Gazeta më e madhe në Holandë “De Telegraaf”: Jemi të shqetësuar për Xhafën e Tahirin, jo për këngët e futbollin

555
Gazeta më e madhe në Holandë “De Telegraaf” i ka kushtuar vëmendje deklaratave ironizuese të Kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe kryetarit të Parlamentit Ruçi, të cilët atakuan deputetët holandez që vizituan javën e shkuar Shqipërinë. Dje “De Telegraaf” shkruan se shqetësimi i deputetëve tanë është keqinterpretuar nga liderët shqiptarë. “Ata kishin shkuar për të mbledhur fakte dhe opinione përpara vendimit që do të marrë Holanda për hapjen e negociatave me Shqipërinë”. Po kështu, “De Telegraaf” shkruan se shqetësimi i deputetëve holandezë ka të bëjë me lëvizjet në Prokurori që lidhen me çështjen “Tahiri” dhe mosekstradimin e vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. “De Telegraaf” i ka marrë edhe një reagim Kryetarit të delegacionit holandez në Shqipëri, deputetit Malik Azmani, i cili ka deklaruar: “Siç duket kemi shkelur tek diçka e ndjeshme në Shqipëri me pyetjet tona, gjithsesi i kemi mbajtur të gjitha shënim”. Kujtojmë se Holanda është ndër vendet skeptike që është shprehur kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë këtë qershor. Edhe deputetët holandezë që erdhën në Shqipëri vendosën në dukje problemet me drogën, korrupsionin e zyrtarëve etj. Mirëpo këto deklarata nuk i përtypën dot kryeministri Edi Rama dhe kryetari i parlamentit Gramoz Ruçi. Dy ditë më parë, Gramoz Ruçi në një konferencë për mediat sulmoi deputetët holandezë për qëndrimet e mbajtura. “Në atë sistem nuk kishte as drogë, as prostitucion dhe as kriminalitet. Të gjitha këto fenomene nuk i çuan shqiptarët në Evropë, por i gjetën. Se do i thosha kolegut holandez, nëse është njollë e zezë hashashi në Shqipëri, teknologjia dhe tregu vjen nga Holanda. Unë nuk e akuzoj Holandën, por kam të drejtën të mos më identifikojë me këto, por të na identifikojë përpjekjet e arritura”, u shpreh Ruçi. Ndërsa, Rama u tregua ironik me deputetët holandezë, duke thënë: “Më vjen për të qeshur kur vijnë delegacione për të mbledhur fakte, më takojnë mua dhe ca deputetë dhe mikun tim të shtrenjtë me të cilin na bashkon në rrugë e ndryshme; dashuria për Holandën, Lulzim Bashën dhe mbledhin fakte. Çfarë lloj faktesh mund të mblidhen në një gjysmë dite, ndërkohë që Komisioni Evropian ka një ushtri ekspertësh që hanë fakte, pinë fakte dhe dëgjojnë vetëm fakte?!”.


Sigal