Fushata e Ramës në Facebook, institucionet e korruptuara dhe reagimet e qytetarëve

495
Ka marrë përsipër të bëjë rolin e udhëheqësit dhe të opozitës njëkohësisht. Pas daljes së rezultatit të zgjedhjeve, shefi i qeverisë “luan” me dhembjen e qytetarëve
Pasi mori shuplakën e radhës nga Departamenti Amerikan i Shtetit, kryeministri Edi Rama, ka nisur fushatën elektorale në facebook. Në një muaj fushatë elektorale përfundoi fazën e parë, atë të kërkesës pa kushte të timonit. Me këtë kryefjalë nisi dhe përfundoi të gjithë fushatën. Qytetarëve nuk iu afrua asnjë alternativë tjetër. Asnjë analizë për katër vitet e qeverisjes, asnjë ndjesë për punën e dobët dhe korrupsionin në administratën shtetërore, asnjë falje për arsimin e dobët, shëndetësinë çalamane, drejtësinë e verbuar nga babëzia për të fituar sa më shumë në kurriz të së vërtetës, legalizimet, bujqësinë. Pra asgjë nga premtimet që u bënë në 2013 nuk u analizua në fund të mandatit. E vetmja gjë ishte dëshira e madhe për të drejtuar i vetëm timonin. Pas 25 qershorit kur mësoi se ishte fitues i vetëm zgjedhjeve, kryeministri Edi Rama u gjend përballë një realiteti tjetër. Pati një reagim të menjëhershëm të ndërkombëtarëve dhe dolën disa raporte, ku e cilësonin vendin si një nga më të korruptuarit. Departamenti Amerikan i Shtetit i kujtoi Ramës se për shkak të shkallës së lartë të korrupsionit, shumë firma amerikane u larguan nga vendi. Menjëherë pas kësaj, Rama bëri një sondazh në faqen e tij sociale facebook. Pyeti shqiptarët se nga cili institucion do të donin të niste ndryshimi dhe kë e shinin si më problematikun. Në përfundim të këtij sondazhi renditi dhjetë çështje kryesore, të cilat edhe vet i dinte shumë mirë se çfarë ofronin për qytetarët dhe në cilin nivel ndodheshin. Drejtësia ndodhej në vendin e parë dhe ajo duhej të niste nga rehabilitimi. Por institucionet e tjera me radhë kërkoheshin nga qytetarët të përmirësoheshin, pasi korrupsioni ishte në shkallë tepër të lartë. Pasi përfundoi këtë fazë dhe mori përgjigjen e qytetarëve ( kuptohet atyre që patën mundësi të shkruanin në facebook), Rama nisi një tjetër fushatë. 

Fushata për të denoncuar institucionet e korruptuara 
Iu deshën vetëm dy ditë të përfundonte sondazhin e parë lidhur me çështjet që ishin prioritet për t’u përmirësuar. Më pas kryeministri, hodhi një tjetër tezë në llogarinë tij. Kërkon nga qytetarët të denoncojnë rastet konkrete të korrupsionit në radhët e administratës shtetërore. Komentuesit janë të ndarë në dy grupe. Ka nga ata që shkruajnë me të vërtetë për shqetësimet që kanë hasur në institucionet shtetërore. Ka të tjerë që mendojnë se qeveria i di shumë mirë problemet dhe nuk është e nevojshme të pyesin,por përmes institucioneve ligjzbatuese të marrin masa konkrete për të zhdukur korrupsionin në radhët e administratës shtetërore. Në përgjithësi qytetarët nuk flasin me emra konkret, por janë të gatshëm të denoncojnë raste nga më të ndryshmet, duke e vënë kryeministrin përpara një pafundësie problemesh. Rama u kërkon qytetarëve që përmes facebookut të denoncojnë rastet negative me të cilat janë përballur në sportelet e institucioneve ku ka kërkuar shërbim. Ai kërkon nga ndjekësit e rrjetit social emra konkret të punonjësve të institucioneve. Ka shumë prej tyre që japin edhe emra të nëpunësve të ndryshëm. Ka nga ata që përmendin edhe emra drejtorësh konkret, në shëndetësi, Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Por nuk mungojnë edhe rastet e padrejtësive të përjetuara në gjykatat e vendit. Emërimi i mësuesve përmes të ashtuquajturve portale është një tjetër fenomen i denoncuar nga shumë qytetarë. “Nuk është detyra e qytetarët të raportojë për gabimet që bëhen nëpër zyrat e shtetit, por është detyrë e shtetit të vëzhgojë dhe të gjykojë punonjësit që nuk janë korrekt”, shkruan një qytetar, i cili nuk ka marrë asnjë përgjigje nga kryeministri në këtë rast. Por ka shumë raste të tjera, kur qytetarët denoncojnë me raste konkrete dhe kryeministri nuk u beson. Ironizon një pjesë të madhe të tyre duke u thënë “e keni nga përvoja apo ja fusni kot”. “Për të bashkëqeverisur me sukses në katër vitet e ardhshme është shumë e rëndësishme që çdo njeri i zakonshëm, të ngrejë zërin kur del i pakënaqur apo, ende më keq, i fyer nga një zyrë shteti. Platforma e Bashkëqeverisjes SHQIPËRIA QË DUAM, e cila do t’iu jepet për gjykim në formë paraprake në fillim të javës, do të sigurojë lidhjen tuaj direkt me kabinetin qeveritar, edhe për rastet e eksperiencave negative në zyrat e shtetit. Komentet tuaja në këtë postim, na ndihmojnë shumë për të nxjerrë një raport të veçantë për grupin që po punon për reformimin rrënjësor të rrjetit të zyrave të shtetit”, shkruan Rama në faqen e tij në facebook. 
Reagimet e qytetarëve të ndryshëm
Klajdi Serjani: Zoti Rama ju bëni sikur s’dini asgjë çfarë ndodh. Sa bukur e luan propagandën në fb. Pyetje e përgjigje nga bishti. Ndërkohë një qytetarë nga Vlora Një qytetarë nga Vlora i ankohet për procedurën e punës që kryhet në hipotekën e këtij qyteti. Ai thotë se për të kryer pagesën me qëllim marrjen e një shërbimi në hipotekë duhet të udhëtojë më shumë se 1 km, Gjithë dita i ikën në udhëtim dhe në fund nuk mbaron dot punën. Këtij qytetari kryeministri i ka kthyer përgjigje të menjëhershme. I ka kujtuar se gjatë kohës që ka qenë në Francë për të marrë një shërbim njerëzit udhëtonin më gjatë. Në këtë rast shefi i qeverisë e di shumë mirë problematikën, por i sugjeron qytetarit të mos mërzitet se ka edhe më keq se në Shqipëri. Blerti Musta i përgjigjet. “Pavarësisht se ky problem më ka rënë edhe mua, ju si kryeministër duhet ta dini që ky është fenomen në këtë vend. Është gangrenë që po tret çdo ditë e më shumë mijëra njerëz. Po siç duket po replikoj me rojën e etikes së kësaj faqeje”. Të shumta kanë qenë qytetarët që i kanë kujtuar Ramës se nuk mund të bëjë krahasime me Francën e para 20 viteve kur ai dhe ka qëndruar atje. 

