Fushata pë kryetarin e demorakratëve

527
Sigal

 Lulzim Basha: Dëgjimi i zërit të çdo anëtari, në themel të fillimit të ri të PD-së

Kandidati për kryetar të PD-së, Lulzim Basha ka prezantuar platformën e tij, për drejtimin e PD-së në njësitë numër 8 dhe 9 të Tiranës. Në platformën e Bashës, një rëndësi e veçantë i kushtohet dëgjimit të zërit të çdo anëtari dhe militanti të PD-së. Vetëm në këtë mënyrë dhe duke vlerësuar kontributin e gjithsecilit, PD do të arrijë të mësojë nga gabimet e së kaluarës dhe të rikthehet në pushtet në një kohë të shpejtë. “2011 është një tjetër provë, që një bashkim zemrash e mendjesh dhe një vullnet fitues bëri të mundur largimin e kryesocialistit nga pushteti, çuarjen e tij në opozitë. Jam i bindur, kam besim të plotë se prapë të bashkuar dhe bazuar në vullnetin e zemrave dhe mendjeve të çdo demokrati e demokrateje, pa përjashtim, unë do ju udhëheq përsëri drejt largimit të kryesocialistit nga pushteti që ka marrë dhe kthimin e tij në opozitë. Pasi të jemi siguruar se zëri i çdo anëtari dëgjohet, është detyra jonë të ndërtojmë instrumentet tona, për të thithur të gjithë atë energji pozitive si dhe për të pritur të gjithë atë pakënaqësi që pritet të shkaktojë qeverisja e pritshme prepotente, arrogante, korruptive dhe abuzive e Edi Ramës dhe koalicionit të tij të votës së deformuar”,– deklaroi Basha, i cili  ka bërë të ditur se, një nga iniciativat e para të PD-së nën drejtimin e tij, do të jetë hapja e zyrave të posaçme në të gjithë territorin e vendit, për të evidentuar dhe mbrojtur çdo punonjës të administratës, i cili do të përballet me largimin abuziv të paralajmëruar nga puna, nga maxhoranca e re e votës së deformuar, siç e konsideroi zoti Basha. “Aksioni ynë politik duhet të nisë menjëherë. Ne do të luftojmë me të gjithë mjetet për të mbrojtur shërbimin civil nga revanshi që pritet të fillojë, përmes ngritjes së zyrave të posaçme në të gjithë territorin e vendit, për të evidentuar çdo rast abuzivizmi të tillë, ngritjen e grupeve të posaçme juridike, në mënyrë që në përputhje me ligjet e vendit, kushdo që guxon të ngrejë hapa të tillë, të përballet në mënyrë të menjëhershme, nëpërmjet sistemit juridik shqiptar, me faturën ligjore, financiare dhe politike të një abuzivizmi të tillë”,- tha ai.

Aktiviteti i sotëm i Lulzim Bashës

Kandidati për kryetarin e PD-së, Lulzim Basha ka zbardhur axhendën e ditës së sotme, në kuadër të fushatës elektorale. Kështu, zoti Basha i ka ftuar militantët dhe simpatizantët e PD-së, në rrjetin e tij social, që të takohen në Peshkopi, Bulqizë dhe Burrel.Të dashur anëtarë të PD-së të Qarkut të Dibrës, të dashur miq. Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë t’ju ftoj, më datë 9 korrik 2013, në orën 10:00 në Pallatin e Kulturës në Peshkopi, në orën 12:30 në Qendrën Kulturore në Bulqizë dhe në orën 17:00 në Pallatin e Kulturës në Burrel, për një bashkëbisedim të hapur e miqësor, gjatë të cilit do të kem privilegjin të diskutoj e të ndaj me ju, me të gjithë anëtarësinë e PD-së të qarkut të Dibrës, platformën time për detyrën e larte të Kryetarit të PD-së dhe për fitoren tonë të përbashkët. Me respekt, Lulzim BASHA.

Sokol Olldashi: “ PD-ja duhet të ketë një skedar të kontributeve të anëtarëve

Në takimin me bazën e demokratëve në Korçë,  Olldashi përsëriti tezat që, sipas tij, do e sillnin Partinë Demokratike në pushtet në betejën më të afërt elektorale. Këtë siguri Olldashi, e ka duke u bazuar në dy argumente kryesore:

Sipas tij, maxhoranca që do vijë në shtator në pushtet është një maxhorancë e kalbur që përbëhet nga Partia Socialiste e cila edhe pse 8 vjet në opozitë nuk arriti dot të rriste numrin e votuesve pro saj, por ngeli në të njëjtat numra që ka pasur para 8 vjetësh. Përbëhet gjithashtu ngaLSI-ja, të cilën Olldashi e quajti Parti Bandë, e cila i bleu mandatet, në mënyrë të paligjshme. Kështu duke pasur përballë një maxhorancë të tillë, e cila interesin ndaj popullit shqiptar nuk mund ta ketë, sepse asaj i duhet të vjedhë sa më shumë për të kompensuar lekët me të cilat janë blerë votat.  Prandaj opozita e Partisë Demokratike do jetë avokati më i mirë i popullit shqiptar. Olldashi nuk harroi ritualin, që të përsëriste se Berisha dhe Partia Demokratike, kanë arritur maksimumin e mundshëm qoftë si opozitë në vitet 1997 – 2005, qoftë  edhe si maxhorancë, sidomos në 8 vitet e fundit. Por sipas Olldashit edhe pse Berisha ishte shumë i mirë, nëse do zgjidhej si kryetar Olldashi do ishte akoma më i mirë. Kështu demokratët e shqiptarët do kishin mundësinë të kishin një Opozitë më të mirën në këto 23 vjet dhe së shpejti një qeverisje më të mirën në këto 23 vjet, nën drejtimin e tij, si kryetar i Partisë.

Olldashi tregoi pikat se ku do ishte mirë të përmirësohej struktura e Partisë Demokratike për ta bërë atë më produktive dhe të zbatohej sistemi i meritokracisë. Duke mos u kursyer me disa komplimente për kandidatin tjetër Basha, Olldashi i sugjeroi Bashës që edhe ai të zbatonte dhe të punonte për këto ndryshime në strukturë, pavarësisht se kush prej tyre dyve do dilte kryetar.

Në Kukës

Kandidati për postin e Kryetarit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi u takua me strukturat e Partisë Demokratike në Kukës. Gjatë bashkëbisedimit me demokratët e Kukësit, Olldashi theksoi se, Partia Demokratike do të ndërtojë një aksion opozitar shumë të fortë në Parlament për një rikthim të shpejtë të saj në pushtet.

Takim me anëtarët e PD- grupseksioni nr.1 Tiranë

Kandidati për postin e Kryetarit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi deklaroi se, Partia Demokratike duhet të fokusohet tek një paketë ristrukturimi që mundëson  inventarizimin e kontributeve të anëtarëve të saj. Olldashi tha në një bashkëbisedim me strukturat  grupseksionit nr.1 në Tiranë, se është shumë i rëndësishëm raporti që do të ndërtohet me anëtarët e partisë, të cilët i cilësoi si gurët e themelit të Partisë Demokratike.

Në Tropojë dhe Has: Ta bëjmë botën akademike, pjesë të forumeve të PD-së

Kandidati për postin e kreut të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, gjatë takimeve që zhvilloi me strukturat e kësaj partie në Tropojë dhe Has, ku prezantoi platformën e tij zgjedhore, deklaroi se Partia Demokratike duhet të ndërtojë një ekuilibër mes mekanizimit të përgjegjësive dhe mekanizmit të karrierës politike brenda strukturave të saj.