Frroku rrëzon Doshin sy më sy: Nuk kam ditur gjë për atentatin

504
Sigal

TIRANE – Deputeti i Partisë Kristian Demokrate Mark Frroku i ka rrëzuar sy më sy Doshit, pretendimin se ka qenë ai personi që e ka lajmëruar për një atentat të mundshëm ndaj tij gjashtë muaj më parë.
 
Pas dy orëve dëshmi në zyrën e prokurorëve, në një ballafaqim me Tom Doshi, kolegu dhe miku i tij, është shprehur për median se i ka qëndruar dëshmisë që dha të premten kur tha se nuk ka pasur asnjë dijeni për atentatin.
 
Me këtë dëshmi, Frroku rrëzon për së dyti alibinë e Doshit, i cili deklaroi publikisht në media se ishte kolegu i tij i kristian demokrates që e kishte sinjalizuar për planin e vrasjes së tij gjashtë muaj më parë dhe që e kishte prezantuar me Durim Bamin, personi që Doshi pretendon se ishte paguar nga Meta për eliminimin fizik të tij.
 
Kjo përbën një kthesë rrënjësore në hetimet e nisura pas deklaratave publike të deputetit të përjashtuar nga PS se kreu i Kuvendit Ilir Meta kishte paguar 600 mijë euro për eliminimin fizik të tij dhe të deputetit demokrat të Lezhës Mhill Fufi. 

Në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ishte një ditë e ngjeshur me marrjen e dëshmive, ku më historikja ishte ajo e ish-kryeministrit Sali Berisha. Për herë të parë gjatë karrierës së tij politike, deputeti demokrat u përball me organin e akuzës, ku edhe pse deklaroi përreth 50 minuta para prokurorëve, zoti Berisha nuk bëri publike asnjë fjalë nga çfarë dëshmoi përpara prokurorëve. Berisha u ftua për të dëshmuar  nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në lidhje me deklaratat që bëri nga Kuvendi se e dinte për atentatin e mundshëm ndaj Doshit tre muaj më parë.

I pari që u pyet në këtë çështje të enjten e kaluar ishte deputeti Doshi, ndërsa edhe krerët më të lartë të politikës iu përgjigjën pozitivisht ftesës së Prokurorisë, ku të premten dëshmuan kryeministri Edi Rama, kryeparlamentari Ilir Meta, ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri dhe deputeti i Partisë Kristian Demokrate Mark Frroku. 

Prokuroria nisi hetimet pas deklaratave publike që bëri deputeti Tom Doshi, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri në reagimin e parë zyrtar që pati për këtë çështje, tha se nga hetimet që kishte bërë policia gjashtë muaj më parë kur u vu në dijeni për planin e mundshëm, nuk ka rezultuar asnjë provë e vetme që të faktojë se deputetit Doshi do t’i bëhej atentat.  

Ora 13.50 Frroku dy orë ballafaqim me Doshin: I qëndroj dëshmisë së parë
Pas dy orëve dëshmi në zyrën e prokurorëve, në një ballafaqim sy më sy me Tom Doshi, deputeti i Partisë Kristian Demokrate, njëherësh mik i tij, është shprehur për median se i ka qëndruar dëshmisë që dha të premten kur tha se nuk ka pasur asnjë dijeni për atentatin që deputeti i përjashtuar nga PS pretendon se ka pasur ndaj tij.

Me këtë dëshmi, Frroku rrëzon për së dyti alibinë e Doshit, i cili deklaroi publikisht në media se ishte kolegu i tij i kristian demokrates që e kishte sinjalizuar për planin e vrasjes së tij gjashtë muaj më parë dhe që e kishte prezantuar me Durim Bamin, personi që Doshi pretendon se ishte paguar nga Meta për eliminimin fizik të tij.


Cili ishte qëndrimi juaj?
Si në datën 6 para prokurorëve

Ora12.50 Përfundon dëshmia e Fufit, i qëndron deklaratës së parë
Pas 50 minutash ka përfunduar dëshminë para prokurorëve deputeti demokrat Mhill Fufi. A1 Report mëson se Fufi i ka qëndruar deklaratës së parë që dha për mediat në lidhje me pretendimet publike të Doshit. Fufi mësohet të jetë shprehur në organin e akuzës se nuk ka pasur dijeni për një plan të mundshëm për eliminimin fizik të tij dhe as që të jetë marrë në mbrojtje nga policia. 

“Përpara prokurorit dhamë përgjigje për çfarë ka ndodhur, nëpërmjet medias e kam dhënë njëherë një deklaratë dhe i kam qëndruar asaj deklarate. Ta lëmë drejtësinë të bëjë punën e saj”, tha në një prononcim të shkurtër për mediat Fufi. 

Ora 12.00 Fufi vjen të dëshmojë në Prokurori një orë me vonesë
Ndërsa ishte parashikuar për në orën 11.00, deputeti demokrat i Lezhës Mhill Fufi është paraqitur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në orën 12.00. Deputeti i përjashtuar nga PS Tom Doshi pretendon se Mhill Fufi ka qenë objektiv i atentatit të porositur nga Meta. Në reagimin e parë zyrtar mbi këtë çështje, Fufi tha se nuk kishte pasur asnjë informacion për planin e pretenduar nga Doshi.

Ora 11.50 Mbërrin edhe Doshi në Prokurori
I shoqëruar nga dy makina dhe me oficerë policie, në orën 10.50 mbërriti në Prokurorinë e Krimeve të Rënda deputeti i përjashtuar nga Partia Socialiste Tom Doshi. Prej mëse një jave Doshi është marrë në mbrojtje nga policia dhe mbahet nën ruajtjen 24 orë të efektivëve të GOS. Ish-deputeti socialist i Shkodrës zgjodhi të futet në ambientet e organit të akuzës nga dera e pasme e këtij institucioni për të shmangur mediat e shumta që ndodheshin në hyrjen tjetër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
 

Ora 11.44 Mbërrin Frroku
Deputeti i partisë Kristian Demokrate Mark Frroku mbërriti në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të bërë ballafaqimin me Tom Doshin i cili pretendon se ka qenë Marku i cili e ka sinjalizuar i pari për planin e mundshëm të atentatit ndaj tij dhe se e ka njohur me vrasësin që pretendohet se do të bënte atentatin, Durim Bami.