Gazeta Telegraf/ Bujar Nishani: Porta e Labërisë meriton “Nderin e Kombit”

415
Sigal

Presidenti i Republikës
vlerëson Drashovicën dhe atdhetarin Mulla Xhafer Drashovica

Presidenti i Republikës
vlerësoi fshatin Drashovicë me Dekoratën “Nderi i Kombit”, “Për kontributin e
shquar në luftërat për çlirim kombëtar, që kulmojnë me Shpalljen e Pavarësisë,
në Luftën e Vlorës (1920), si dhe betejën heroike të vitit 1943 kundër
pushtuesve nazifashistë”.

Presidenti i
Republikës, Bujar Nishani, vizitoi dje fshatin Drashovicë në Vlorë, ku mori
pjesë në veprimtarinë përkujtimore kushtuar epopesë së luftërave të Drashovicës
për liri e pavarësi si dhe vendosi një kurorë me lule në Monumentin kushtuar
epokave historike që i dhanë lavdi kësaj krahine. Presidenti i Republikës vlerësoi
fshatin Drashovicë me Dekoratën “Nderi i Kombit”, “Për kontributin e shquar në
luftërat për çlirim kombëtar, që kulmojnë me Shpalljen e Pavarësisë, në Luftën
e Vlorës (1920), si dhe betejën heroike të vitit 1943 kundër pushtuesve
nazifashistë”. “Në këtë histori të lavdishme, Drashovica, si portë e Labërisë,
ia ka dalë të mbledhë rreth flamurit kombëtar të gjithë bijtë e saj pa dallim
bindjesh e idesh, duke u bërë kështu simbol i unitetit e atdhetarisë për Vlorën
dhe krejt vendin”. Ai vlerësoi Mulla Xhafer Drashovicës (pas vdekjes) me
Dekoratën “Nderi i Kombit“ me motivacionin “Si atdhetar i shquar dhe një nga
figurat emblematike të Pavarësisë së Shqipërisë dhe arsimit tonë kombëtar”. Në
fjalën e mbajtur me këtë rast, kreu i shtetit u shpreh i emocionuar dhe i
privilegjuar që nga Drashovica me emër dhe histori të lavdishme të përshëndes
dhe përcjell urimet më të përzemërta për “73-vjetorin e Luftës së Shtatorit
1943”. “Të bashkuar për çështjet kombëtare dhe të mos harrojmë”, ky ka qenë dhe
do të mbetet deri në ditën time të fundit në zyrë si President i Republikës si
motoja e qëndrimeve të mija. Të bashkuar, sepse kështu kemi fituar gjithmonë.
Të mos harrojmë, sepse vetëm përmes kësaj kemi qenë të motivuar dhe
shpresëplotë për të shkuar përpara. Por, dëshiroj ta përsëris edhe sot këtu nga
Drashovica heroike dhe midis këtyre njerëzve të mençur e të urtë e të nderuar,
se e kemi detyrim që të mos i harrojmë, por të përulemi me mirënjohje emër për
emër ndaj atyre që kanë bërë sakrifica sublime”, tha në përfundim të fjalës
Presidenti Nishani.