Një tjetër qytetare që shpreh hapur shqetësimin e familjes së saj është Enkela Mato Kalapo. “Se di sa apo kë do ndihmoje, por mami im ka 1 vit e disa muaj që ka dalë në KEMP pasi është operuar nga një tumor në stomak. Përllogaritjet e KEMP-it ja bënë gabim që në fillim duke i lënë disa vite pa i përllogaritur,dhe ka një vit që shkon dhe pyet tek zyra përgjegjëse dhe i thonë hajde pas kaq javësh apo pas kaq muajsh. Ajo është e sëmurë megjithatë ka shumë vullnet dhe durim dhe s’lë derë pa trokitur për të drejtën e vet, por mua më dhimbset që në mes të Tiranës ta sorollatin kaq”. Edi Rama i përgjigjet se ky sektor është një tmerr i vërtetë. Pra ai e di shumë mirë se çfarë bëhet, por në të vërtetë, e bënë këtë fushatë në rrjetet sociale, për të mos u përballur drejtpërdrejtë me qytetarët e shumtë që nuk kanë facebook. Kryeministri ka marrë ankesa për institucionet e rëndësishme si drejtësia, mjekësia, arsimi, legalizimet. Por në faqen e tij nuk kanë shprehur mendimin e tyre fermerët, të cilët janë edhe më të shumtë në numër. Ata të cilëve iu dolën përballë i kërkuan votën, por nuk arritën t’u thonë asgjë për mospërmbushjen e premtimeve të dhëna në vitin 2013. 
Rama edhe në rolin e opozitarit 
Prej 25 qershorit, Edi Rama është duke luajtur dy role. Nga njëra anë flet për drejtimin e timonit, të cilin arriti t’ia marrë qytetarëve dhe nga ana tjetër është i detyruar të luaj edhe rolin e opozitës së munguar. Kjo për faktin se Partia demokratike e cila duhet të ishte përballë shefit të qeverisë dhe të denonconte padrejtësisë që u bëhen qytetarëve, të denonconte premtimet e pambajtura dhe rastet e shumta të korrupsionit në institucionet shtetërore, tashmë ndodhet vet në një proces reformimi. Opozita kryetarit të ngrirë të Partisë Demokratike, Lulzim Basha është duke u përballur me problemet e zgjedhjeve dhe kundërshtive brenda radhëve të saj, duke lënë mënjanë problemin kryesor për të cilën është votuar nga qytetarët. Deri në ato momente, është kryeministri Edi Rama ai që po bënë dy detyra njëherësh. Pra përveç timonit, Rama është duke bërë edhe rolin e opozitës. Ai po flet me qytetarët për problemet e shumta që kanë, në një kohë që ai në katër vite ka qenë në krye të shtetit dhe është përballur me çdo problematikë. 
Sigal