Fyle: Politikanët të mos mbajnë peng axhendën e BE

592
Sigal

Shqipërisë i refuzohet për herë të tretë statusi kandidat për në BE. PD-PS akuzojnë njëra-tjetrën

 Shqipëria nuk merr për herë të tretë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Ministrja e Jashtme e Qipros, Erato Markoullis (vendi, i cili mban presidencën e radhës së BE-së) në konferencën për mediat i bëri apel politikës shqiptare që të bëjë kujdes me zgjedhjet e vitit 2013, ndërkohë theksoi që BE pret raportin e Komisionit Evropian për progresin e bërë nga Shqipëria. “Këshilli mirëpriti progresin e bërë nga Shqipëria për të përmbushur prioritetet dhe vuri në pah rekomandimet për ti dhënë Shqipërisë statusin vendit kandidat dhe vlerëson zgjedhjet parlamentare si test krucial për funksionimin e institucioneve Këshilli e fton komisionin për të raportuar sa më parë”, deklaroi Ministrja e Jashtme e Qipros.  Këshilli i ministrave të Jashtëm të BE-së vlerëson se do të vendoset për dhënien e Statusit të vendit kandidat Shqipërisë sapo të jenë përmbushur tre reformat e përcaktuara në rekomandimit e Komisionit Europian, përfshirë dhe veprimet e mëtejshme nga ana e Shqipërisë për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar.

 Fyle: Pplitikanët shqiptarë të mos mbajnë peng axhendën e BE-së
Komisioneri për Zgjerim Stefan Fyle dha një mesazh të qartë nga Brukseli për Shqipërinë. Ai i bëri thirrje klasës politike shqiptare të dialogojnë e të zgjidhin problemet, pa mbajtur peng axhendën e BE-së. “Kemi një mesazh të qartë për Shqipërinë. Njohim punën e vështirë që është bërë deri më tani, dyert e BE janë të hapura për Shqipërinë, por do të duhet të përmbushë reformat që këshilli ta marrë në konsideratë dhe të raportojë sapo politikanët shqiptarë ta bëjnë të mundur këtë. I bëj thirrje politikanëve që të mos mbajnë peng axhendën e BE”, tha Fyle.

Rama: Nuk ka BE që të hap derën në çfarë kushtesh është Shqipëria
Kryetari  i Partisë Socialiste Edi Rama ka akuzuar qeverinë për mosmarrjen e statusit kandidat për Shqipërinë. Duke folur sot gjatë një konference për shtyp, kryesocialisti Rama theksoi se qeveria nuk ka përmbushur asnjë nga kriteret e kërkuara nga Bashkimi Europian. “Shqipëria e gjen veten sërish të refuzuar sepse nuk bën dot zgjedhje të lira dhe të ndershme, për shkak se vendi është mbytur në batakun e korrupsionit dhe s`ka luftuar krimin e organizuar se është zhytur në fund të batakut botëror të korrupsionit, krah për krah me Nigerinë dhe Etiopinë dhe për shkak të rolit të qeverisë për mos përmbushjen e 12 kritereve të kërkuara nga Bashkimi Europian”, tha Rama.

Sequi: Pas ligjeve, statusi kandidat
Në prag të mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian, ambasadori i BE-së në vendin tonë, Ettore Sequi konfirmoi se KE-ja nuk i ka rekomanduar këshillit dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë.  Përpara gazetarëve, ambasadori Sequi nënvizoi se Shqipëria do të mund të sigurojë statusin pasi të përmbushë 3 kushtet e kërkuara. “Në tetor, komisioneri Fule tha se, KE-ja rekomandon statusin kandidat për Shqipërinë, por gjithnjë me tu plotësuar disa kushte. Siç e mbani mend kjo ka pasur të bëjë me ligjin për Gjykatën e Lartë, rregulloren e parlamentit. Por përveç këtyre është kërkuar të tregohet një vullnet i qartë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Komisioneri Fule tha se, KE do të përgatisë edhe një raport tjetër për Shqipërinë sapo të ishin plotësuar këto kushte. Kjo do të thotë se kur të plotësohen këto kushte, në këtë moment Këshilli Evropian do të bëjë rekomandimin, në atë moment shtetet anëtare do të marrin një vendim.”- deklaroi ambasadori Sequi.
Sipas ambasadorit, sapo të miratohen ligjet, shtetet anëtare të BE-së do të informohen dhe në mbledhjen e radhës do të vendosin nëse Shqipëria do të jetë vend kandidat për në Bashkimin Europian.

Bregu: Nuk tolerojmë më bllokim!

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu theksoi se qeveria është e angazhuar në vijimin dhe përmbushjen e gjithë reformave, duke shtuar se do të vazhdojë gjithnjë t’i bëjë thirrje opozitës të votojë ligjet e të mos bllokojë integrimin. Sipas Bregut, sfida e qeverisë mbetet të mos lejojë bllokimin e reformave nga opozita. “Nuk mund të tolerohet nëse ka bllokim. Sfidë e qeverisë të mos lejojë asnjë bllokim. Të ftojmë dhe të riftojmë çdo ditë opozitën dhe liderin e opozitës të mos vazhdojnë bllokimin e integrimit”, theksoi ministrja Bregu.