Gazeta maqedonase: Aleanca Kuq e Zi, në 28 Nëntor do të festojë në Manastir

505
Sigal

Pas gazetave greke tashmë një gazetë tjetër e një vendi fqinjë ka shkruar për aktivitetin e Aleancës Kuq e Zi për vajtjen e saj në 28 Nëntor në Morinë me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë. Në gazetën maqedonase shkruhet se “Agimi kuq e zi do të ndriçojë (shndrisë) në Manastir”. Më tej ato kanë shkruar se me 28 nëntor të këtij viti, partia nacionaliste ekstremiste Aleanca Kuq e Zi nga Shqipëria, do të festojë në Manastir ditën e flamurit shqiptar dhe njëqindvjetorin e pavarësisë, për të theksuar rëndësinë e këtij qyteti për shqiptarizmën e ndërlidhur me krijimin e alfabetit. Sipas burimeve të “Dnevnik”. Aleanca për një periudhë më të gjatë kohore e ka matur Manastirin për të promovuar vetën, dhe madje ka propozuar që Shqipëria të hapë aty konsullatë. Po ashtu në gazetën maqedonase thuhet se këtë propozim nuk e ka realizuar asnjëherë ish presidenti Bamir Topi dhe për shkak të këtij konflikti ka refuzuar të jetë në krye të Aleancës. Në artikull theksohet se: “Shumë analistë me të cilët biseduam mendojnë se, nuk duhet përjashtuar mundësia që Aleanca Kuq e Zi lehtësisht mund të bëhet kopje e Agimit të artë grek, pasi kanë shumë ngjashmëri në programe dhe një diçka që është e pamohueshme – ata përpiqen për shtete të pastra etnike”. Theksohet në artikull se edhe pse vlerësohej se do të ishin një meteor që do zhdukej shumë shpejt, duket se analizat fillestare për kuq e zinjtë e Kreshnik Spahiut ranë në ujë. “Aleanca për momentin u përfshi shumë mirë në hapësirën që e krijuan demokratët dhe socialistët (Berisha dhe Rama) dhe solli diçka të re në sferën politike në Shqipëri – nacionalizmin ekstrem. Forca e tyre do të shihet në zgjedhjet pranverën e ardhshme. Si edhe djathtistët e tjerë radikalë të Ballkanit, edhe Aleanca e ka folklorin e vet të njohur me anë të grupeve të tifozëve, por kanë edhe zyra në gati çdo qytet më të madh ku jeton diaspora shqiptare. Sa i takon Kosovës, është e qartë se, lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca janë e njëjta gjë”thuhet në një pjesë të shkrimit. Së paku deri më tani ata nuk kanë për qëllim të formojnë parinë e tyre politike në Maqedoni, por bëjnë përpjekje që sa më shumë parti të futen në platformën e tyre shqiptaro-madhe, theksohet në artikullin e gazetës maqedonase.