Fyle: Të plotësohen 12 prioritetet, pastaj vendimi për statusin!

432
Sigal

Komisioneri Europian për Zgjerimin i bën apel politikës shqiptare të reflektojë, para tetorit

 

Ngërçi i ri politik, mosmiratimi në parlament, më 6 gusht, i reformës të heqje/kufizimit të imunitetit ka shqetësuar Brukselin, edhe pse BE-ja kishte dhënë, kohë më parë,  mesazhin politik politikës shqiptare, se rruga e dhënies të statusit kandidat Shqipërisë, në tetor, kalon domosdoshmërisht nga realizimi i 12 prioriteteve. Rrjedhja e padëshiruar, e reformës së imunitetit, sikurse u stërzgjat reforma zgjedhore, sikurse akoma nuk është miratuar reforma parlamentare, si edhe reformat e tjera, që akoma nuk janë prekur,  reforma këto që patjetër kërkojnë konsensusin politik, rrezikojnë tashmë seriozisht, që deri në tetor, kur është dhënë   nga BE-ja, afati i realizimit të 12 prioriteteve, të mos plotësohen. Komisioneri Europian për Zgjerimin, Stefan Fyle është shprehur në një intervistë faqen on-line “Euractiv” se, statusi kandidat për Shqipërinë do të jepet pas plotësimit të 12 prioriteteve. Komisioneri Fyle, me siguri është në korrent të polemikave të përditshme të PDA-së dhe PS-së, të cilat akuzojnë-kundërakuzojnë njëra-tjetrën, pa u bërë merak aspak, për t’u përpjekur që të gjejnë rrugët që i bashkojnë. Komisioneri europian Fyle, gjatë një interviste, ka thënë se marrja e statusit kandidat do të shkurtojë kohën që kërkon procesi i integrimit. “Shqipëria ka marrë nga ne një listë me 12 prioritete kyçe, mbi të cilat duhej të punonte vitin e kaluar. Këtë pranverë ne kemi përcaktuar së bashku me qeverinë shqiptare, një listë të masave specifike, që janë të rëndësishme për tu marrë”, ka deklaruar Fyle. Siç shihet, komisioneri europian Fyle, shprehet qartazi, se përgjegjësia politike e çfarëdo vendimi negativ të BE-së për fatin e statusit  kandidat, rëndon mbi politikën shqiptare.  Edhe një herë, zoti Fyle bën apel dhe nuk lë asnjë grimë dyshimi, se cila rrugë do të ndiqet nga BE-ja në tetor, lidhur me fatin e statusit kandidat për Shqipërinë.  “Pasi ato të jenë dorëzuar, është shprehur Fyle, Komisioni do të jetë në gjendje të rekomandojë dhënien e statusit kandidat për vendin”. “Më pas, do të ishte e mjaftueshme të përcaktohen detyrat e mbetura dhe rruga drejt hapjes së bisedimeve për anëtarësimin do të bëhet më e shkurtër”, ka thënë Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle.