Gavrosh Levonja: Ju tregoj ndeshjen me kombëtaren kineze, sherrin e Agim Fagut dhe qethjen zero në aeroport

774
Sigal

Rrëfim ekskluziv i ish-sportistit dhe gazetarit Levonja: Ju tregoj ndeshjen që dëmtoi marrëdhëniet Shqipëri-Kinë dhe spiunët e Ansamblit Shtetëror të Këngëve e Valleve

(Vijon nga numri i kaluar)

Në pjesën e dytë të intervistës së tij, ish-basketbollisti i njohur e gazetari Gavrosh Levonja, pasi tregon njohjet e kontaktet me Fatos Nanon, Sali Berishën, qeverisjen e  Edi Ramës dhe opozitën e Lulzim Bashës, rrëfen një nga ndeshjet ndërkombëtare të zhvilluar në Pekin, incidentin e Agim Fagut me një sportist vendas, ndërhyrjen e ambasadorit shqiptar, akuzat për ‘dëmtim të miqësisë shqiptaro-kineze’ dhe ndëshkimet pasi erdhën në Tiranë….

Si kanë qenë marrëdhëniet me liderët politik, nga Ramiz Alia tek Sali Berisha e Fatos Nano?

– Ramiz Alinë në cilësinë e politikanit nuk kam pasur rastin ta takoj asnjëherë, por gjatë viteve 70-të deri në vitin 1982 e takoja pothuajse çdo fundjavë në bulevardin e madh, ku ai me të shoqen shëtisnin si gjithë qytetarët e Tiranës së asaj kohe. Duke qenë se për një kohë të gjatë duke filluar pas mbarimit të luftës, ai mbulonte artin, kishte miqësi me prindërit e mi sidomos me tim atë, si pasojë e partizanllëkut. Kurse unë njihesha me bashkëshorten e tij në Fakultetin e Shkencave, ku ajo ishte profesoreshë, madje ishte ajo vetë që më thërriste sapo më shihte për t’i treguar ndonjë nga “qyfyret” e mia. Sa për ata që i hynë politikës pas dhjetorit të vitit 1990 mund të them se i njoh të gjithë. Këtu e kam fjalën për politikanë në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe jo për “ushtarë”, të cilët karrierën e tyre e kanë ndërtuar vetëm falë “isos” kryetarit në përplasjet me “armiqtë në gjirin e partisë, duke “ligjëruar” si papagaj vetëm ato që thotë lideri, shkurt individë që nuk kanë hyrë në politikë me aksionet a kreditet e tyre dhe, 90 për qind e politikanëve shqiptarë janë të kësaj kategorie. Me të gjithë politikanët me peshë, duke filluar nga Berisha e Nano, për të shkuar tek liderë të partive minore kam pasur marrëdhënie të mira edhe pse në jo pak raste kam qenë kritik ndaj qëndrimeve të tyre për çështje të ndryshme ashtu siç kam shkruar pozitivisht për lëvizje të tyre që më janë dukur të drejta. Gjatë vitit 1996 deri në verën e vitit 1997 më radhisnin ndër antiberishistët më të spikatur për shkak të shkrimeve kritike ndaj pushtetit të tij, por nga ai moment fillova të shkruaj shpesh kundër “mëkateve” të qeverisjes socialiste, aq sa një ditë Nano, me atë humorin e tij elegant më tha: “Gosh ke filluar të luash prapë mirë basketboll…”. Që Nano dhe Berisha ishin në krye të dy partive më të rëndësishme të vendit, për mua që i njihja të dy, nuk përbënte ndonjë habi pasi ishin njerëzit që e njihnin politikën, mënyrën si funksiononte shteti, partia shumë më mirë se politikanët e tjerë. Me Berishën p.sh. ishte kënaqësi të diskutoje për zhvillimet politike ndërkombëtare, madje dhe ato të shumë viteve më parë.

Jo rrallë ju keni shkruar me simpati edhe për Monarkinë! Keni ndonjë lidhje, apo preferencë?

