“Future Balkans”/Zëvendës Kryeministrja Mesi: “Integrimi progresiv rajonal, i shërben prosperitetit të qytetarëve tanë”

414
Zhvillohet në Tiranë konferenca rajonale ekonomike “Ballkani i së Ardhmes: Drejt një Përfshirjeje Globale”, qëllimi i së cilës është të mundësojë një platformë diskutimi e propozimesh konkrete për përfshirjen e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në agjendën globale të zhvillimit.
Në këtë konferencë ishte e pranishme Zëvendës Kryeministrja e Republikës së Shqipërisë Senida Mesi së bashku me përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar, zyrtarë nga vendet e rajonit, Bashkimi Evropian, krerët e Bursave dhe Dhomave të Tregtisë e Industrisë të vendeve të Evropës Jug-Lindore etj.
Gjatë fjalës së saj në panelin për “Lidershipin, Institucionet dhe Konvergjencat e Politikave”, Znj. Mesi shprehu angazhimin e Shqipërisë në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe integrimit të Ballkanit, duke qenë gjithashtu kontributore në forcimin e qendrueshmërisë politike dhe ekonomike të rajonit. Sipas saj, Shqipëria do të vazhdojë të nxisë frymën e dialogut për një bashkëpunim mes vendeve të Ballkanit Perëndimor në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
Ndër të tjera, Zëvendës Kryeministrja Mesi tha me bindje gjithashtu se integrimi progresiv rajonal do të shërbejë për prosperitetin e qytetarëve tanë, si dhe do të ndihmojë në konvergjencën me tregun evropian, duke e bërë Ballkanin Perëndimor një treg më tërheqës e me potencial zhvillimor.
Sigal