“Gardistët e kuq”, uzurpojnë “kullën” e drejtësinë

511
“E duam Shqipërinë, si gjithë Europa”! Ishin këto, thirrjet e fuqishme të “Lëvizjes Studentore” të vitit ’90 , të cilat shumë shpejt u përqafuan në të gjithë vendin, duke sjellë shpresën e madhe për liri dhe demokraci. Por sot në vitin 2015, megjithëse kanë kaluar plotë 25 vjet, ne po vazhdojmë të jemi jashtë dyerve të Europës, me një situatë ekonomike të mjerë dhe me varfëri të skajshme. Hidrocentrale kishim, por dritat ishin me ndërprerje, pasi defektet dhe mungesa e investimeve e futën në errësirë vendin. Sot, pasi kemi bërë eksperimente me pasurinë kombëtare në sektorin energjetik, vazhdojmë të vuajmë mungesën e energjisë në një pjesë të madhe të vendit . Ndryshimi është, se në prag të rënies së diktaturës nuk të fuste njeri në burg për energjinë, ndërsa sot burgu është mbushur me ata që duan “pakëz dritë”. Në atë kohë, bëhet fjalë për fundin e viteve ’90, nuk ishte e rrezikshme të flisje, pak a shumë si edhe sot, ku liria e fjalës po zëvendësohet me gjoba, ose me burg deri në tre vjet. Ishte kjo pra arsyeja, që Bashkimi Evropian vendosi mbi 1700 prioritete, apo “kushte” për vendin tonë, ose mund t’i quajmë si të duam, plotësimi dhe respektimi i të cilave do të ishte çelësi i hapjes së “portës së madhe” për në Europën e shumëpritur. Plotësimi i këtyre kushteve, do të bënte që vendit tonë t’i jepej Statusi i Vendit Kandidat për në BE. Shumica sasiore e këtyre kritereve, u plotësuan ndërsa vetëm 5 pika, apo kushte që në numër duken pak, por që në cilësi janë shumë e më shumë se 1700 kriteret e plotësuara nga qeveritë e majta dhe të djathta. Në 17 Dhjetor 2013, Këshilli i Europës shtyu për 6 muaj Statusin e vendit kandidat. Më 12 Maj 2014, Stefan Fyle i jep fund takimit të 6-të të Këshillit të Stabilizim Asocimit Shqipëri-BE, duke hapur një “dritë jeshile” për vendin tonë. Dhe dita… erdhi! Pikërisht më 24 Qershor 2014,Shqipërisë i jepet Statusi i Vendit Kandidat për në BE, por duke lënë në fuqi për plotësim 5 pikat shumë të rëndësishme, të cilat ishin:
1- Reforma Administrative
2- Lufta kundër korrupsionit
3- Lufta kundër krimit
4- Pavarësia e Gjyqësorit
5 Të drejtat e njeriut (prona, liria e shtypit, të drejtat e romëve etj)
Sigurisht, që secila nga këto 5 pika apo kritere, ka rëndësi të veçantë, aq sa ish-Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Europian, zoti Christian Danielsson (30 Janar 2012) dhe vetë Kryekomisioneri Stefan Fyle, deklaruan se me këto 5 kritere apo kushte, nuk ka asnjë kompromis. Dhe koha tregoi, se këto 5 kushte ishin “zemra dhe truri” i demokracisë së një vendi. Përse bëhet fajlë konkretisht? Çfarë shqetëson sot shqiptarët dhe Europën, SHBA dhe komunitetin ndërkombëtar në raport me Shqipërinë? 
a) Që krimi është ulur këmbëkryq në Shqipëri dhe kriminelët, janë kthyer në “gardianë” të një pjese të politikanëve, këtë fakt e theksoi hapur e troç, Ambasadori Amerikan Donald Lu. Ndoshta, shprehja e famshme e Glosterit tek Shekspiri, se “Bota u bë e keqe, që kur horrat u bënë fisnikë dhe fisnikët u kthyen në horra”… është gjetja më e duhur e kuptimplote, për i shkon përshtat një grupi deputetësh dhe kryebashkiakësh të inkriminuar, të sjell në pushtet nga listat e mbyllura në zgjedhjet që bëhen në Shqipëri. Kryetarët të partive kanë përgjegjësi të plotë dhe u ngjajnë pak a shumë, atyre që fshehin kriminelin pas kryerjes së një krimi.
b) Që korrupsioni po bënë kërdinë dhe që “Rilindja” është kthyer në babëzi abuzimesh e vjedhjesh të shfrenuara më tenderë dhe të ashtuquajtur “koncesione”, kjo nuk ka më nevojë për komente, pasi shqiptarët u bindën për hipokrizinë e “Rilindjes” aktuale, e cila ndryshon nga “Rilindësit” e vërtetë Samiu, Naimi, Abdyli etj., që shkrinë pasurinë e tyre për të bërë shtetin e shqiptarëve. 
