Gabimet e Ramës në fushatë, LSI kërkon hetim ndaj tij dhe kontroll mjekësor

476
“Edi Rama duhet t’i nënshtrohet një kontrolli mjekësor të hollësishëm me qëllim që të vërtetohet, nëse është apo jo i aftë mendërisht të drejtojë shtetin. Nevojë për hetim urgjent”
Kryeministri Edi Rama do të duhet të përgjigjet penalisht për thirrjen e tij antikushtetuese të bërë në Kuçovë, ku i kërkoi hapur Policisë së Shtetit të mbledh vota për Partinë Socialiste. Këtë fakt nuk ia ka falur lëvizja Socialiste për Integrim, e cila për katër vite ishte në bashkëqeverisje me të dhe tashmë, është vënë përballë akuzave të forta që kryeministri bënë në çdo takim elektoral. LSI jo vetëm që kërkon hetimin e Edi Ramës për këtë deklaratë, por shkon edhe më tej. Një kryeministër para se të marrë këtë detyrë, duhet të provojë nëse është mendërisht i aftë për të drejtuar vendin. Kjo gjë i kërkohet gjithë punonjësve para se të firmosin një kontratë pune. Atëherë përse politikanët nuk duhet të vendosen tek makina e së vërtetës. 
Kujt i është dërguar shkresa
Më konkretisht, shkresa i është drejtuar Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, Kreut të Misionit të OSBE/ODHIR për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, Peter Tejler, Ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt, Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Donald Lu, Ambasadores së Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin, Zv.Kryeministres dhe drejtueses së Task-Forcës për Procesin Zgjedhor, Ledina Mandia, Ministrit të Punëve të Brendshme, Dritan Demiraj si edhe ambasadorëve të vendeve të BE-së të akredituar në Tiranë.
Cili është gabimi i Edi Ramës
Lëvizja Socialiste për Integrim bën me dije se Kryeministri Edi Rama shkeli ligjin kur ftoi policinë të marrë vota për Partinë Socialiste dhe se thirrjet e tij përbëjnë ngjarjen më të rëndë të thyerjes së ligjit. Gjithashtu, LSI thekson se kjo ngjarje dhe kjo veprimtari e Kryeministrit është në kundërshtim me Kushtetutën dhe gjithë ligjet dhe se këto thirrje tregojnë se ky shtetas ka konsumuar njëherazi elementë të veprave penale. LSI çmon se duhet nisur ndjekja penale dhe kryerja e hetimeve të paanshme në lidhje me këtë çështje nëpërmjet një shqyrtimit dhe hetimi objektiv. Nisur nga deklarata e papërgjegjshme e Kryeministrit, LSI e vlerëson të nevojshme që Presidenti i Republikës të thërrasë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të analizuar veprimtarinë antiligjore të Kryeministrit të vendit. 
Kërkesa për kontroll mjekësor 
LSI në kërkesën për hetim objektiv ndalet në gjendjen shëndetësore të kryeministrit. Sipas LSI, partia çmon të domosdoshme një kontroll mjekësor, nëse kreu i qeverisë është apo jo i aftë mendërisht për të ushtruar detyrën e tij. “Çmojmë të domosdoshëm kontrollin mjekësor të Kryeministrit, për të verifikuar, nëse ai është i aftë mendërisht ose jo, që të kryejë detyrën e Kryeministri. Këto deklarata tregohet qartë se nuk është në gjendje të qëndrueshme mendore. Nëse një tronditje e tillë psikike, vjen si pasojë e panikut, prej fuqisë së rritjes së mbështetjes popullore për LSI, sërish nuk është aspak shkak për përjashtim nga përgjegjësia penale dhe politike”.
Ku e ka shkelur kryeministri Ligjin, vepra dënohet gjashtë muaj deri në tre vjet
Neni 2
Misioni i Policisë së Shtetit
Policia e Shtetit ka për mision ruajtjen e rendit e të sigurisë publike, garantimin e zbatimit të ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut.

Neni 4
Statusi i Policisë së Shtetit
1. Policia e Shtetit është institucion i administratës shtetërore, person juridik në varësi administrative të ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike.
2. Policia e Shtetit është e depolitizuar. 
Konkretisht Kryeministri Edi Rama, si kreu i Administratës Shtetërore dhe që prezumohet që duhet të jetë shembulli dhe profili publik më i pastër i saj, me ftesën publike drejtuar punonjësve të Policisë së Shtetit, për të shkelur ligjin dhe për të kryer vepra penale, ka konsumuar elementë të veprës penale parashikuar nga neni 328/a të Kodit Penal, ku citohet se: Neni 328/a
Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore.
Çfarë deklaroi Rama në Kuçovë
Pa dashur të bëjmë një vlerësim politik, po të shikohet me vëmendje pjesa e dytë e deklaratës se tij, ku ai shprehet se : “…….në mënyrë që të mos lejojmë rikthimin e hijes së turpit mbi uniformën blu, që ne e kemi lartësuar dhe pastruar më shumë se asnjëherë më parë dhe së bashku në 4-vitet e ardhshme, ta bëjmë Policinë e Shtetit Shqiptar në mesataret e Policive të Bashkimit Evropian”……, paçka si e tillë , kjo deklaratë premtimi e Kryeministrit për Policinë e Shtetit, është që ajo të shkeli ligjin dhe të merret me fushatë elektorale për PS, në mënyrë që 4- vitet e ardhshme në pushtet ai ta mbajë policinë e shtetit në gjendjen që ai e degradoi, duke e bërë pjesë dhe shumë pis në fushatën e kanabizimit të vendit. Premtimi Kryeministrit është sa i fshehtë por dhe i dallueshëm, dhe duke ndikuar në mënyrë të paligjshme që punonjësit e policisë së shtetit të shkelin ligjin dhe detyrimet që ligji ja përcakton.
Thirrja e Ramës do të acaronte votuesit
Lëvizja Socialiste për Integrim, u drejtohet përfaqësive kryesore diplomatike në vend që të ndërhyjnë menjëherë për të ushtruar të gjithë ndikimin e tyre që të mos lejohet përfshirja e Policisë së Shtetit, për të marrë vota për Partinë Socialiste, siç i urdhëroi Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Socialiste. Sepse, nëse ndodh që Policia e Shtetit do të përfshihet në fushatën zgjedhore për të marrë vota për Partinë Socialiste, jo vetëm do të krijohet një precedent i rrezikshëm, por mund të krijojë kushte për konflikte me pasoja të paparashikueshme, sepse qytetarët do të jenë të detyruar të mbrojnë votën e tyre nga marrja apo grabitja e punonjësve të Policisë së Shtetit sipas urdhrit të Kryeministrit.

Lëvizja Socialiste për Integrim, nisur nga deklarata e papërgjegjshme e Kryeministrit, e vlerëson më se të nevojshme dhe aspak të tepërt që Presidenti i Republikës të thërrasë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të analizuar veprimtarinë antiligjore të Kryeministrit të vendit, e cila në thelb përpiqet të keqpërdorë Policinë e Shtetit, dhe duke e kthyer atë në strukture të Partisë Socialiste.

Lëvizja Socialiste për Integrim shpreh gatishmërinë dhe vendosmërinë e saj për zbatimin e ligjit dhe kërkon prej të gjithë ju distancim nga qëndrimi i papërgjegjshëm i Kryeministrit dhe vlerësimin e kësaj çështje me seriozitet dhe përgjegjshmëri.
Sigal