Gati reformat e reja në drejtësi, maxhoranca me 84 vota

441
Sigal

Miratimi i dorëheqjejes së 3 anëtarëve të KQZ-së, nga Kuvendi, shënon formatimin e Gjykatës Supreme

Kuvendi u mblodh në seancë plenare. Në hapje të rendit të  ditës, Kryetari i Kuvendit njoftoi  deputetët për mbledhjen e sotme të  Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, i cili verifikoi  mandatin e deputetit të ri të Partisë Demokratike, z. Mëhill Fufi. Pas prezantimit të raportit të Këshillit, deputeti Fufi bëri betimin. Kryetari i Kuvendit njoftoi seancën për mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ditën e hënë  datë 30.8.2013, e cila ka miratuar me konsensus  programin e punës si dhe Kalendarin tre javor  të punimeve të Kuvendit.  “Menjëherë pas miratimit me konsensus disa komisione parlamentare kanë filluar mbledhjet”,-tha Kryetari i Kuvendit. Njëherësh Kryetari i Kuvendit njoftoi deputetët se “në mbështetje të nenit 69 pika një dhe pika dy si dhe të nenit 44, pika 3  të Rregullores në Kuvend është depozituar Akti Normativ nr 5 datë 30.09 2013 për disa ndryshime në Ligjin nr 152, 2013  “Nëpunësin Civil”,i cili futet automatikisht në programin e punës së Kuvendit, që sapo kemi miratuar, në bazë të nenit 26, pika 7 e Rregullores”. Gjatë seancës plenare, kryetari i Grupit parlamentar të PD, z. Edi Paloka dha qëndrimin e opozitës për Aktin Normativ, duke e cilësuar si anti-kushtetues. Në emër të Qeverisë Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin z. Ilirjan Celibashi tha ndër të tjera se, “kjo iniciativë është konsultuar dhe me partnerët ndërkombëtare”. Më pas opozita la punimet e seancës plenare.

Meta: “Duhet të gjejmë konsensusin”

Në qëndrimin e tij ndaj kësaj çështjeje, Kryetari i Kuvendit z.Ilir Meta u shpreh : “Dua të theksoj faktin se nga ana e qeverisë janë zhvilluar takime me dy grupet opozitare, ndërkohë që, është kërkuar takim zyrtar edhe me grupin parlamentar të PD-së, përpara se një  akt i tillë të kalonte në Këshillin e Ministrave me qëllim ekspozimin e arsyeve dhe të argumenteve që çojnë në një iniciativë të tillë. Dua të theksoj se rendi i ditës së sotme është miratuar me një konsensus të plotë nga të gjithë kryetarët e grupeve parlamentare, ndërsa Akti normativ hyn automatikisht në rendin e ditës në bazë të nenin 26 të Rregullores, pika 7”.

Kuvendi miraton dorëheqjen e 3 anëtarëve të KQZ-së

Seanca plenare vijoi me votimin me 76 vota pro, të projektvendimit  “Për lirimin nga detyra të znj. Albana Shtylla, anëtare e KQZ-së”. Deputetët miratuan me 75 vota pro projektvendimin “Për lirimin nga detyra të z. Denar Biba, anëtar i KQZ-së” dhe 77 vota pro,  projektvendimin “Për lirimin nga detyra të z. Jani Jani, anëtar i KQZ-së. Miratimi i dorëheqjes së 3 anëtarëve të KQZ-së nga parlamenti shënon edhe riformatimin e KQZ-së së re, por, njëkohësisht edhe reformat e reja në drejtësi, sikurse zhbërja e Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë dhe krijimin e Gjykatës Supreme. Parë në këtë këndvështrim, edhe lëvizja e deputetit Duzha nga grupi parlamentar i PR-së, në LSI dhe arritja e 84 kartonëve të maxhorancës, ka domethënien e bërjes të ccdo ndryshimi ligjor, që kërkon votën e cilësuar në Kuvend. Jo rastësisht, kryeministri Rama, edhe dje theksoi se maxhoranca mund të arrijë edhe 85-86 kartona, duke paralejmëruar se edhe deputetë të tjerë të opozitës, mund t’i bashkohen grupeve parlamentare të maxhorancës.

Berisha: Akti Normativ, akti më i rëndë në ekzistencën e pluralizmit
Ish-Kryeministri, deputeti i PD-së, Sali Berisha akuzoi Ramën për shkelmim të konsensusit, si aktin me të rëndë në 23 vite të pluralizimit shqiptar.  “Në historinë 23 -vjeçare të marrëdhënieve të forcave të mëdha politike, ky është akti më i rëndë në tërë ekzistencën e pluralizmit, të gjithë ata që kanë ndjekur zhvillimet e vështira demokratike në Shqipëri, por në tërësi të suksesshme e kanë të qartë se këto zhvillime kanë pasur në bazë, Kushtetutën dhe konsensusin”.