“Fryma e Re Demokratike nuk do të bëjë aleancë as me PS-në, as më PD-në”

591
Sigal

INTERVISTA/ Flet Gazmend Oketa, Kryetari i Grupit nismëtar të FRD-së:”Imuniteti përdoret për luftë politike ndërmjet Berishës e Ramës”

Sot pritet të diskutohen në Kuvend ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me reformën aq të diskutueshme të heqjes së imuniteteve. Berisha, me propagandën e vet është munduar të kultivojë idenë se 6 gushti është data e përcaktimit të marrjes të statusit kandidat për në BE, me miratimin e kësaj reforme, ndërsa PS-ja, edhe pse e ka miratuar draftin e saj, kundërshton dhe paralajmëron se nuk do ta votojë, pasi duhen të miratohen edhe ndryshime të tjera në Kushtetutë, që kushtëzojnë luftën e korrupsionit. Gazmend Oketa, kryetari i Grupit nismëtar të themelimit të FRD-së, në intervistën ekskluzive për “Telegraf”, deklaron që imuniteti përdoret për luftë politike ndërmjet Berishës dhe Ramës, pasi, korrupsioni luftohet vetëm me vullnet politik, i cili, siç pohon zoti Oketa,  ka munguar deri sot. Kjo mungesë vullneti shprehet me varësinë e institucioneve si drejtësia, Gjyqësori e Prokuroria. Sipas Oketës, edhe qëndrimi i PS-së nuk është i besueshëm, pasi PS-ja, u bë pjesë me PD-në për miratimin e Kodit Zgjedhor, i cili shkeli parimin kushtetues të barazisë së votës. Zoti Oketa, argumenton edhe nevojën politike të lindjes të FRD-së, si një forcë politike, e cila, sipas Kryetarit të Grupit drejtues të FRD-së, “vjen për të ofruar një alternativë shpresëdhënëse e të realizueshme, nga ai i PD-PS”. Fryma e Re Demokratike, siç deklaron zoti Oketa për “Telegraf” do të punojë për rindërtimin e së djathtës së vërtetë shqiptare”.  Zoti Oketa, deklaron se, FRD-ja nuk do të bëjë asnjë aleancë me PD-në dhe PS-në, ndërsa do të përpiqet me forca të tjera, duke lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me AK-në, që të krijojnë një pol të ri politik.

 

– Zoti Oketa, PD-ja përse jep përshtypjen që është kaq e zellshme në miratimin e ngutshëm të reformës të imunitetit, në 6 gusht?  Vërtet, dita e sotme, vendos për marrjen e statusit kandidat?

Askush, deri më sot nuk ka deklaruar se nëse më 6 gusht, Kuvendi i Shqipërisë voton ndryshimet kushtetuese për kufizimin e imuniteteve, atëherë automatikisht Shqipëria merr statusin e vendit kandidat. Çështja e imuniteteve ka së paku shtatë vite që diskutohet, por siç duket, asnjëherë me seriozitetin e duhur. Edhe kësaj radhe, më shumë se sa për të arritur disa objektiva, kjo çështje po përdoret për luftë politike kryesisht ndërmjet z. Berisha dhe z. Rama. Besoj janë të paktë ata që besojnë se, qytetarët po presin me padurim kufizimin e imuniteteve. Ajo, që qytetarët kanë pritur e presin me padurim është lufta pa kompromis ndaj korrupsionit. A e ka penguar imuniteti i zyrtarëve këtë luftë? Unë besoj se jo. Ajo, që e ka penguar këtë luftë, ka qenë mungesa e vullnetit nga ata të cilët e kishin kalë beteje apo kryefjalë në çdo fjali këtë çështje. Sigurisht, me çfarë ka ndodhur deri më sot dhe çfarë pritet të ndodhë me disa institucione të pavarura, apo të varura nga ekzekutivi, është krejt normale të shihet një zell deri dhe i tepruar nga ana e maxhorancës, lidhur me kufizimin e imuniteteve. Kushtetuta e Shqipërisë i takon të gjithë shqiptarëve, pasi është themeli i shtetit ku ata jetojnë. Pikërisht, për këtë arsye partitë politike nuk duhet ta përdorin atë si një dokument pronë e tyre dhe të ndërhynë në të sa herë kërkohet një pazar i ri politik. Kushtetuta e ndryshuar në vitin 2008, gjykoj se ka prishur balancën e shtetit shqiptar, dhe kësaj radhe duke ndërhyrë përsëri në të, mendoj se duhet një debat i hapur publik, dhe ekspertiza më e mirë e çështjeve kushtetuese dhe prioritet duhet të jenë interesat e shtetit shqiptar dhe jo ato të disa pushtetarëve shqiptarë. Nga ana tjetër dhe qëndrimi i PS-së nuk është i besueshëm. Nëse, vërtet PS është e “shqetësuar” për kushtetutën, kishte mundësinë ta tregonte këtë “shqetësim” dy javë më parë, kur, duke votuar arnimet e Kodit Zgjedhor, shkeli parimin kushtetues të barazisë së votës.

