Fyle në Tiranë, takim 50 minuta me kryeministrin Rama

461
Sigal

TIRANË– Komisoneri për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Stefan Fyle ka nisur takimet në kuadër të Dialogut të Nivelit të Lartë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Siç ishte parashikuar, në orën 08:30 Fyle, bashkë më ambasadorin e BE-së, Etore Sekui mbërritën në Kryeministri në takim me kryeministrin Rama. Takimi zgjati 50 min. Në vijim Fyle dhe Etore janë zhvendosur në ambientet e Ministrisë së Jashtme, ku janë pritur nga ministri Bushati.  Në zyrën e shtypit të Komisionit Europian bëhet me dije se: “Komisioni Evropian dhe komisioneri Fyle, personalisht mbeten shumë të angazhuar për të vazhduar punën me Shqipërinë në rrugën e saj për në BE, duke përfshirë edhe Dialogun e Nivelit të Lartë, i cili ishte nisur me sukses vitin e kaluar për të ndihmuar Shqipërinë në procesin e integrimit Europian”.

09.40: FYLE  E SEKUI PRITEN NGA MINISTRI BUSHATI
Eurokomisioneri Fyle bashkë me ambasadorin e BE-së, Sekui kanë mbërritur në ambientet e Ministrisë së Jashtme, ku janë pritur nga ministri Ditmir Bushati. Takimi filloi në orën 09:40 dhe pritet të zgjasë 30 minuta.

O9.20: PËRFUNDON TAKIMI ME KRYEMINISTRIN
Pas rreth 50 min ka përfunduar takimi mes Komisionerit Stefan Fyle, ambasadorit të BE-së, Etore Sekui me kryeministrin Rama në ambientet e Kryeministrisë.  Në vijim ata do të priten nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

08:30: FYLE DHE SEKUI MBËRRIJNË NË KRYEMINISTRI
Ashtu siç ishte e parashikuar, Komisoneri  për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Stefan Fyle dhe ambasadori i BE-së Etore Sekui kanë mbërritur në Kryeministri në orën 08:30. Ata janë pritur nga  kryeministri Edi Rama për të vijuar më pas takimin me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati në kuadër të të Dialogut të Nivelit të Lartë. Dialogu i Nivelit të Lartë pritet të nisë në orën 10:45 dhe do të zgjasë deri në orën 13:30 dhe më pas pritet një konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe komisionerit Stefan Fyle. Takimi mes tyre zgjati 50 minuta, ku çështjet që kanë folur do t’i bëjnë të ditura në një konferencë të përbashkët për mediat pas mesditës. Siç raportoi gazetari jonë tek Kryeministria, Komisoneri për Zgjerimin e Bashkimit pritet të shprehet edhe për qëndrimet kritike të opozitës, konkretisht të ish-kreut të PD-së, Sali Berisha, i cili e akuzon Fylen si mbështetës i serbëve dhe jo të shqiptarëve, deklaratë kjo e bërë para disa ditësh. Ndërkohë sot, Berisha dhe kreu i PD-së Lulzim Basha nuk ndodhen në vendin tonë. Ata, të shoqëruar edhe nga deputeti Gerti Bogdani janë larguar në Dublin të Irlandës ku do të marrin pjesë në samitin e Partive Popullore Europiane.

AXHENDA
Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle mbërrin sot në Tiranë, për të zhvilluar takime që lidhen me integrimin e Shqipërisë në BE. Në orën 8:30, komisionieri Fyle do të takohet fillimisht me kryeministrin Edi Rama në Kryeministri. Në orën 9:10, komisioneri për Zgjerimin do të jetë në ministrinë e Jashtme, ku do të zhvillojë takimin e radhës me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati. Ndërkaq, në orën 10:45 axhenda zhvendoset në hotel “Sheraton”, aty ku do të zhvillohet takimi i dytë i dialogut të nivelit të lartë Shqipëri-BE. I pari është diskutuar në fund të tetorit dhe kjo tryezë shërben për të diskutuar mbi prioritetet e vendit tonë që në muajin Qershor, BE të japë një përgjigje pozitive sa i takon statusit. Në këtë tryezë, ish-ministrja e Integrimit Majlinda Bergu tha se do të jetë prezente dhe opozita, që e konsideron këtë proces të rëndësishëm për shqiptarët. Tryeza pritet të përfundojë në orën 13:00. Më pas komisioneri për Zgjerimin Fyle dhe kryeministri Rama, do të mbajnë një konferencë për shtyp ku do të flasin më gjerësisht dhe për përfundimet e takimit të nivelit të lartë. “Komisioni Europian dhe Komisioneri personalisht mbeten shumë të angazhuar për të vazhduar punën me Shqipërinë në rrugën e saj për në BE, duke përfshirë edhe Dialogun e Nivelit të Lartë, i cili ishte nisur me sukses vitin e kaluar për të ndihmuar Shqipërinë në procesin e integrimit evropian”, deklaron zyra e shtypit të BE-së. Ndërkohë kryetari i PD Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha janë larguar në Dublin dhe nuk do të jenë ketu gjatë vizitës së komisionerit Fyle. Ata marrin pjesë në samitin e Partive Popullore Europiane.