– Keni të drejtë, janë të shumtë ata që e kanë konstatuar këtë. Por e vërteta është se, e vetmja gjë që më ka lidhur me Monarkinë dhe “Legalitetin” është figura e Ahmet Zogut, që duam s’duam është krijuesi i shtetit funksional shqiptar. Kur përmend Ahmet Zogun, nuk kam parasysh vetëm Mbretin Zog, Presidentin e Republikës Shqiptare, Kryeministrin apo ministrin e Brendshëm të qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës, por edhe atë djaloshin 16- vjeçar të angazhuar në aktivitetet kombëtare, kur Shqipëria po shpallej e pavarur. Ishte e paimagjinueshme që në një vend patriarkal si Shqipëria, ku para burrave të vjetër me mustaqe, duhej të rrije “sus”, para krerësh fisesh që në krahinat e tyre bënin ligjin, një djali të ri, pa i mbushur ende 20 vjeç, jo vetëm i “zinte fjala vend” por dhe i besohej drejtimi i aksioneve të rëndësishme me karakter kombëtar. Vetëm 25 vjeç ishte kur arriti të bëhej ministër i brendshëm për të përballuar sfidën e vendosjes së rendit në një vend me një shtet formal. Dhe vetëm brenda tetë viteve do të bëhej kryeministër, president e mbret, dukë i bërë të gjitha kalimet, siç shprehej Konica, në bazë të ligjit. Falë librave të vjetër që kisha në shtëpi, pata mundësi të krijoj një imazh krejt tjetër mbi figurën e tij, krejt në kundërshtim me atë ç’ka na mësonin në shkolla…

Si e vlerëson qeverisjen e Edi Ramës dhe si e përcakton të nesërmen e qeverisjes së tij? 

– Nuk e vë aspak në dyshim dëshirën e Edi Ramës për të lënë gjurmë duke bërë ndryshime pozitive me shkallmimin e kornizave të vjetra, brenda të cilave gjallojnë dukuritë negative të shoqërisë shqiptarë që njihen e kritikohen por nuk po çrrënjosen dot. E them këtë pasi e njoh karakterin e tij falë shoqërisë që nga “koha e kolerës”. Njëkohësisht, dua të them se i pëlqejnë dhe butaforitë, sfondet, sloganet dhe ka raste që “ndryshimi” mbetet deri këtu, pa shkuar në gjëra që ndikojnë në përmirësimin funksionimit të institucioneve dhe më së pari jetesës së njerëzve. Por ajo që nuk më bind dhe më bën të jem kritik, është aritmetika e tij. Po marr një aspekt;  ai ka premtuar hapjen e 300 mijë vendeve pune por ama rritja e taksave për bizneset pengon hapjen e vendeve të reja të punës për të mos thënë çon në shkurtimin e tyre. Nga ana tjetër edhe mënyrën e drejtimit të partisë prej tij e shikoj si një kthim prapa. Duke qenë gjithmonë një mbështetës i zjarrtë i një drejtimi liberal “alla Nano”, ku jo vetëm kritikohet kryetari lirisht, por mund edhe të konkurrohet në një garë të vërtetë, jo e tipit “Alia-Dokle”, “Berisha-Butka” apo “Rama-Lakrori”. Falë një drejtimi të tillë në PS u promovuan shumë politikanë të rinj, madje tre kryeministra. Kështu që nuk mund ta “përtyp” dot një parti, ku është vendosur tabela “Mos i fol shoferit”. Lidhur me qeverisjen “Rama” ka përballë një situatë tejet të vështirë. E them këtë, pasi masat që kërkon të zbatojë Rama kërkojnë sakrifica të mëdha nga gjithë popullsia dhe e dyta duhet një kohë relativisht e gjatë që të ndjehet efekti pozitiv i tyre. Në këtë kontekst, duke qenë për 14 vjet larg vendit nuk jam në gjendje të përcaktoj kufijtë e durimit të shtresave në nevojë, sa do të jenë në gjendje të përballojnë një “shtrëngim rripi” edhe disa vrima më shumë. Masa të tilla, në radhë të parë,  kanë nevojë për para; vërtetë mund të marrësh kredi nga FMN apo BB, por këto kredi janë të lidhura me masa të tjera shtrënguese, të cilat në fund të fundit rëndojnë mbi shumicën e popullsisë. Le të marrim rritjen e çmimit të energjisë. Duke qenë një mbështetës i tregut të lirë, rritjen  e çmimit të energjisë  e konsideroj diçka normale, për më tepër kur në botë çmimi i saj është disafishuar. Por në kushtet kur një pjesë e madhe e popullsisë është në kufijtë e mbijetesës, është shteti ai, që i takon të subvencionojë shtresat në nevojë dhe jo të  detyrosh operatorët të mbajnë çmime të ulëta duke deformuar tregun e energjisë. Pra, para të tjera, kredi të tjera që sjellin kushte të tjera restriktive.