– Në qoftë se drafti për ndryshimet kushtetuese për heqjen e imunitetit nuk miratohet në 6 gusht,  në bazë të Kushtetutës, a bllokohet për një vit votimi i këtyre ndryshimeve?

Nisur nga qëndrimet e deritanishme, nuk besoj se të hënën e 6 gushtit do të ketë një proces votimi në Kuvend. Mund të përsëritet e njëjta situatë, siç ka ndodhur me ligje, të cilat kërkonin shumicë të cilësuar, duke mos i votuar fare dhe duke i lënë vazhdimisht në kalendarin e punimeve të Kuvendit. Nëse votohet dhe nisma ligjore për ndryshimet kushtetuese rrëzohet, atëherë duhet të kalojë një vit që këto ndryshime të propozuara të rishikohen. Nëse kalohet në një skenar të tillë, atëherë do të ishte akoma më e qartë se kemi të bëjmë me një lojë të ulët politike dhe jo me vullnet real për të kufizuar imunitetet.

– Në realitetin politik të Shqipërisë, kur faktikisht Kryeministri ka në dorë gjithë kontrollin e pushteteve, heqja e imuniteteve, a përbën ndonjë rrezik politik e juridik për opozitën?

Fatkeqësisht, në realitetin politik shqiptar tepër të tensionuar, çdo skenar është i mundshëm. Shqipëria tashmë duket se është një republikë parlamentare vetëm në letër, pasi praktikisht ajo nuk funksionon si e tillë. Kodi zgjedhor, i miratuar në vitin 2008 dhe i arnuar në vitin 2012, ka shndërruar qoftë sjelljen politike të maxhorancës, qoftë të opozitës, pasi që pas atyre ndryshimeve, për cilindo deputet, rruga për në Kuvend nuk kalon më nga votuesit shqiptar, por kalon nga kryetarët e partive. Kjo ka bërë që të zbehet roli dhe të deformohet personaliteti i deputetit. Shumë pushtet i përqendruar në një dorë të vetme sigurisht që nuk ka si ndodh ndryshe, veçse të keqpërdoret, aq më tepër në një vend si i yni, me një demokraci të re. Nëse duam ta konsolidojmë këtë demokraci, duhet të bëjmë pikërisht atë që gjithë demokracitë perëndimore kanë bërë, forcimin e institucioneve të pavarura dhe jo dobësimin e tyre, drejtësi të barabartë për të gjithë dhe jo drejtësi të ndryshme për ata që veshin kostum politik.

– Cila do të jetë risia politike e FRD-së, në atë kuptim, që të fitojë mirëbesimin e qytetarëve, për më tepër, kur zhgënjimi i tyre nga politikat e ndjekura deri tani është gjithnjë e në rritje?

– Me bindjen se qytetarët shqiptarë meritojnë një përfaqësim politik të moralshëm e dinjitoz, Fryma e Re Demokratike do të jetë një forcë, e cila do të dëshmojë se, politika shqiptare mund të jetë dhe ndryshe. Mund të jetë një politikë më e paqtë dhe me objektiva kryesorë interesat e Shqipërisë e shqiptarëve dhe jo interesat e pushtetarëve. Mund të jetë një politikë, e cila shtetin e së drejtës nuk e përmend vetëm nëpër fjalime, por e forcon dhe e mbron atë në çdo çast. Një politikë, e cila nuk mbështetet mbi sherre bajate politike të servirura në ekrane televizive, por mbi alternativa dhe debate ku argumenti më i mirë fiton. Fryma e Re Demokratike do sjellë një frymë të re shprese, besimi dhe paqtimi në skenën politike shqiptare dhe besoj se kjo frymë do gjejë mbështetje të gjerë tek të gjithë ata qytetarë,të cilët ashtu si 22 vite më parë e duan Shqipërinë si gjithë Europa.

