Fyle në Tiranë, flet për zgjedhjet

518
Sigal

 Zgjedhjet e 23 Qershorit ishin kryefjala e takimeve që komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle pati gjatë vizitës njëditore në Tiranë, duke dhënë një mesazh shumë të qartë, se me zgjedhje problematike si në të shkuarën nuk hapet dera europiane. Ecuria që do të kenë zgjedhjet parlamentare kthehet kështu në një rëndësi të veçantë dhe parësore për BE-në, fakt i cili dëshmohet nga fokusi i bisedimeve që Fyle pati me politikanët shqiptarë. Fyle përpara takimeve postoi një mesazh në Twitter, ku parashtronte qartësisht qëllimin e ardhjes në Shqipëri. “Erdha për të diskutuar çështjen më thelbësore të shtetit modern shqiptar. Ç’duhet bërë për zgjedhjet që ato të mos kontestohen”, shkruante Fyle.

Ndryshe nga vizitat e mëparshme, Fyle nuk dha asnjë prononcim për median se çfarë ai bisedoi me presidentin Nishani, kryeministrin Berisha, kreun e opozitës Rama, trojkën e ambasadorëve dhe ambasadorët e BE-së të akredituar në vendin tonë. Por Komisioni Europian, nëpërmjet një deklarate shpërndarë pas këtyre takimeve, citon komisionarin të ketë deklaruar: “Është në dorën e politikanëve shqiptarë ta kthejnë në realitet dëshirën për të qenë pjesë e familjes europiane. I gjithë procesi që lidhet me integrimin europian drejt BE-së duhet të jetë i qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe i udhëhequr prej konsensusit në të mirë të qytetarëve shqiptarë”. Komisioneri gjatë bisedimeve në Tiranë, vijon deklarata theksoi se, suksesi në mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të 2013-s do të jetë një test vendimtar për mirëfunksionimin e institucioneve demokratike të vendit. “Ai i bëri thirrje politikanëve për t’i realizuar zgjedhjet e qershorit në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe kërkoi përmirësimin e kredibilitetit të institucioneve demokratike, me synim vënien përpara llogaridhënies të politikanëve ndaj popullit shqiptar”, përfundon deklarata. Fillimisht për më shumë se 1 orë zoti Fyle u takua me ambasadorët e vendeve të BE-së, prej të cilëve i vetmi që u prononcua pas takimit mbi se çfarë ishte biseduar ishte ambasadori Mbretërisë së Holandës, Martin Delabey. “Diskutuam për zgjedhjet e ardhshme dhe për statusin e vendit kandidat, përfshirë ato çështje që kërkojnë një zgjidhje përfundimtare. Pavarësisht zgjedhjeve, axhenda e integrimit është një element i rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë”, deklaroi Delabey. Ndërkohë, zyra e shtypit e Këshillit të Ministrave, nëpërmjet një komunikate për shtyp pas takimit me kryeministrin Sali Berisha, thotë se është diskutuar për çështje të bashkëpunimit në kuadër të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe hapat e nevojshëm për avancimin e reformave të axhendës europiane. “Kryeministri e siguroi zotin Fyle për angazhimin e plotë të maxhorancës për çuarjen përpara të procesit të integrimit dhe garantimin e një procesi zgjedhor sipas të gjitha standardeve të OSBE-së dhe Këshillit të Evropës”, thuhet në njoftim. I shoqëruar nga Vasilis Maragos, drejtor i njësisë për Shqipërinë në Komisionin Europian dhe ambasadorin Sequi, komisioneri Fyle ngjiti shkallët e selisë rozë për t’u takuar me kreun e opozitës Rama. Nëpërmjet një njoftimi departamenti i komunikimit në PS deklaron se, kryetari Edi Rama dhe komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule folën për fatin europian të Shqipërisë para dhe pas zgjedhjeve. “Komsioneri adresoi disa çështje kyçe për funksionimin e shteti dhe për çfarë duhet bërë konkretisht që zgjedhjet të mos preken si në të shkuarën. Ndërsa Edi Rama paraqiti propozime konkrete për të garantuar lirinë e ndershmërinë e zgjedhjeve dhe për të siguruar që pas 23 Qershorit, Shqipëria të jetë e çliruar nga pengesat e mëparshme”, thuhet në këtë deklaratë. Stefan Fyle pati një drekë pune me presidentin e Republikës, Bujar Nishani. Siç njofton zyra e shtypit e Presidencës, gjatë takimit zoti Nishani rinënvizoi rëndësinë e madhe që ka për Shqipërinë procesi i integrimit evropian. Ndërsa në lidhje me zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kreu i Shtetit shprehu bindjen e tij se, ekzistojnë të gjitha kushtet dhe mundësitë për të patur zgjedhje të lira, të ndershme dhe brenda standardeve ndërkombëtare. Pak përpara largimit nga vendi ynë, Fyle me pak fjalë nëpërmjet një mesazhi në Twitter tha se: “Vizita në Shqipëri ishte një axhendë pozitive e hapur dhe mbështetëse. Jam duke u munduar t’i përkthej deklaratat e politikanëve shqiptarë në vepra konkrete”.