Po për udhëheqësin e  opozitës, Kryebashkiakun Lulzim Basha, ç’ mendoni?

-Sa për Bashën, nuk kam pasur njohje direkt për faktin se ai doli në skenën politike diku nga viti 2004-2005, kur unë kisha pesë vjet që isha larguar nga Shqipëria. Por, me aq sa kam mundësi të ndjek zhvillimet në Shqipëri, kam konstatuar se është një politikan me profil europian, i aftë të argumentojë idetë e tij dhe gjithçka që thotë, gjë që e kam konstatuar nga debatet e tij në TV dhe në aktivitete të partisë së tij. Pa u zgjatur kam bindjen se është zgjedhja më e mirë për PD-në. Por, siç e kam vënë në dukje në një shkrim botuar vitin e kaluar të drejtosh partinë e trashëguar nga Berisha është një sfidë e vështirë, pasi çdo përpjekje për ndryshim lehtësisht mund të bëhet objekt spekulimi nga kundërshtarët e Bashës në PD. Kam përshtypjen se ai ndodhet midis dy zjarresh; nga njëra anë akuzohet se është një marionetë e Berishës, të cilin jo pak e konsiderojnë si kryetarin real të PD, ndërsa Bashën formal, ndërsa nga disa akuzohet se po përgatit kursin “antiberisha” duke kooptuar njerëz të rinj në forumet e partisë. Në fakt njerëzit e rinj sjellin një frymë të re në PD në bazë të së cilës anëtarët të jenë vetëveprues, t’i kërkojnë llogari kryetarit dhe forumeve drejtuese dhe jo të jenë vetëm zbatues të verbër. PD sot ka nevojë për mendimin e secilit për të arritur tek një mendim rezultant sa më i pjekur. Duke vazhduar, dua të theksoj se është e nevojshme të afrohen “të ikurit” me peshë, ata që mendojnë ndryshe apo që janë konfliktuar me liderin e saj historik. Për një parti që pretendon standarde europiane është jetike një hapësirë sa më e madhe për oponentët. Oponentë sigurisht konsideroj ata të cilët përfaqësojnë një linjë të caktuar, natyrisht brenda normave të programit dhe që kanë mbështetës brenda radhëve të partisë. Madje, nuk do të përbënte ndonjë çudi sikur ndonjë prej këtyre të ishte fjala vjen nënkryetar, sekretar apo me një funksion tjetër të rëndësishëm në parti. Ndërkaq, lidhur me raportet me pushtetin është më frytdhënëse që për ndonjë akt, ndonjë hap të qeverisë që i shërben qytetarëve të mirës së vendit në përgjithësi opozita nuk ka pse të mos e vlerësojë pozitivisht deri dhe ta mbështesë. Një sjellje e tillë do ta bënte opozitën tepër të besueshme dhe akuzat e saj ndaj “bëmave” të qeverisë do të ishin shumë herë më të efektshme.

Le të kthehemi pas, tek karriera juaj sportive: Si shkoi Gavrosh Levonja tek Basketbolli?