– Ju, FRD-ja, bën fjalë për domosdoshmërinë e rrotacionit politik. A mund të arrihet ky rrotacion, pa qasjen, bashkimin e forcave opozitare, pavarësisht nga divergjencat ideologjike?

– Në zgjedhjet e vitit 2013 shqiptarët kanë një shans për t’i dhënë një leksion të mirë politikës së vjetër, e cila mbijeton, duke mbajtur gjithmonë qëllimisht një klimë të tensionuar politike. Shqiptarët kanë një shans për të dëshmuar, se ashtu si qytetarët e vendeve europiane, kanë mbështetur alternativat e reja politike, edhe ata do të dinë të hapin perspektiva të reja për vendin. Zgjedhjet e 2013-s duhet të jenë një ndëshkim i mirë për klasën politike në tërësi dhe duhet të ndihmojnë për rikthimin e moralit në politikë. Dita e zgjedhjeve duhet të jetë dita kur qytetarët duhet të ngrenë fort zërin e tyre, pasi nëse nuk e bëjnë rrezikojë të mbeten “pa zë” edhe për shumë vite të tjera. Ata duhet të kuptojnë se fuqia e tyre është tek vota, dhe këtë duhet ta shfrytëzojnë, pasi kanë detyrim kundrejt të sotmes por edhe kundrejt të ardhmes së vendit, kanë detyrim kundrejt fëmijëve të tyre, por edhe kundrejt nipërve e mbesave që do kenë në një të ardhme të afërt. Rrotacioni politik është shumë pak. Shqipëria ka nevojë për më shumë se thjesht një rrotacion politik. Këtë e kanë në dorë qytetarët shqiptarë dhe personalisht jam shumë optimist se ata do dinë ta shfrytëzojnë këtë mundësi që do të kenë.

– FRD-ja është cilësuar, më tepër nga opozita, si një forcë e djathtë politike. Sa e vërtetë është kjo?

– Fryma e Re Demokratike është një forcë e qendrës së djathtë dhe pozicionin e saj ajo e cakton vetë, pa pasur nevojë t’ja caktojnë apo komentojnë aktorët të tjerë politikë. Që FRD-ja është një forcë e djathtë nuk ka asnjë dyshim, por po aq e sigurt është se për FRD-në interesat e vendit janë më të rëndësishme se interesat e cilitdo krah politik.

– Duke qenë se keni shprehur bindjen që FRD-ja do të jetë  forcë kryesore e aktrimit politik, keni parasysh që FRD-ja do të mundë të bëjë reformimin edhe të së djathtës, meqë PD-ja po i zhgënjen?

– Unë u shpreha më lart, se Fryma e Re Demokratike ka lindur, pasi e djathta shqiptare ka humbur identitetin dhe moralin politik për ta përfaqësuar atë. Dhe aq më tepër ka humbur dhe besimin e qytetarëve shqiptarë. Fryma e Re Demokratike do të punojë për rindërtimin e së djathtës së vërtetë shqiptare dhe duke e përfaqësuar me dinjitet të djathtën, Fryma e Re Demokratike do të vendos në plan të parë interesat e Shqipërisë. Objektivat tanë primar do të jenë ato të cilat ndihmojnë qytetarët shqiptarë të kenë më shumë punësim, më shumë arsim, shëndet më të mirë, por edhe më shumë dinjitet. Shqipëria duhet të jetë një vend më i mirë për çdo shqiptar, pavarësisht faktit se në cilin kah politik ai e gjen veten.

– PD-ja dhe PS-ja po humbasin mirëbesimin për shkak të mungesës së alternativave për një ndryshim politik, ekonomik, social. FRD-ja, duke pretenduar se do të përbëjë qendrën e një poli të tretë politik, me cilat alternativa ndryshe do të kërkojë besueshmërinë e elektoratit?

