“Fushata zgjedhore e 2013-s të bëhet konstruktive”

454
Sigal

Ambasadori i SHBA-ve pranë OSBE-së, Ian Kelly reagon për raportin!

Ambasadori i SHBA-së pranë OSBE-së, Ian Kelly ka reaguar ndaj raportit që kreu i OSBE-së, Eugen Wollafarth prezantoi pardje në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së. Në një komunikatë për shtyp, ambasadori amerikan thekson se Shqipëria ka parë shumë suksese në vitet e fundit dhe raportimi për këtë vit nuk përbënte përjashtim, ndërkohë që vihet në dukje se lufta politike e vitit të kaluar zbehu këtë përparim. SHBA i bën apel partive politike në vend që gjatë fushatës zgjedhore të 2013, të përqendrohen në interesat e vendit dhe të bëjnë fushata konstruktive. “Jemi të shqetësuar se mos njëanshmëria që mbizotëroi gjatë gjithë procesit të zgjedhjes së presidentit mund të vazhdojë, apo edhe të shtohet, teksa Shqipëria përgatitet për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Ndërkohë që çdo fushatë zgjedhore pa dyshim kryhet energjikisht dhe me luftë të fortë, të gjitha partitë politike duhet të përpiqen të bëjnë fushata konstruktive dhe të bazuara në çështje që Shqipëria duhet të vazhdojë t’i zgjidhë, çështje kritike për vazhdimin e rrugës së integrimit euroatlantik të vendit. Lufta politike që u bë vitin e kaluar për fat të keq zbehu pikëpamjen e botës për Shqipërisë dhe shërbeu të lihej në hije përparimi i madh që ka bërë vendi në 20 vitet e kaluara. Drejtuesit politikë të Shqipërisë duhet të kenë në mendje interesat më të mira të vendit gjatë fushatës zgjedhore që po troket, në mënyrë që të sigurojnë që përparimi i reformave të mos lihet mënjanë për 12 muajt e ardhshëm”,-thuhet në reagimin e ambasadorit amerikan. SHBA paralajmërojnë se nëse politikat e reja nuk zbatohen me mirëbesim, miratimi i reformave nuk do të jetë domethënës.

“Kryetari i KQZ-së të zgjidhet me konsultime”

Ndërkohë, kërkon që kreu i ri i KQZ të realizohet në proces konsultimi, për të mos u përsëritur i njëjti skenar në zgjedhjet e 2013. “Afirmimi i mekanizmave të demokracisë kërkon akoma shumë punë përtej zgjedhjes së një presidenti të ri. Për këtë qëllim, shprehim përgëzimet tona për miratimin e reformave të kodit zgjedhor, dhe në veçanti për ekspertët dhe bashkëdrejtuesit nga dy partitë kryesore të cilët punuan fort në këto përpjekje. Megjithatë, paralajmërojmë se miratimi nuk do të jetë shumë domethënës nëse politikat e reja nuk zbatohen me mirëbesim. Do të jetë veçanërisht e rëndësishme të sigurohet që zgjedhja e një kryetari të ri për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të bëhet me proces konsultimi, sa më të paanshëm e transparent që të jetë e mundur”,-thekson ambasadori amerikan. Në përfundim të reagimit të tij, ambasadori Kelly përshëndet zgjedhjen e Avokatit të Pupullit si dhe përgëzon praninë e OSBE-së në Shqipëri. “Populli shqiptar ka meritë të madhe për përparimin që ka parë vendi në vitet e kaluara. Tani është koha që ata të dyfishojnë përpjekjet dhe të realizojnë në maksimum potencialin e vendit të tyre”,- përfundon reagimi i SHBA-ve.