c) Reforma Administrative, megjithëse e kontestuar pati arritje dhe ndarja territoriale ishte një pjesë e mirë por që vetë administrata dhe punësimet nepotike e zhbëjnë gjysmën e suksesit të mësipërm. d) Të drejtat e njeriut janë më të nëpërkëmbura se kurrë dhe liria e shtypit është në rrezik potencial, pasi “Rilindja”, një pjesë të mediave i ka blerë dhe një pjesë i ka dërguar në procese gjyqësore nëpërmjet ministrave dhe drejtuesve të korruptuar. Do ishte mirë, që këta ministra të jepnin dorëheqjen pastaj të përballen me drejtësinë. Çështja e pronave, romëve, diskriminimi i njerëzve në nevojë, shkarkimi i nëpunësve civilë dhe mos rikthimi në punë i atyre që kanë fituar gjyqet, janë qëndrime të pa tolerueshme, aq sa kanë krijuar një situatë të mjerë që po rëndon e rrënon ekonomikisht popullin dhe po shkatërron të ardhmen e këtij vendi.
e) Pavarësia e gjyqësorit. Ndoshta kjo është pika më e vështirë por më e domosdoshme, pa të cilën nuk ka zgjidhje dhe vendosje “mbi shina” të shtetit të së drejtës. Në Raport-Progresin e fundit për Shqipërinë, sistemi gjyqësor është vlerësuar me nota kritike, duke përcaktuar se shpresa e vetme mbetet ngritja e komisionit “Ad-Hoc” për Reformën në Drejtësi. Por si po ecën kjo reformë dhe se sa e si do të dalim nga ky batak, ku na kanë zhytur pikërisht këta, që po hartojnë këtë projekt? Kur mendon, që të inkriminuarit do të votojnë dokumentin më të rëndësishëm të drejtësisë dhe demokracisë në këto 25 vite, kjo përbën një skandal, por nëse logjikon me deklaratën e Prof. Zabit Brokajt, bërë në një intervistë në Gazetën “Telegraf”, që… “Kjo reformë le të miratohet dhe këto ligje le të jenë “laku i litarit”, të cilin këta të inkriminuar po vënë në qafën e tyre dhe me duart e tyre. Por që të realizohet kjo, duhet që draftin ta përgatisin vetë ndërkombëtarët, ndërsa deputetët shqiptarë vetëm sa ta votojnë. Ndryshe, ky projekt do të ketë probleme të mëdha dhe do dështojë, pasi nga studimi i deritanishëm, na rezultojnë shumë mangësi dhe se qëllimi i tij, është kapja me çdo kusht e pushtetit gjyqësor, hetimit dhe drejtësisë në tërësi. Konkretisht, në Nenin 45 të Projektligjit të përgatitur nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë me objekt “Për disa ndryshime në Ligjin Nr. 8417 datë 21.10. 1998” (Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e ndryshuar), pas Nenit 147/ç, shtohet neni 147/d, me këtë përmbajtje:
Neni 147/d
“Inspektorati i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës për hetimin e shkeljeve disiplinore dhe ankesave kundër gjyqtarëve, prokurorëve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe për fillimin e procedurës disiplinore ndaj tyre. Inspektorati i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës edhe për inspektimin e gjykatave dhe të zyrave të prokurorisë; 
Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, përbëhet nga 5 anëtarë, 3 nga të cilët vijnë nga gjyqësori dhe 2 nga prokuroria. Ata emërohen nga Kuvendi me tri të pestat e gjithë anëtarëve, midis kandidatëve të përzgjedhur nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. 
Këshilli i Lartë Gjyqësor, përzgjedh dhe rendit gjashtë kandidatë nga radhët e gjyqtarëve, ose ish-gjyqtarëve me të paktën 20 vjet përvojë si gjyqtarë, me rezultate të larta në punë dhe integritet të lartë, mbi bazën e propozimeve të gjyqtarëve. Procedura e përzgjedhjes dhe renditjes së kandidatëve rregullohet me ligj.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë, përzgjedh dhe rendit katër kandidatë nga radhët e prokurorëve ose ish prokurorëve me të paktën 20 vjet përvojë si prokurorë, me rezultate të larta në punë dhe integritet të lartë, mbi bazën e propozimeve të prokurorëve. Procedura e përzgjedhjes dhe renditjes së kandidatëve rregullohet me ligj.
