Fyle: Dialogu politik qeveri-opozitë i domosdoshëm!

485
Sigal

Takimi/ Eurokomisioneri për Zgjerim: Shqipëria të veprojë sipas rekomandimeve të KE-së!

Gjatë dialogut politik të mbajtur dje në Tiranë eurokomisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle ka përsëritur, se dialogu politik është rruga e vetme që shqiptarët të fitojnë integrimin. Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, Fyle bëri të qartë se dhe në këtë vizitë të radhës, përcjell 3 kërkesa që BE i drejton Shqipërisë, kryesisht klasës politike. Fyle theksoi se vizita e Papës duhet të shërbejë si indikator për klasën politike shqiptare. Kryeministri Rama nga ana e tij është shprehur se është i hapur të dëgjojë çdo kërkesë që ata kanë.Gjatë fjalës së tijFyle i’u drejtua Kryeministrit Rama, duke i thënë: “I nderuar z. Kryeministër dëshiroj të konfirmoj fjalët e tua të fundit që sapo thatë dhe qëndrimin tuaj të qartë për këtë incident jo të këndshëm (incidenti i dhunës në parlament). Në secilën prej vizitave kam theksuar 3 gjëra, angazhimin tonë për të ardhmen e Shqipërisë, reformat që duhet të realizohen të jenë gjithëpërfshirëse me qëllim për t’i bërë këto reforma të pakthyeshme dhe dialogun konstruktiv brenda institucioneve kushtetuese. I përsëris këto jo se nuk kam gjë të re për të thënë, por këto 3 elementë janë kryesore për rrugëtimin tuaj drejt BE-së. Ritmi i reformave do të vazhdojë dhe kjo do të çojë drejt një hapi tjetër, hapjen e negociatave. Dhënia e statusit për Shqipërinë në muajin Qershor është inkurajim për reformat që lipsen të ecin para. Sot duhet të zbatoni prioritetet kyçe për çeljen e negociatave. Janë ngritur grupet e përbashkëta të punës dhe këto do ndihmojnë Shqipërinë për ecurinë me prioritetet. Natyrisht që unë kam shkruar në Tvvitter për institucionet më të rëndësishme demokratike dhe natyrisht për parlamentin shqiptar dhe kam thënë që forcat politike të punojnë në Parlament me qëllim që të japin rezultat për këtë gjithpërfshirje, që e ndajmë me z. Kryeministër. Kam dëgjuar jo për herë të parë, por as të fundit shqetësimet e opozitës. E kam thënë të qartë, siç e kam thënë dhe para pak kohësh, por të dalësh nga parlamenti dhe të sillet beteja në rrugë, kjo nuk është mënyrë evropiane. Gjatë diskutimit të sotëm kemi parë arritje dhe u kam bërë thirrje si qeverisë dhe opozitës që ta përdorin këtë dritare që është hapur sot që, opozita të kthehet në Parlament dhe qeveria të marrë masat që opozita të bëjë punën e vet të rëndësishme, që të sigurohet që fitimtari nuk është kjo parti politike, por që fitimtar në fund të fundit është vetë Shqipëria. Kryeministri Edi Rama ka folur për bojkotin e opozitës dhe është shprehur se është i hapur të dëgjojë çdo kërkesë që ata kanë, madje ka deklaruar se që nga dita e enjte opozita mund të bëj çdo kërkesë në Kuvend për ngritjen e komisioneve hetimore.“Dua të theksoj se ky seksion ia vlejti në radhë të parë për tu takuar me opozitën, për të shprehur me forcë vullnetin tonë për reformat. Ne jemi të vendosur të bëjmë reformat e nevojshme të munguara dhe gjithëpërfshirëse. Në kushtet kur vendi ynë do reforma reale, ne na takon si shumicë të mos lejojmë përsëritjen e historisë të marxhinalizimit të opozitës nga qeveria. E ndjejmë obligim ndaj vetes dhe zgjedhësve. Opozita bojkoton Kuvendin pasi pretendon se u dhuna, pasi dy deputetë të shumicës u përplasën fizikisht me një deputet të opozitës. Ne e dënuam aktin e deputetëve tanë, u ndëshkua nga kryesia, ata janë në akuzë penale dhe do dalin në gjyq. Ne jemi distancuar dhe distancohemi hapur ndaj çdo veprimi që bie ndesh me bashkëjetesën në Kuvend dhe jetën parlamentare. Në dokumentin e rishikuar të rregullave të funksionit të grupit tonë parlamentar do ketë sanksione për çdo sjellje të kësaj natyre, deri në përjashtim nga grupi parlamentar i PS-së. Ne jemi të hapur për çdo kërkesë. Që të enjten votojmë çdo kërkesë të PD për komisione hetimore. Lidhur me të shkuarën, e deputetëve në legjislaturë i referohemi dëshmisë së penalitetit. Nëse ka ndonjë vizion strategjik, jemi gati të ulemi të shohim versionin e tyre, mjaft të mos shkelen të drejtat e tyre”, -tha Rama. Për sa i përket reformës në Drejtësi, Rama tha se,“se jemi absolutisht të gatshëm të hapur mikpritës për opozitën për t’ u bërë pjesë e reformës në drejtësi dhe çdo reforme.” Komisionerin Europian për Politikën e Zgjerimit Stefan Fyle, është takuar dhe me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta. Kryeparlamentari theksoi se, pas miratimit të statusit të vendit kandidat, Shqipëria ndjen edhe më tepër përgjegjësi mbi supe dhe në këtë drejtim janë intensifikuar përpjekjet për avancimin të reformave kyçe, veçanërisht asaj në drejtësi.

Konflikt verbal në takimin Shqipëri-BE, Ristani-Fyles: Rama, kryeministër rrugaç

Arben Ristani, i është drejtuar komisionerit Fyle, duke i thënë se, “një kryeministër rrugaç që shan me fjalor të ndyrë është shkaku pse opozita dhe shumica nuk kanë komunikim normal”. Deputeti Ristani ka sqaruar për mediat edhe versionin e tij të ngjarjes, duke thënë se, “në momentin që unë mora fjalën, Kryeministri Rama shante pas krahëve me fjalë të ndyra. Unë ja bëra prezent komisionerit Fyle faktin, duke ju drejtuar me fjalët: ja ky është shkaku që ne nuk kemi komunikim normal, pasi ky kryeministër rrugaç shan me fjalor të ndyrë”

 

Konkluzionet e raportit: Shqipëria të veprojë sipas rekomandimeve të KE!

Sipas këtij raporti statusi kandidat sjell përgjegjësi të mëdha për Shqipërinë dhe vendi ynë duhet të avancojë drejt rrugës për në BE. Në raport theksohet se Shqipëria duhet të veprojë sipas rekomandimeve të KE ndërsa cilësohet i rëndësishëm dialogu politik qeveri-opozitë në Kuvend, në mënyrë që të realizohen reformat. Një ndër pikat e këtij raporti ishte konfirmimi i palës shqiptare për angazhimin e saj për një dialog konstruktiv dhe të qëndrueshëm politik midis qeverisë dhe opozitës, e cila është jetike për qëndrueshmërinë e procesit të reformave.