Sigal

“Fusha shpk” dhe “Salillari”,dy kompanitë private, që njihen si klientë të rëndësishëm të qeverisë “Rama”, kanë marrë së bashku në tre vitet e fundit rreth 50 milion dollarë vetëm nga fondet publike të pushtetit lokal të drejtuara kryesisht nga kryebashkiakët e majtë.

Të dy kompanitë janë bërë shumë të njohura së fundmi, për shkak të përfshirjes në tendera të dyshimtë, të zhvilluar nga qeveria e Edi Ramës, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës së drejtuar nga Erion Veliaj.

Fusha shpk, pasi fitoi tenderin për ndërtimin e sheshit “Skënderbej”, arriti të bindë qeverinë për të dërguar në Parlament një ligj të posaçëm për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar dhe zbatimin në atë territor të një kompleksi gjigand pallatesh.

Ndërsa “Salillari” shpk është kompania zbatuese e tenderit të dyshimtë të zgjerimit të Unazë së Re në Tiranë, për të cilin Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka përllogaritur një vlerë kolosale prej 20 milionë euro për kilometër.

Portali “Opendata.al” ka realizuar një studim mbi kompanitë që kanë fituar më shumë kontrata në tenderat e zhvilluara nga bashkitë në periudhën 2015-2018. Sipas të dhënave, rezulton se “Fusha”shpk dhe “Salillari” shpk janë në top-listën e përfituesve.

Konkretisht, “Fusha” shpk rezulton të ketë fituar kontrata nga pushteti lokal, në vlerë totale prej 3.6 miliardë lekë të reja. Ndërsa “Salillari” shpk ka përfituar 1.5 miliardë lekë të reja nga bashkitë, kryesisht të majta, në 3 vitet e fundit.

Siç raporton studimi, Fusha sh.p.k, është shpallur fitues si operator i vetëm në 36 raste, përfshirë kontrata fillestare apo shtesa. Kontratat e saj, kjo shoqëri biznesi i ka fituar në tenderime në tri Bashki të ndryshme. Konkretisht, me bashkinë Vorë janë gjashtë kontrata; me Bashkinë Tiranë janë njëzet e tetë kontrata dhe Bashkinë Roskovec dy kontrata.

Fusha sh.p.k-thotë studimi- shfaqet e suksesshme edhe në rastet kur ka konkurruar si bashkim operatorësh me subjekte të tjera. Ajo ka bashkëpunuar dhe fituar tendera në bashkëpunim me të paktën dhjetë shoqëri të tjera biznesi.

Edhe kompania “Salillari” është pjesë e renditjes “Big”, sipas vlerave të kontratave të fituara tenderime me Bashki. Kjo shoqëri ka fituar si subjekt i vetëm, pa bashkëpunime me subjekte ekonomike të tjera, një numër prej 19 kontratash.

“Salillari” ka kontrata të fituara me tetë bashki: Bashkia Vorë katër kontrata; Bashkia Tiranë gjashtë kontrata; Bashkia Rrogozhinë një kontratë; Bashkia Maliq një kontratë; Bashkia Fier një; Bashkia Kuçovë një kontratë dhe Bashkia Himarë dy kontrata. Shoqëria Salillari ka fituar kontrata edhe në bashkëpunim me subjekte të tjera ekonomike, duke konkurruar me një ofertë te vetme si një operator i caktuar.