërkesë me shkrim pa humbur të drejtën
për rimbursim të sigurimit të ofertës, kur ka një tillë. Ofertuesi që bie
dakord të zgjasë periudhën e vlefshmërisë së ofertës njofton Autoritetin
Kontraktor me shkrim, dhe paraqet një sigurim oferte të zgjatur, nëse ka pasur
një të tillë. Oferta nuk mund të modifikohet. Nëse Ofertuesi nuk i përgjigjet
kërkesës së bërë nga Autoriteti Kontraktor lidhur me zgjatjen e periudhës së
vlefshmërisë së ofertës, ose nuk e pranon kërkesën në fjalë, ose nuk paraqet
një sigurim të zgjatur të ofertës, kur kërkohet, atëherë Autoriteti Kontraktor
do të refuzojë ofertën.

2.8 Veprimet e jashtëligjshme sipas Nenit 26 të LPP-së

Seksioni 3. Vlerësimi i Ofertave

3.1 Kriteret e përzgjedhjes

(Opsioni 1) Çmimi më i ulët i ofertës së kualifikuar.

Kontrata do t’i akordohet atij Ofertuesi që ka ofruar çmimin më ulët të
ofertës.

———————————-

 

Pjesë nga letra e firmës “Lager Basic”, dërguar kryeministrit Edi
Rama

 

Të indinjuar, por dhe të pa sigurtë, për atë çfarë mund të ndodh në ditët në
vazhdim, po ju shprehim shqetësimin tonë, sa vijon:

Të informuar për zhvillimin e një tenderi nga Ministria e Bujqësisë, me
objekt blerje mjete tip ekskavatorë për bashkitë, ne u bëmë pjesëmarrës në këtë
tender dhe në datën 24. 03. 2016 paraqitëm ofertën tonë, duke plotësuar të
gjithë kriteret teknike-ekonomike. Ne ishim të bindur për një rezultat pozitiv,
pasi duke njohur tregun, prodhimet tona Japano-Kineze, janë konkurrues në cilësi,
funksionalitet dhe çmime. Me çmimin që ne afruam në konkurrim, u renditëm të
parët dhe me një diferencë prej 60.000.000 lekësh të reja, krahasuar me çmimin
e ofruar prej firmës që u rendit në vend të dytë. Për çudi, tenderi u anulua,
sepse sipas komisionit kishte reklamim dhe u zhvillua përsëri në datën 27. 06. 2016.
Edhe në pjesëmarrjen e dytë, ne përsëri u klasifikuam në vend të parë në
renditje, me të njëjtën diferencë në vlerë lekësh, nga vendi i dytë. Në datën 08.
08. 2016, që ishte dhe dita e fundit për shpalljen e fituesit, mësojmë se nga
APP, i ka shkuar një shkresë Ministrisë së Bujqësisë, që e ndalonte të bënte
shpalljen e fituesit sipas ligjit, pasi “…. në vazhdim do ta shpallnin ata fituesin”.
Pse? Sepse po sipas APP, “… ka pasur përsëri kundërshtim të rezultatit dhe do
trajtohet nga KPP”. Pavarësisht, se praktika është normale në dukje, dyshojmë
se persona të caktuar në strukturat e lartë të shtetit, kanë ndërhyrë për të
ndryshuar fituesin e tenderit. Po ju drejtohemi juve, të bindur se do të
ndërhyni për të vendosur drejtësinë e për të bllokuar këto veprime korruptive që
po largojnë bizneset e huaja nga Shqipëria, të detyruara prej veprimeve
arbitrare të KPP, APP dhe segmenteve ët caktuara që përfshihen në këto interesa
të pista!

 

Me urdhër të dhënë prej kreut të KPP, Gentian Keri

 

Ja faqja zyrtare e Komisionit të Prokurimeve Publike dje në orën 24.00, në
të cilën rezultojnë të bllokuar vetëm 2 vendimet e tenderit të ekskavatorëve

 

Vendimi me Nr. 1783 Prot. datë 1 gusht 2016

Vendimi me Nr. 1784 Prot. datë 1 gusht 2016