Kuvendi voton veçmas për secilin grup kandidatësh. Në rast se Kuvendi nuk arrin shumicën prej tri të pestash për asnjë prej kandidatëve të secilit grup,kandidatët e renditur në 3 vendet e para nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe 2 vendet e para nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë quhen të emëruar.
Anëtarët e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë kanë statusin e anëtarit të Gjykatës së Lartë.
Kandidatët për anëtar të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë i nënshtrohen një kontrolli të thelluar të pasurisë, të integritetit dhe të së shkuarës.
Procedurat për marrjen e vendimeve nga Inspektorati i Lartë i Drejtësisë rregullohen me ligj.
Ministri i Drejtësisë merr pjesë si vëzhgues në mbledhjet e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë dhe mund të kërkojë fillimin e hetimit për shkelje disiplinore kundër gjyqtarëve, prokurorëve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorit të Përgjithshëm si dhe kryerjen e inspektimeve dhe verifikimin e ankesave.
Anëtarët e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë e ushtrojnë detyrën me kohë të plotë për një periudhë prej 9 vjetësh, pa të drejtë rizgjedhjeje të njëpasnjëshme. Në përfundim të mandatit anëtarët rikthehen në vendet e mëparshme të punës.
Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë zgjidhet nga radhët e anëtarëve gjyqtarë me 2/3 e votave të anëtarëve të Inspektoratit. Kur në votimin e parë nuk arrihet shumica prej dy të tretash, brenda 7 ditëve nga votimi i parë bëhet një votim i dytë vetëm për kandidatin që ka marrë më shumë vota në votimin e parë. Në rast se edhe në votimin e dytë nuk arrihet kjo shumicë, Inspektori i Përgjithshëm zgjidhet nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë brenda 7 ditëve. 
Inspektori i Përgjithshëm drejton mbledhjet e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë si dhe bashkërendon dhe mbikëqyr veprimtarinë e administratës”.
Pra, sipas këtij neni, që të zgjidhesh anëtar i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, duhet detyrimisht të kesh 20 vite vjetërsi në punë, si për 3 anëtarët që vijnë nga radhët e gjyqësorit edhe për 2 anëtarët e tjerë që vijnë nga prokuroria (apo hetuesia e dikurshme e diktaturës). Kaq mjafton, që të kuptohet se kjo reformë është e kompromentuar dhe se, qëllimi i saj dhe i atyre që e morën përsipër ta bëjnë, nuk është vendosja e drejtësisë, e njerëzve me figurë të pastër e të arsimuar, por nxjerrja jashtë sistemit të drejtësisë dhe spastrimi i të gjithë gjyqtarëve e prokurorëve, që kanë kryer studimet pas viteve ’90 e për rrjedhojë, futja e drejtësisë shqiptare nën tutelën e kastës së ish-diktaturës komuniste, me qëllimin final mbajtjen e ofiqeve dhe garancinë e plotë të paprekshmërisë prej ligjit, që këta të zgjedhur do t’i bëjnë sistemit të kaluar dhe pushtetarëve të ish-Diktaturës së Proletariatit. Kujtojmë një argument: Fakti, që mandati i tyre është 9 vjeçar, “blindon e çimenton” përfundimisht pozitat në funksione dhe paprekshmërinë prej drejtësisë, të shtetarëve dhe politikanëve që kanë abuzuar me detyrat dhe funksionet. Vetë ish-Ministri i Drejtësisë Nasip Naço, në aktin e dorëheqjes, deklaroi se ky projekt-ligj nuk është konceptuar e nuk është hartuar duke marrë edhe mendimin e tij si ministër drejtësie, por ka qenë qëndrim i njëanshëm i atyre që synojnë ta bëjnë këtë ligj në përputhje me interesat e tyre sunduese në drejtësi e masave vetë-mbrojtëse përballë veprimit të ligjit. 

