Gazeta Telegraf/ Agallarët e sindikatave përlajnë 360 milionë nga mësuesit

648
Sigal

Edhe ky vit mësimor nis me vjedhjen e 30 mijë mësuesve, nën
maskën e kuotës sindikale 

 

Përparim HALILI

Skandal-krimi i zhvatjes së mësuesve me 100 lekë në çdo muaj, vlerë kjo e diktuar
arbitrarisht si gjoja “kuotë sindikale mujore”, paracaktuar prej dy individëve që
tundin vula si kryesindikalist në sektorin e arsimit parauniversitar shqiptar të
quajtur Xhaferr Dobrusha e Novruz Kaptelli, duket se do të vazhdojë edhe këtë
vit mësimor. Është një abuzim i rëndë fakti, që mësuesve vazhdon t’u ndalet me
dhunë Ministria e Arsimit, kjo vlerë lekësh nga paga e tyre mujore dhe po me
urdhër nga ministria, por pa asnjë ligj, milionat e mbledhura si “kuota
sindikale”, u arkëtohen të racionuara në dy pjesë të barabarta, dy “kaçakëve” që
bredhin nëpër shkolla me “çallmë” kryesindikalisti, kur në fakt nuk i përfill
asnjë mësues në Shqipëri, jo për shkakun se janë njeri stërgjysh 85 vjeçar dhe
tjetri analfabet nga problemet e arsimit dhe çështjet sociale, por së pari, për
shkak se fantazmave të tyre që ata i quajnë sindikata arsimi, “u ka dalë boja”
prej vitesh prej zullumeve që kanë bërë drejtuesit e saj në këto 25 vite, një
prej të cilave është tradhtia e plotë që këta “agallarë” u kanë bërë interesave
sociale të mësuesve, duke u futur për interesa personale në “çitjanet” e
pushteteve politike, nën kolltukun e ministrave të arsimit dhe të drejtorëve të
arsimit në qarqe e rrethe të çdo kohe! Çfarë po ndodh edhe këtë vit? Denoncime
të shumta të ardhura në “Telegraf” nga mësues të disa zonave të vendit, na
kujtojnë se edhe këtë vit pritet të zbatohet skenari i vjedhjes së tyre me dhunë
në emër të “kuotizacionit sindikal”. Me urdhër të ministrisë, dhënë drejtorëve
të arsimit në qarqe e rrethe, të cilët e kanë përcjell urdhrin verbal në bankat
ku mësuesit tërheqin pagat mujore, 30 mijë mësuesve shqiptarë do t’u ndalet
edhe këtë vit shkollor vlera 100 lekë në muaj, në kolonën e quajtur “Kuotë
sindikale”, siç ka ndodhur prej vitesh. Burime nga drejtoria e financës  në Ministrinë e Arsimit, na bëri konfidencialisht
me dije, se kjo do të ndodh përsëri jo se e detyron ligji, por sepse ministria
do që edhe këtë vit “ta ketë mirë” me sindikatat vegla të saj, për të mbajtur
nën “kapistër” mësuesit rebelë në rastet kur u cënohen të drejtat
sociale-ekonomike, që ata të mos protestojnë, ose në rast protestash të tyre,
t’u bllokohet protesta, me marifetet që batakçinjtë e blerë dhe të shitur të
këtyre dy sindikatave hije i përdorin me sukses, siç kanë vepruar deri tani.
Burime të tjera nga drejtoritë arsimore në Korçë, Elbasan, Dibër, Gjirokastër,
Vlorë, Lezhë e Shkodër, na konfirmuan se këtë vit, po qarkullon një propozim,
që kuotat sindikale të mos ndalen me dhunë në pagën mujore të mësuesve, por sipas
ligjit për organizimin dhe funksionimin sindikal, vetë sindikatat referuar përfaqësimit
të tyre sindikal tek mësuesit dhe referuar statutit të tyre, të mbledhin këto
kuota mujore direkt e me vullnet të lirë nga mësuesit që kanë anëtar sindikate.
Sipas bisedave me mësues të disa shkollave në Tiranë, mësuam se dy “agallarët”
e dy sindikatave hije të arsimit shqiptar, konkretisht “Mere” Xhaferr Dobrusha
dhe “profesor” Novruz Kaptelli kanë nisur ofensivën për të “korrur” edhe këtë vit
milionat e përvitshme nga pagat e mësuesve, nën termin “kuota sindikale”. Për
të garantuar këtë synim, ata kanë menduar të ndjekin të dy rrugët, pra edhe
pazarin me kupolën e Ministrisë së Arsimit për të vazhduar zhvatjen nëpërmjet
pagës në bankë, por edhe variantin e lypjes së kuotës sindikale, direkt nga
mësuesit. Për variantin e zhvatjes së dhunshme e antiligjore (krim ekonomik) të
kuotës sindikale mujore nëpërmjet bankës, ata po bëjnë marrëveshje me Ministrinë
e Arsimit, duke i premtuar “qetësi sindikale edhe këtë vit mësimor ”. Ndërsa
për variantin e dytë, pra, të mbledhjes së kuotës direkt nga mësuesit, ata
fillimisht ndoqën rrugën e “bindjes” së mësuesve për ta paguar, por pas shpërfilljes
së bërë prej mësuesve ndaj tyre, ata kanë nisur tratativat me drejtorët e arsimit
dhe me drejtorët e shkollave, për t’u bërë presione mësuesve! Rruga ligjore e
pagesës së kuotës financiare mujore si “anëtar sindikate” është rruga që
përcakton statuti: Anëtarësim me vullneti të lirë i çdo mësuesi në sindikatë
dhe pagesë të kuotës po me vullnet të lirë në zbatim të statutit”. Por jo sekuestro në bankë, jo detyrim për të paguar me urdhër të
drejtuesve shtetërorë! Mirëpo dy agallarët e 
dy sindikatave hije të arsimit, të mësuar me miliona që u çoheshin në
llogari me “çeqe zhvatës”, po “lëpihen” rrotull kolltukut të Ministres së
Arsimit që të vazhdojë avazi i deri tanishëm i zhvatjes së lekëve, duke u
mbajtur nga paga e mësuesit prej bankës. Se po të jetë për vullnetin dhe dëshirën
e mësuesve, kjo vlerë nuk u jepet kurrë këtyre fantazmave sindikale, drejtuesve
pazarxhinj të cilëve, mësuesit nuk duan t’ua shohin fytyrën as në… ëndërr!


