Fyle dhe Sequi : Jemi të shqetësuar për ecurinë e procesit

76

Fyle: Europa është ajo çka duan shqiptarët

Komisioneri për Zgjerim në Bashkimin Europian, Stefan Fyle me rastin e 9 majit, Ditës së Europës, u ka kushtuar shqiptarëve një mesazh urimi. Duke iu referuar vizitës së fundit në vendin tonë pak javë më parë, ku mori pjesë në konferencën “Thjesht Bashkimi Europian”, komisioneri Fyle është shprehur i prekur nga mikpritja e ngrohtë që i është bërë nga qytetarët shqiptarë dhe nga diskutimet e gjalla që pati mbi të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Sot, në Ditën e Europës, kur festojmë synimet themeluese dhe parimet e Europës, po ju drejtohem sërish për t’ju siguruar se besoj fort në vendin e Shqipërisë në Evropë”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e Fyles. Ai vazhdon më tej duke thënë se: “Me zhvillimin e tij, Bashkimi Europian u ka mundësuar njerëzve të tij të shijojnë një periudhë të paprecedent paqeje dhe prosperiteti. Me gjithë vështirësitë e kohëve të fundit, Evropa vazhdon të jetë një burim frymëzimi me vlerat dhe standardet e saj të jetesës, dhe në rastin e zgjerimit, edhe me pushtetin transformues që sjellin reformat dhe ndryshimet që nevojiten për arritjen e standardeve evropiane në të gjitha fushat e jetës”. Nëpërmjet mesazhit, ai ka vlerësuar se, integrimi europian do të sjellë përmirësime të mëdha jo vetëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në luftën kundër korrupsionit dhe në menaxhimin e shëndetshëm financiar, por gjithashtu edhe në mbrojtjen sociale dhe perspektivat e punësimit, në sigurinë e ushqimit dhe mjedisit, duke përmirësuar kështu në mënyrë radikale cilësinë e jetës së njerëzve. “Pasi dëgjova mendimet e shqiptarëve jam më i bindur se kurrë se Evropa është ajo ç’ka duan shqiptarët, dhe se është entuziazmi dhe motivimi i popullit shqiptar që do ta shtyjë përpara Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit evropian”, thekson ai. Në përfundim, Fyle ka siguruar se BE-ja është e angazhuar të ndihmojë shqiptarët për arritjen e aspiratave të tyre evropiane.

Sequi: Në lista prisnim më shumë gra dhe vajza!

Në fakt krerët e partive politike kanë lënë disi pas dore përfaqësimin e femrave në listat e kandidatëve. Ose në disa raste ata kanë bërë një manovër për t’i hedhur hi syve opinionit publik, ose atij ndërkombëtar, duke vënë emrat e grave, jashtë zonës së sigurisë. Pra, duke i vendosur këto emra në mënyrë formalë. Por dy ditë pas publikimit të listave zyrtare të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 23 Qershorit, Ambasadori i BE-së në vendin tonë, Ettore Sequi, kritikoi partitë politike për përfshirjen e ulët të grave në këto lista. Nga Shkodra, ku mori pjesë në një aktivitet të organizuar në kuadër të Ditës së Europës, ambasadori Sequi tha se në lista nuk pasqyrohet kërkesa e BE-së që 30% e kandidatëve të ishin femra. “Nuk ishte ajo që prisnim për përfaqësimin e grave. Njoh deputete, të cilat kanë bërë një punë shumë të mirë. Kemi kërkuar që përfaqësimi i grave të ishte më i madh. Kam kërkuar që 30% e kandidatëve në lista të jenë gra”,- u shpreh ambasadori Sequi. “Të mundohemi dhe të sillemi çdo ditë si evropianë”,- përfundoi ai.