Fuga, letër Ramës: Gabimet me universitetet e kërkimin shkencor

584
Akademiku Artan Fuga i ka dërguar një letër të dytë kryeministrit Edi Rama, pas vendimit të tij për ndërprerjen e fondeve publike ndaj Akademisë së Shkencave. Në letrën e tij, Fuga përsërit se mbetet “rrënjësisht kritik i reformës së arsimit të lartë, i ligjit të arsimit të lartë, si edhe i gjendjes të kërkimit shkencor, i mënyrës si administrohet shkenca në institutet e saj”. “Paraja publike derdhet lumë a pika-pika si rubinet i bllokuar, produkti shkencor nga ana tjetër as matet dhe as ka impakt real!”, shkruan Fuga. Ai rendit edhe ato që i cilëson si gabime të qeverisë “Rama”. 

“1 – U bllokua reformimi i universiteteve dhe agjencive publike të kërkimit shkencor, duke i ngurosur e murosur ato; 

2 – U ndërtua një model i universitetesh private, i cili, përmblidhet kur është fjala për universitete private gjeneraliste të tejkaluara nga koha, në mungesë efikasiteti në realizimin e kërkimit shkencor dhe në formimin e rinisë universitare kur ai lejohet të orientohet në mënyrë të gabuar sikurse ndodh në rastet flagrante që do të kem rast t’i analizoj më pas”, shprehet Fuga. 

Sipas tij, pa rishikuar hapur, me sy autokritik, sinqerisht, me transparencë këto dy kancere të dijes dhe edukimit universitar shqiptar, ne si popull do të bëhemi shkencërisht të leshtë, mençuria kolektive e shqiptarëve do të shkojë keq e më keq dhe ne do të mbetemi, sikurse jemi fatkeqësisht, kombi më i paditur i Evropës. “Të jetë i sigurt opinioni publik që unë kurrë nuk do të ndalem, derisa rinia studentore shqiptare, pedagogët dhe kërkuesit shkencorë shqiptarë të dalin në pista zhvillimi që kanë kombet e përparuara dhe të mos vuajnë parazitizmin e agjencive publike të kalçifikuara, të mos jenë nën thundrën e disa pronarëve injorantë, kur është fjala, të mos jenë skllevër pa të drejta, që paraja e studentëve dhe e prindërve të tyre të bëhet transparente dhe të mos ushqejë xhepat pa fund të dallkaukëve në privat a në publik!”, thotë Fuga. Ndër të tjera, akademiku shkruan se ka pritur një reagim më të hershëm të kryeministrit për gjendjen në Akademinë e Shkencave. “E dini përse? Sepse kryesia e Akademisë deri tani na ka mbajtur nën presion duke na servirur se mosveprimi i saj vinte nga konsultimi me agjenci qeveritare, komisione ministeriale, etj! Kritikat ndaj saj për rrjedhojë Ju preknin edhe Ju! Do të doja gjithashtu të fliste ministrja e arsimit zonja Lindita Nikolla, e cila duhet gjithashtu të ketë pendesën e vet për gjendjen ku e la kërkimin shkencor dhe arsimin e lartë në fund të mandatit të saj. Uroj ta nisi mbarë dhe pa ndikime nga teveqelë këtë mandat të ri dhe të presë pa frikë urat e influencës që kanë mbi të lobi që e vendosën pa e kuptuar ajo në konflikt me interesat e rinisë, dijes kombëtare dhe me detyrat e saj”, nënvizon Artan Fuga. “Më lejoni t’Ju them hapur se, nëse Ju zoti Rama nuk ndërprisni fondet që vijnë nga buxheti publik, duke përfshirë edhe rrogën time, (sa keq më vjen për të!) sipas rregullave normative të një shteti të së drejtës, nëse Akademia vazhdon mban në krye të saj një kryesi fajtore për mosreformimin e saj, një Akademi që nuk jep asnjë produkt të dobishëm për kërkimin shkencor, që pret me gojë hapur ta ushqejë shteti pa i dhënë agjencive publike dhe private produktin e premtuar, duke i ushqyer me rrena ato, vetë Ju zoti kryeministër do të mbani përgjegjësinë që Ju takon në planin administrativ dhe politik”, thotë Fuga.
Sigal