– Me basketbollin më afroi një nga emrat më të shquar të volejbollit shqiptar, trajneri i madh Vangjel Koja, i cili ishte mësues fizkulture në shkollën “11 janari” kur unë isha në klasën e gjashtë. Bashkë me Guxim Bekteshin, Bashkim Muhedinin dhe të tjerë u bëmë një skuadër e mire dhe arritëm të fitojmë kampionatin e shkollave shtatëvjeçare. Më pas në gjimnazin “Qemal Stafa” një shkollë ku gjatë orës së fizkulturës luhej vetëm basketboll, bile sa herë ndonjë klasë kishte pushim zhvilloheshin ndeshje me klasa, ndërsa çdo mëngjes nga ora 7 e 30 deri sa fillonte mësimi në fushën e shkollës luanin ata që mbaheshin si lojtarët më të mirë, ndër ta mjafton të përmend emrin e Agim Fagut. Ndërkohë, luaja me të rinjtë e Tiranës dhe shumë shpejt ndonëse vetëm 14 vjeç do kaloja me skuadrën e parë, ku trajner ishte një emër i madh dhe i respektuar në qarqet sportive; Feti Borova.

Nëpër ç’rrugë eci karriera sportive?

– Me kalimin e viteve fillova ta shikoj sportin si të vetmen mendësi për të dalë jashtë shtetit gjë që mund të arrihej duke fituar një kampionat a kupë republike ose duke u bërë lojtar i ekipit kombëtar. Kështu, megjithëse nuk isha nga ata që e dashuronin sportin, as nuk kisha  ndonjë përfitim material ose interesa të tjera që mund të lidheshin fjala vjen me një të drejtë studimi apo qëndrim në Tiranë, mirëpo dëshira për të fituar të shtyn të stërvitesh për të dhënë maksimumin, në mënyrë që të shijosh frytet e djersës së derdhur. Pastaj ishte dhe detyrimi ndaj tifozëve, sidomos po të kesh parasysh se bëhet fjalë për tifozët e Tironës së atëhershme për të cilët tifozllëku ishte më shumë një mjet për të shprehur disensin e tyre ndaj qeverisë.

 Cila ndeshje ju ka mbetur në kujtesë.