Skandali bankar me ndaljen e dhunshme të kuotave
sindikale, ndodh në 67 institucione e shërbime publike

 

Skandali me kuotat e punonjësve nuk është vetëm në sektorin e arsimit. Por
janë shumë sindikata “kukulla” në shumë sektorë publikë e institucione
shtetërore që, edhe pse kanë vetëm logon, vula, zyra garsoniere, sekretare e
makina të shtrenjta dhe kryetarë që nuk i njohin punonjësit, ata zhvatin çdo
muaj miliona lekë si kuota sindikale, duke ua ndalur në bordero e banka me urdhër
të drejtuesve shtetërorë. Ky skandal ndodh edhe në shumë kompani private,
pronarët e të cilave i ndalin punonjësve një vlerë të caktuar financiare nga
paga mujore dhe ua japin krerëve të sindikatave si “kuotë sindikale”. Ky krim
financiar me emrin, kuotë sindikale vazhdon të bëhet në ushtri, arsim, shëndetësi,
ujësjellës, KESH, OSHEE, rrugë, ushqim, porte, aeroport, inspektorate e kudo ku
ka institucione dhe ndërmarrje publike, por edhe kompani private që nuk duan
“telashe” nga sindikatat! Punonjësve u ndalen lekët me dhunë, duke shpërfillur
ankesat e tyre. Dhe jo vetëm kaq, por kush kundërshton hiqet edhe nga puna,
mbasi kështu është pazari me sindikatat dhe drejtuesit shtetërorë e ata privatë,
siç ndodh prej vitesh në arsim. Sipas informacioneve që disponon “Telegraf”,
rezulton se skandali bankar me ndaljen e dhunshme të kuotave sindikale, ndodh në
67 institucione e shërbime publike

 

 

Drejtësa të hetojë, zbardhë dhe çojë përpara ligjit,
krimin e bërë me kuotat e sindikatave

 

Prej afro 20 vitesh, dy “banda” individësh të paraqitur si drejtues
sindikatash në arsim, paçka se bëjnë lojën aktoriale të gjoja kundërshtarit
politik e programor sindikal, në pazar me Mistrinë e Arsimit dhe në mirëkuptim
me njëri-tjetrin, kanë zhvatur çdo vit miliona lekë nga pagat e mësuesve, duke
i maskuar si “kuota sindikale”. Ua kanë vjedhur lekët, me dhunë në borderonë e
pagës mujore nëpërmjet bankës, duke përdorur listë pagesash të firmosur e
vulosura nga drejtuesit arsimit po në mënyrë antiligjore. Këtë krim financiar e
institucional e ka ndalur 5 muaj më parë Gjykata Administrative e Tiranës, me
vendimin e saj, duke bllokuar disa kontrata e urdhra drejtuesish të Ministrisë
së Arsimit dhe të Ministrisë së Punës, të cilët kanë nënshkruar “Kontrata Pune
të Nivelit të Parë” antiligjore me dy sindikata të sektorit të arsimit shqiptar.
me këto dy kontrata antiligjore, dy sindikatat “Dobrusha” e “Kaptelli”, të lidhura
klientelisht me Ministrinë e Arsimit dhe me Ministrinë e Punës, dhe kanë ndarë
mes tyre në mënyrë të barabartë monopolin financiar të kuotave sindikale të mësuesve,
të cilat ua kanë zhvatur nëpërmjet bankës  dhe kjo është shkelje ligjore!