Gaiani: Integrimi i Shqipërisë në BE, kërkon mund dhe përkushtim

435
Ambasadori i Republikës së Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare ka deklaruar se Italia dhe Shqipëria kanë mundësi për të zgjeruar akoma më tej bashkëpunimin e tyre ekonomik. Ambasadori Gaiani ka theksuar se, në Shqipëri ka një numër të madh të sipërmarrje të vogla dhe të mesme italiane, por ende është i vogël numri i sipërmarrjeve të mëdha italiane në vendin tonë. “Komuniteti shqiptar në Itali është vlerësuar njëzëshëm nga italianët dhe nga Italia, janë integruar më së miri si dhe kanë një nivel të lartë sipërmarrjeje. Janë më shumë se 30 mijë sipërmarrjet e krijuara në Itali prej shqiptarëve. Pra do të thoja se ka një vlerësim të njëzëshëm, një njohje të rolit të tyre, duke nisur ndër të tjera nga një imazh kolektiv që nuk ishte dhe aq i favorshëm por që shqiptarët, falë punës së tyre, arritën që ta përmbysin edhe këtë imazh. 
Kjo tregon edhe një herë faktin që shqiptarët në Itali janë mëse të vlerësuar dhe sidomos në sektorin ku ata punojnë më tepër, në atë të ndërtimit. Kjo tregon edhe një herë pra se janë tejet të vlerësuar. Pavarësisht pranisë së sipërmarrjeve italiane ekziston hapësira e duhur për të rritur më tej këto marrëdhënie dhe këto marrëveshje. Sigurisht, sikundër e përmenda, prania e sipërmarrjve të mëdha është disi e vogël, megjithatë ekziston mundësia dhe gjithashtu ekziston interesi i lartë për të investuar në Shqipëri dhe për të qenë të pranishëm në Shqipëri. Pavarësisht krizës në këto vitet e fundit, marrëdhëniet apo shkëmbimet ekonomike mes dy vendeve tona kanë njohur rritje. Kjo falë edhe një faktori të rëndësishëm do të thoja, sikundër është liberalizimi i vizave, ç’ka e bëri edhe më dinamike këtë marrëdhënie. Gjithashtu është e rëndësihme që krahas rritjes së pranive të sipërmarrjeve të mëdha, të rrisim gjithashtu apo zgjerojmë sektorët apo fushat e tjera të marrëdhënieve ekonomike me interes të përbashkët”, u shpreh Gaiani.
Përsa i përket rrugëtimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe vendeve fqinje, ambasadori Gaiani ka theksuar se, ky do të jetë një rrugëtim i gjatë që kërkon mund, përpjekje dhe përkushtim nga ana e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë. “Para së gjithash mendoj se është një rrugëtim i pashmangshëm. Për Shqipërinë, sikurse dhe për vendet e tjera të Rajonit, besoj se është në interes të tyre kahja drejt rrugëtimit europian, drejt shtëpisë së përbashkët europiane. Këto vende kanë qenë gjithnjë pjesë e Europës, për vetë historinë, kulturën, ekzistencën e popujve të tyre, kanë qenë eurpiane. Ndaj është dhe udha e natyrshme që duhet te ndjekin. Është një rrugëtim i gjatë, plot vështirësi e pengesa që duhen kapërcyer. Për këtë nevojitet durim me vetëdijen se nuk do të jetë e thjeshtë, por që gjithsesi përbën objektivin që popujt e Ballkanit duhet të synojnë për të gjetur veten në atë që është bota e tyre, per t’i siguruar brezave të ardhshëm një të ardhme më të sigurt e me perspektiva më të mëdha mirëqenieje. 
Disa vende kanë shprehur dhe shenja mosbesimi ndaj Bashkimit Europian, sikundër e dëshmuan dhe zgjedhjet e fundit. Si europian, duke qenë se pjesën më të madhe të karrierës sime profesionale ia kam kushtuar këtyre temave dhe punës në dobi të rritjes së Europës, kam bindjen se është në interes të Vendeve të Ballkanit të përafrohen me Bashkimin Europian, pa mohuar faktin se, si gjithçka që ka një vlerë të caktuar, kërkon dhe një sakrificë e një çmim të caktuar. Pavarësisht kësaj, është çmimi i atyre masave që gjithësesi janë të dobishme për zhvillimin e vendit. Kur bëhet diçka për Europën duhet të kemi parasysh faktin se këto gjëra gjithsesi do të bëheshin në interes të vendit”, tha Gaiani.
Sigal