Gazeta Telegraf/ Dosja “Omnix”, Ministria e Drejtësisë heton një vendim të Gjykatës së Durrësit

509
Sigal

Gazeta Telegraf/


Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka urdhëruar hapjen e një hetimi
administrativ për vendimin e Gjykatës së Durrësit, që i njohu pronën ku do të
ndërtohej resorti turistik i Lalzit një familjeje nga Durrësi. Bëhet fjalë për
vendin ku kompania “Omnix Albania” do të ndërtonte një kompleks gjigand
turistik më vlerë 450 milionë dollarë. Deri para 6 muajsh, e gjithë sipërfaqja
rezultonte pasuri e paluajtshme publike në regjistrat e shtetit. Por më datë 25
mars të këtij viti, Gjykata e Durrësit, përkatësisht gjykatësja Johana Qeleshi
ka dhënë vendim që 45 dynymë nga kjo sipërfaqe t’i njihet si pronë familjes
Seçuni nga Durrësi. Ky vendim duket se përbën një pikë të fortë kthese për
rrjedhën e ngjarjeve dhe fatin e projektit më të madh turistik të parashikuar ndonjëherë
në Shqipëri, pasi një ditë më parë “Omnix” deklaroi largimin nga vendi ynë.
Drejtoria e Inspektimit Gjyqësor do të hetojë të gjitha procedurat ligjore të
ndjekura nga gjykatësja Qeleshi, për të parë, nëse ky vendim është marrë
konform ligjit apo jo.  Po kështu,
inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë do të kërkojnë zyrtarisht informacion
nga zyrat e Regjistrimit të Pasurive dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për të
parë historikun e kësaj prone.