-Ndeshjet kanë qenë të shumta kështu që e kam të vështirë të veçoj ndonjërën. Secila kishte ndonjë episod për t’u mbajtur mend. Por më shumë mbeten në kujtesë grimca që nuk kanë të bëjnë mirëfilli me sportin.  Ekipi ynë përsa i përket atmosferës së brendshme ishte jashtë çdo “formati” zyrtar; lojtarë me flokë më të gjata se ç’lejohej, veprime si ato të skuadrave të huaja të “importuara” nga televizioni italian, muzika e huaj dëgjohej publikisht, me zë të lartë dhe në hotelet e qyteteve të tjerë kur shkonim për ndeshje dhe nuk përfillnim jo drejtuesit e klubit, as të federatës, po edhe ndonjë aparatçik pushteti, të cilin e vinim në lojë. Megjithatë, e paharrueshëm mbetet turneu i vitit 1974 në Kinë me ekipin kombëtar. Në atë kohë “krisja” në marrëdhëniet midis dy vendeve kishte filluar. Fakti që Hoxha kishte dërguar në Pekin si ambasador Behar Shtyllën tregonte se situata ishte delikate. Deri atëherë ndeshjet me kinezët ishin me të vërtetë miqësore, më shumë se ndeshje ishin një spektakël artistik ku qëllimi nuk ishte për të fituar po për ta nxjerrë ndeshjen barazim. Pasi ambasadori na foli për situatën në Kinë nga fundi u shpreh se “…kinezët kanë qejf të fitojnë..” Ndërkaq Agim Fagu e pyeti: “Po ne të luajmë për të fituar”. “Po dhe ju, luani për të fituar”,- u përgjigj pak si i pavendosur ambasadori. Që diçka kishte ndryshuar e konstatova gjatë një shfaqjeje të ansamblit tonë të këngëve dhe valleve në Pekin. Publiku nuk reagonte si dikur kur këndoheshin kënge për miqësinë dhe komunizmin, madje në fund të shfaqjes, kur artistët shqiptarë filluan ritualin e deriatëhershëm duke bërtitur: “Enver-Mao Ce Dun” apo “Cungo-Arbania” (Kina-Shqipëria), publiku filloi të dilte nga salla krejt indiferent. Ashtu siç kishte paralajmëruar ambasadori Shtylla, kinezët vërtetë donin të fitonin me çdo kusht dhe për këtë nuk kursenin as një lojë të ashpër tej normales. Në një moment, një kinez, ndërsa Gim Fagu ishte në ajër, e pengon me gju dhe i jep një të shtyrë duke e hedhur tek spektatorët dhe, siç ishte zakon, shkon t’i japë dorën, gjë që Gimi e refuzon me një lëvizje dore që e shprehur me fjalë do të thoshte: “Ik pirdhu… ”. Por, pa kaluar as një minutë, nga altoparlantët në gjuhën kineze do të dëgjohej që “miqësia midis popullit shqiptar dhe atij kinez do të jetojë në shekuj, pavarësisht nga veprimet e ndonjë individi”. Pasi u njoh me këtë fakt ambasadori do të shprehej se “ata sportistët na hapën gjashtë muaj punë” dhe kërkoi që të merreshin masa për Gimin si pasojë e të cilave gjatë atij turneu shumë ndeshje nuk luajti. Ana sportive ishte vetëm një aspekt; tjetri ishte marrëdhëniet me kinezët jashtë fushe. Ndërsa Fagu nervozohej me përgjigjet e tyre dykuptimshme duke debatuar, unë, duke e njohur zakonin kinez të interpretimit të çdo veprimi, i ngacmoja që të raportonin se shqiptarët “na provokojnë, nuk sillen miqësisht,…”. Me logjikën e 25- vjeçarit arsyetoja se qoftë dhe minimalisht, udhëheqja shqiptare ose do të afrohej me vijën e re të Kinës si “provë besnikërie” ndaj miqësisë së përjetshme ose do të shpejtohej ndarja, siç ndodhi pak vite më pas. Qëndrimet tona ndaj kinezëve ishin një problem i vazhdueshëm gjë që, solli dhe konfrontimin tonë me drejtuesit e ekipit tonë, të cilët nuk i përfillnim më. Në një moment, madje u fol që “…ata të dy t’i nisni për në Tiranë…”

Pas kthimit në Tiranë, që në aeroport ku qethën Gimin u pa se udhëheqja e lartë ishte shqetësuar dhe filluam të prisnim furtunën. Fillimisht, krerët e sportit i minimizuan gjërat duke u mjaftuar me disa masa të lehta aq sa mund të ishin dënimet për indisiplinim apo flokë të gjata. Por pas takimit të ansamblit në Ministrinë e Arsimit, ku ansambli u përgëzua për “forcimin e miqësisë”, një “spiun vullnetar” i ansamblit ngriti problemin e “sjelljes borgjeze” të sportistëve dhe aty rifilloi gjithçka që përfundoi në masa dragoniane, si heqje titujsh sportive, pezullime për një kohë nga aktiviteti ndërkohë që unë u dënova dhe me mos dalje jashtë shtetit. Pas këtyre në të gjithë klubet sportive do të shpërndahej një buletin i posaçëm, ku dënoheshin sjelljet tona në Kinë me të njëjtin stil dhe përmbajtje si ai për Todi Lubonjën e Fadil Paçramit e me pas për grupet e tjera “armiqësore”. Ndërkohë, ministri i arsimit na thirri ne zyrën e tij dhe nder te tjera hodhi pyetjen: “A jeni ju me mësimet e partisë?… Kurse një sekretar i komitetit te partisë së Tiranës në një mbledhje me sportistë tha se “…janë sjelle ne Kine si amerikane…”Gjithë kjo kishte te bënte vetëm me anën sipërfaqësore; nëse do të mësoheshin të gjitha ato qe kishim bere dhe qe kishim folur me kinezet qe na shoqëronin do te kishim përfunduar ne burg… Dalip Greca New York, 22 tetor 2014