“Furtunë” shkarkimesh në Ministrinë e Mbrojtjes

452
Sigal

Nuk ndalet shkatërrimi i ushtrisë, në 1 Dhjetor reforma flak në rrugë
ushtarakët

Qindra ushtarakë ikin nga Elbasani dhe qarqe të tjera të mëdha

Maksim TUFA

Nga viti 1992 deri sot në radhët e ushtarakëve apo në Ministrinë e
Mbrojtjes janë kryer dhjetëra reforma që kanë prekur jo pak por mijëra oficerë,
nënoficerë, dhe ushtarakë me grada dhe pa grada. Prej 16 vitesh, reformat thuhet
se “bëhen të bazuara mbi performancën dhe nivelin e përgatitjes së çdo
ushtaraku”. Fillimisht reformat prekën strukturat e ish-Ushtrisë Popullore,
duke thjeshtuar qindra e qindra  komanda
dhe reparte në të katër anët e vendit dhe duke flakur në rrugë mijëra ushtarakë,
të gjithë kryefamiljarë. Shumica e tyre pa mbushur moshën 50 vjeçe, duke i
nxjerrë “në pension të parakohshëm”. Ata u flakën në rrugë fillimisht me
motivacionin politik “jeni partiakë” dhe përgjatë gjithë  këtyre viteve kjo metodë (pra e largimit dhe
punësimit nga partia) u kthye në normalitet. Duke u ndalur tek qeverisja
aktuale dhe tek gjoja “reformat” e bëra nga Ministria e Mbrojtjes në këtë
mandat, konstatojmë me dhimbje se, ushtria është masakruar, denigruar,
turpëruar, grabitur dhe shkatërruar deri në atë gradë, sa nuk mund të krahasohet
as me ushtrinë e viteve 1950. Dhjetëra ushtarakë me grada dhe me eksperiencë të
gjatë pune në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, shprehen për “Telegraf”, se
“pothuajse të gjithë drejtuesit e ushtrisë në 26 vitet e fundit kanë drejtuar
keq dhe kanë abuzuar maksimalisht me detyrën, gradat, mallin e popullit, dhe
reformimin e ushtrisë për ta rreshtuar me dinjitet në radhët e ushtrive të
NATO-s”. Kjo për faktin se sot nuk mund të takosh dhe të shikosh qoftë edhe një
ushtarak shqiptar me uniformë të rregullt, me grada të merituara, dhe me
ambiente të denja për një ushtri e cila pretendon se “jemi pjesë e NATO-s”.

Komandat e rretheve janë kthyer
në hangarë

Komandat e rretheve janë kthyer në hangarë, ku zyra mund të quhen kthinat e
veshura me merimanga, me dritare plastmase dhe në oborret e “reparteve”
kullosin bagëtitë e fshatarëve, pihet kafe dhe raki, dhe ku rojet e tuneleve
dhe territoreve ushtarake, vishen me xhins dhe rrallë mbajnë  edhe ndonjë kapele të vjetër. Kjo situatë
kurrsesi nuk është ajo që kanë në qendër dhe në periferi ushtritë e NATO-s në
vendet e tjera evropiane, pasi edhe drejtuesit  janë më të përgjegjshëm. Çdo vit largohen
ushtarakë profesionistë, po largohen edhe ata që kanë mbetur, dhe po zëvendësohen
me militantë partie, që veç uniformës, kanë blerë edhe gradat tek “komisionet”
e eprorëve të tyre. Ministria e Mbrojtjes, vitet e fundit është vënë shpesh nën
akuzë për shpërdorime, tjetërsime, për largime dhe emërime të paligjshme, ku
nuk kanë munguar edhe akuzat nga vetë ushtarakët për shitjen e territoreve
ushtarake, armëve dhe municioneve që kishin mbushur qindra e mijëra tunelet në
mbarë vendin. Bazuar në dëshminë e ushtarakëve, gazeta “Telegraf” ka botuar
shpesh informacionet dhe deklarimet e ushtarakëve nga Komanda më e goditur, ajo
e Elbasanit, e cila është kthyer si kazermat e Haxhi Qamilit, që vetëm komandë
ushtarake nuk mund të quhet.

Degradimi i reparteve ushtarake

Informacionet e ardhura mbi degradimin dhe degjenerimin e reparteve
ushtarake në rajonin më të madh ushtarak, kanë ardhur lidhur me largimet dhe
shitjet e armatimeve në “drejtimin e paditur” pasi sipas ushtarakëve “nuk ka
asnjë transparencë dhe asnjë dokumentacion zyrtar, se ku shkojnë ngarkesat me
armë (kryesisht kallashnikovë) dhe me municione pasi dalin nga tunelet. Por
sikur të mos mjaftonte kjo, drejtuesit e Ministrisë Mbrojtjes në të gjitha
rastet e botimeve të skandaleve, nuk kanë përtuar për të vajtur në Elbasan dhe
për të bërë hetuesinë e çdo ushtaraku që “ka llapur tek gazetarët”, duke i
kujtuar atyre se, “1 Dhjetori erdhi, reforma do t’iu qethë dhe pastaj do ta
shikoni, 112 nga ju dorëzojnë kapelet”. Një ushtri e cila aderon në NATO, një
ushtri e cila pretendon se është anëtare dinjitoze e strukturave Euroatlantike,
nuk sillet me ushtarakët e saj sikur të ishin skllevër në diktaturë, por merr
seriozisht gjithçka reale dhe analizon gabimet dhe shkeljet e ligjit që kanë
pasuruar dhe po pasurojnë një kastë me paratë e shqiptarëve. Të flakësh në
rrugë ushtarakë dhe të punësosh militantë që nuk dinë të veshin as uniformën, t’u
bësh ushtarakëve hetuesinë dhe t’i trajtosh ata “si puçistë”, do të thotë, të mos
ndjehesh se je anëtar i NATO-s, por anëtar i ndonjë blloku ushtarak lindor.