Fushata Basha-Selami, asnjë deklaratë publike nga lideri historik i PD-së

481
Prej më se një jave dy kandidatët për garën e kryetarit brenda PD-së, ndodhen në terren. Kundërshtarët e tyre gjithashtu. I vetmi që nuk është përfshirë është Berisha
Ajo çfarë po ndodh brenda radhëve të partisë Demokratike, tashmë është e qartë për pjesën më të madhe të opinionit si dhe të mbështetësve të kësaj force. Lulzim Basha dhe Eduard Selami janë të vetmit që garojnë për kreun e PD-së. Tashmë kanë dalë në fushatë duke ftuar anëtarësinë të votojnë për ta. Secili shpalos platformën e tij. Por ajo që duket qartë dhe është komentuar jo pak, është qëndrimi jashtë këtyre zhvillimeve të Partisë demokratike, të liderit të saj historik Sali Berisha. Nuk ka dhënë asnjë deklaratë publike lidhur me kandidatët. E vetmja deklaratë e tij u bë pas përfundimit të zgjedhjeve, ku deklaroi se gabimet për humbjen e Partisë Demokratike, duhen kërkuar brenda saj. Nuk përjashtoi nga gabimi asnjë prej drejtuesve të qarqeve. Berisha heshti edhe kur kundërshtarët e Bashës, ngritën platformën kundër tij, pra dolën hapur. Ndërkohë që herë pas here, Berisha ka zhvilluar takime me figura të ndryshme brenda radhëve të PD-së. Situata u nxeh kur Astrit Patozi me grupin e të përjashtuarve doli kundër Bashës. Por sërish edhe në këtë rast Berisha nuk doli hapur, ndonëse dihet shumë mirë se ai ka mbështetur Lulzim Bashën, që nga viti 2013, kur e vuri në krye të Partisë, pavarësisht se u zhvillua një garë mes tij dhe të ndjerit Sokol Olldashi.

Berisha në 2013 më aktiv
Në vitin 2013, kur partia Demokratike humbi zgjedhjet, Sali Berisha dha dorëheqjen e parevokueshme. Ai u tërhoq nga partia, duke ia lënë radhën të rinjve. Por ndonëse u largua, sërish hija e tij mbeti pas. Në atë moment, personi më i besuar për Berishën ishte Lulzim Basha. Përballë këtij të fundit u vu Sokol Olldashi. Pavarësisht se Berisha e mbështeti kandidaturën e Olldashit, gara shkoi në favor të Bashës, njeriut të investuar në parti nga Berisha. Pas katër vitesh, jemi sërish në të njëjtin pozicion. Basha, njeriu i besuar i Berishës humb zgjedhjet, por nuk dorëhiqet vetëm ngrin kompetencat e tij. Hap garën për kryetar partie. Përballë tij është vetëm një kandidat, Eduard Selami. E megjithatë, ish-kryeministri nuk ka dhënë asnjë koment për atë se çfarë ndodh në të vërtetë.

Takimi me Selamin, Patozin e Bashën 
I gjendur përballë një realiteti shumë të rëndë në Partinë Demokratike, pas humbjes së thellë në 25 qershor, Sali Berisha u tërhoq në zyrën e tij. E vetmja gjë që ka bërë që pas daljes së rezultatit, është denoncimi në rrjetin e tij social facebook. Është aktiv në këtë faqe. Flet kundër “Rilindjes” së Edi Ramës dhe për vjedhjen e votës. Publikon video të ndryshme, por në asnjë rast nuk ka dhënë deklarata direkt për zgjedhjet e brendshme, kandidatët dhe rrymën kundër. Pas deklaratës për të ngrirë kompetencat dhe çdo funksion brenda PD-së, Basha zhvilloi një takim me Berishën. Asgjë nuk u bë publike. U tha vetëm se ishte një diskutim për rezultatin e zgjedhjeve dhe asgjë më shumë. I dyti që vajti në zyrën e Berishës, ishte Astrit Patozi. Edhe nga ky takim u tha vetëm se pati diskutime lidhur me zhvillmet në PD dhe rezultatin negativ të zgjedhjeve. Por konkretisht asgjë. Ndërsa me shpalljen e kandidaturës për të qenë pjesë e garës për kryetar partie, Berisha u takua edhe me Eduard Selamin. Ky i fundit doli entuziast nga takimi. Tha se lideri Berisha e mbështeste në këtë garë. Me gjithë takimet që janë kryer, kemi mësuar vetëm aq sa kanë deklaruar të interesuarit, ndërsa vet Sali Berisha nuk ka dhënë asnjë deklaratë. Nuk ka folur për asnjë nga kandidatët, pavarësisht se të përjashtuarit dhe një pjesë e mirë e atyre që janë pjesë e kryesisë, e dinë shumë mirë se ai është një nga mbështetësit kryesor të Lulzim Bashës.
Sigal