# # #
Dikush apo disa, mund ta paragjykojnë këtë analizë, por faktet janë kokëfortë dhe ne po japim disa shembuj të thjeshtë, madje edhe duke përllogaritur këto vite. Sipas nenit 147/d, pika 3 dhe pika 4, kërkohet që kandidatët për Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, duhet të kenë mbi 20 vite përvojë pune si gjyqtarë. Atëherë, ne jemi në vitin 2015 dhe po t’i zbresim 20 vite punë të pandërprerë, i bie që gjyqtari, apo prokurori të këtë mbaruar shkollën e lartë (Fakulteti Juridik) në vitin 1995. Por, që të ketë mbaruar në vitin 1995, duhet patjetër të ketë filluar shkollën në vitin 1991. Dihet, që deri në vitin 1991, të drejtat e studimit, sidomos ato për drejtësi (Filozofi Marksiste-Leniniste) i jepte Komiteti Ekzekutiv me “lista të përzgjedhura” nga PPSH në rreth e në qendër dhe kriteri bazë ishte “BIOGRAFIA” e mirë, besnikëria ndaj Partisë së Punës dhe bindja, vendosmëria, provat dhe gatishmëria për luftë kundër Imperializmit Amerikan e armiqve të Perëndimit. Nëse do mendojmë, që një pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve u shkarkuan me fitoren e demokracisë, i bie që këta të kenë mbaruar Fakultetin Juridik përpara viteve ’90. Kjo tregon, se shteti po kapet me shumë “djallëzi e mjeshtëri”, nga ata që dënuan me gjyqe politike qindra e mijëra shqiptarë, apo nga prokurorët dhe hetuesit e Diktaturës së Proletariatit. Dhe ky kriter në dukje i vogël, apo thjesht një numër i rastësishëm, bënë që klanet dhe ata që i shërbyen Diktatorit Enver Hoxha duke iu servilosur e dhuruar buqeta me lule, të rimarrin ofiqet e humbura nga proceset demokratizuese të vendit dhe shansi e pamerituar që u dha demokracia e pas viteve 1990. Si mundet, që ky kriter absurd të largoj studentët dhe gjyqtarët e ardhur nga radhët e Magjistraturës dhe studimet jashtë shtetit!? Është e pafalshme, që ata gjyqtarë që gjykojnë në të tre shkallët aktuale të drejtësisë, apo në kolegjet e Apelit për vendimet që legjitimojnë mandatin e deputetit dhe të zgjedhurit vendorë, përjashtohen nga Komisioni i “famshëm” Ad-Hoc, nga e drejta e kandidimit në organin më të lartë për Anëtar i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë?! Të zgjidhesh në Gjykatën e Apelit, duhet të kesh jo më pakë se 7 vite punë. Të zgjidhesh Anëtarë i Gjykatës së Lartë, duhet të kesh jo më pak se 13 vite punë. Atëherë, si ka mundësi, që të zgjidhesh Anëtarët i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, duhen 20 vite punë?! Po, ku ka vendime më të rëndësishme, se sa Gjykata e Apelit dhe ajo e Lartë? Kjo pikë është e papranueshme dhe pa asnjë dyshim e pa asnjë ndalesë, rezulton se kjo pikë, do të rikthej, instaloj dhe çimentoj ish-nomeklaturën e kuqe dhe shërbëtorët e saj. Ndaj, ky rrezik serioz dhe shkatërrues e bllokues për drejtësinë shqiptare, nuk duhet të lejohet nga faktori demokratik ndërkombëtarë, ambasadorja e BE dhe sidomos nga Ambasadori i SHBA, zoti Donald Lu. 
Një tjetër çështje e dyshimtë është pika 9 e po këtij neni (147/d), ku thuhet se “Ministri i Drejtësisë, merr pjesë si vëzhgues në mbledhjet e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë dhe mund të kërkojë fillimin e hetimit për shkelje disiplinore kundër gjyqtarëve, prokurorëve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorit të Përgjithshëm si dhe kryerjen e inspektimeve dhe verifikimin e ankesave”… Po si ka mundësi, që këto kompetenca iu hoqën Presidentit të Republikës, kushdo qoftë ai i sotmi, i nesërmi apo i pasnesërmi dhe i jepen një ministri partiak?! Në fund të fundit, Presidenti Republikës edhe me Kushtetutë është Garanti i Unitetit Kombëtar, ndryshe nga ministri që emërohet në atë post me mandat politik-partiak, si militant, shërbëtor apo drejtues partiak?! Deputetët e Parlamentit Shqiptar, opozita dhe faktori ndërkombëtar, duhet të bllokojnë urgjentisht këtë kasaphanë ndaj drejtësisë në Shqipëri, që po përgatitet nga ish-pasardhësit e nomeklaturës së kuqe komuniste, ose më saktë nga ish-“gardistët e kuq”, me qëllimin final rikthimin e diktaturës, rrëzimin dhe zhdukjen e demokracisë.Ky shqetësim është alarm dhe “këmbanë” shqetësuese, që duhet të zgjoj e hedh në veprim përfaqësuesit diplomatik në Tiranë, ata të BE dhe SHBA, pasi ish-agjentura lindore po ri-instalohet Tiranë dhe Ballkan. Mjafton të shohim, se ku kanë punuar dhe kush janë të ashtuquajturit “ekspertë” dhe do të bindemi, së ky ligj po ringjall kastën e bllokmenëve dhe pasardhësit e “pashallarëve të kuq” të ish-diktaturës komuniste në Shqipëri.
Sigal