Furtunë në arsim, kontroll dosjeve të emërimeve

500
Kryeministri Rama firmos urdhrin për të kaluar në sitë mënyrën e manaxhimit të burimeve njerëzore. Ministrja Karabina: I mirëpresim inspektorët
Kryeministri Edi Rama ka urdhëruar një kontroll të plotë të emërimeve të kryera në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit gjatë vitit 2017. “Të ushtrohet kontroll administrativ dhe ligjor në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, lidhur me zbatimin e procedurave të ndjekura për manaxhimin e burimeve njerëzore, gjatë vitit 2017”, thuhet në urdhrin e firmosur dje nga Rama dhe që ka ngritur në këmbë inspektorët antikorrupsion.

Në urdhrin e firmosur nga shefi i qeverisë bie në sy shtrirja e kontrollit në të gjithë vitin 2017, jo vetëm në periudhën e drejtimit të dikasterit të Arsimit nga ministrja teknike. Në këtë mënyrë, në sitën e inspektorëve, do të kalojnë të gjithë dosjet e emërimeve dhe mënyra e lëvizjeve të burimeve njerëzore. 

Nga ana e saj, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Karabina, bëri të ditur se e mirëpret vendimin e kryeministrit për të ushtruar kontroll, ndërsa saktësoi se në fokusin e inspektorëve nuk do të jetë puna e saj. “Qartësisht objekt i këtij urdhri, nuk është dhe nuk mund të jetë veprimtaria e Ministrit të Arsimit dhe Sportit, që sipas ligjit drejton politikën shtetërore për fushën që mbulon punën administrative dhe kontrolluese në institucion. Ndërkohë, që sipas legjislacionit në fuqi, detyrimin për të menaxhuar burimet njerëzore dhe për të ndjekur procedurat ligjore përkatëse mbi to, është përgjegjësi e strukturave administrative të Ministrisë së Arsimit. Për vitin 2017, deri në momentin e pezullimit nga detyra, kjo ka qenë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Plarent Ndrecës, Sekretar i Përgjithshëm i MAS, i pezulluar nga detyra për shkak se është nën hetim penal për shpërdorim detyre”, theksoi ministrja Karabina. Në këtë kuadër, ministrja Karabina deklaroi se e mirëpret grupin e kontrollit të Kryeministrisë, për të verifikuar strukturat përgjegjëse që janë të ngarkuara me menaxhimin e burimeve njerëzore, gjatë vitit 2017, si dhe siguroi opinionin publik se do të vendosë në dispozicion të këtij grupi kontrolli dhe më pas edhe të publikut, të gjitha faktet dhe rrethanat që provojnë veprimet e paligjshme dhe korruptive të Sekretarit të Përgjithshëm, dhe funksionarëve apo ish-funksionarëve të tjerë të MAS të kryer gjatë vitit 2017 dhe më parë. Ndërkohë, të shqetësuar nga dokumentimi i shkeljeve të kryera gjatë vitit 2017 dhe më parë, pranë institucionit janë prezent edhe audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
 

Sigal