Gaçi: Basha s’mbajti asnjë premtim, s’bëri asnjë punë,vetëm pagoi stafin

402
Deputeti i Partisë Socialise, Artan Gaçi në një deklaratë për mediat është shprehur se në 4 vite, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha nuk ka bërë asnjë punë për Tiranën por vetëm ka paguar rrogat për stafin e tij.
Duke u ndalur tek të gjitha punët që kryebashkiaku Basha duhet ti kishte bërë dhe që ishin pjesë e premtimeve të tij për kryeqytetin, Gaçi u shpreh se edhe lëvizja nëpër trrotuare është kthyer në një sfidë për qytetarët, pasi dhe ato nuk arriti ti mirmbante. 
Përsa i përket projektit për ndërtimin e tramit dhe të bulevardit të ri, ai theksoi se Basha vetëm i mendoi këto dy projekte, por nuk bëri asgjë konkrete. Për këto arsye, thotë deputeti Socialist në fund të deklaratës së tij, qytetarët më 21 qershorë do të votojnë Erion Veliajn, si kandidati i cili do ta rikthejë Tiranën në drejtimin e duhur.
Sigal

Deklarata e plotë për mediat e deputetit të Partisë Socialiste, Artan Gaçi

“Lulzim Basha u bëri qytetarëve një mal me premtime kur u emërua Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Sot, katër vjet më pas ai po i ikën si ndonjë frikacak përballjes me qytetarët për bilancin e këtyre premtimeve. Sepse në 4 vjet e vetmja punë që ka bërë Luli ka qenë të paguajë rrogat e stafit të bashkisë. Vetëm kaq.
Premtoi se qytetarët do të ecin në trotuare cilësorë e të rehabilituar. Premtoi se trotuaret do të çlirohen nga zëniet abuzive. Dhe natyrisht nuk mbajti as njërin e as tjetrin premtim.
Gropat dhe pllakat e thyera tek të cilat s’vë dorë njeri prej vitesh, shitësit ambulantë që janë fanepsur në çdo cep e qoshe, tavolinat e lokaleve që kanë mbirë kudo duke zënë hapësirat publike me bekimin korruptiv të Bashkisë Tiranë, e kanë kthyer lëvizjen nëpër trotuarë në një sfidë të vërtetë për çdo qytetar.
Partia Demokratike del përditë e na thotë se Luli është çun me vizion, se ka menduar për tramin dhe bulevardin e ri. Por ja që vizioni i Lulit nuk arrika dot as deri tek mirëmbajtja e trotuareve. Në 4 vite duke parë vizione me tram, Luli ia doli t’u vështirësojë qytetarëve edhe ecjen në këmbë.
Detyra e një kryetari bashkie është ta bëjë qytetin të jetueshëm për banorët e tij. Të garantojë që qytetari është në qendër të çdo vendimmarrje e çdo pune. Të bëjë më të lehtë e më cilësore jetën e çdo banori të bashkisë që drejton.
Luli këto as i kupton, e as i interesojnë. 
Por i kuptojnë qytetarët të cilët në 21 qershor do të mbyllin kapitullin e Lulit në Tiranë dhe do të votojnë për Erion Veliajn, kandidatin që do ta rikthejë kryeqytetin në drejtimin e duhur”, tha Gaçi