– Pikërisht, përse lidershipi i këtyre dy forcave politike ka humbur besueshmërinë e qytetarëve shqiptarë, zgjedhjet e vitit 2013 duhet të shënojnë një përmbysje të situatës politike në Shqipëri. Alternativat e reja politike duhet të zëvendësojnë ato të vjetrat, duke hapur një kapitull të ri në politikën shqiptare. Besoj se 22 vite nuk janë pak për të dëshmuar se çfarë mund të bësh dhe si mund të drejtosh. Ajo që ka ndodhur në shumë vende të BE-së, pritet të ndodhë dhe në zgjedhjet e 2013-s në Shqipëri. Fryma e Re Demokratike, së pari kërkon të krijojë e forcojë profilin e saj politik, të fitojë besimin dhe mbështetjen e qytetarëve shqiptar. Pasi të ketë arritur këto do të shohë se me cilat alternativa mund të bashkëpunojë në ndërtimin e një poli politik, i cili do të investohet maksimalisht për ndërtimin siç duhet të shtetit shqiptar.

– Pak a shumë, kjo është edhe brendia politike e AK-së, e cila kërkon që të përçajë monopolin dypartiak, PD-PS. FRD-ja, ku bashkohet dhe ku dallohet nga AK-ja? A ka mundësi që FRD-ja dhe AK-ja të krijojnë  një bllok opozitar, pa PS-në?

– Është akoma herët për të folur për aleanca të mundshme, përfshirë këtu dhe AK-në, por është shumë e sigurt se aleancë me z. Berisha apo me z. Rama nuk do të ketë. Më të mundshme shoh një aleancë Berisha-Rama pas zgjedhjeve, pasi PS-ja vetëm sa për komunikim quhet opozitë, ndërsa në fakt pazaret politike i bën me pozitën, mjafton të kujtojmë kodin e arnuar zgjedhor. Një opozitë, e cila i shmanget mbrojtjes së parimit kushtetues siç është barazia e votës, nuk është gjë tjetër, veçse një shtojcë e maxhorancës. Nga mënyra se si ndërtohen pyetjet ndonjëherë krijohet përshtypja sikur forcat e reja politike lindin për të dëmtuar të vjetrat. Ky është versioni pesimist i analizës së situatës. Në fakt Fryma e Re Demokratike vjen për të ofruar një alternativë ndryshe, një projekt ndryshe nga ai i dy forcave të vjetra. Nuk vjen për të përçarë, por vjen për të bashkuar qytetarët shqiptarë në një alternativë shpresëdhënëse e të realizueshme. Vjen për të kontribuar në politikën shqiptare për ta bërë atë më normale, më paqësore, dhe më të kuptueshme nga qytetarët. Vjen për të treguar se edhe politika shqiptare mund të jetë ndryshe, vjen për të treguar se dhe politika shqiptare mund të jetë vërtetë europiane.

Nevoja politike lindjes së FRD-së

Fryma e Re Demokratike ka lindur si një domosdoshmëri e momentit politik që po kalon Shqipëria. Ajo vjen në një moment, kur e djathta shqiptare në koalicion prej tre vitesh me LSI-në, ka humbur krejtësisht identitetin dhe moralin politik për të përfaqësuar mbështetësit e saj. Nga ana tjetër dhe e majta, për mënyrën se si drejtohet dhe mënyrën si ka bërë opozitë ,gjatë këtyre viteve ,duket se nuk sjell alternativë të re për qytetarët shqiptarë. Fryma e Re Demokratike vjen si një forcë e re politike, e cila synon të rikthejë besimin e humbur të qytetarëve tek politika, të ringjallë shpresën dhe optimizmin e tyre se Shqipëria mund të bëhet, se Shqipëria mund të jetë shtëpia e përbashkët e të gjithë shqiptarëve, se Shqipëria mund të jetë një vend pa korrupsion, mund të jetë një vend me drejtësi të njëjtë për të gjithë, mund të jetë një vend me sistem shëndetësor më të mirë, me arsim më të mirë për fëmijët e familjeve shqiptare. Këto besoj janë arsyet kryesore, të cilat kushtëzuan lindjen e Frymës së Re Demokratike.

– Ju faleminderit!