Frroku, PD: Rama fshehu akuzat belge deri në dëshminë pro Metës

225
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani deklaron se Rama ishte informuar nga Brukseli për akuzat e vrasjes së kryer nga Mark Frroku.
Sipas Ristanit Nga Brukseli ka mbërritur më 8 janar dhe më 23 janar 2015 në Tiranë dokumenti i Belgjikës për akuzat e vrasjes dhe me urdhër të Ramës këto dokumente është mbajtur i fshehur.
Bllokimi i këtyre dokumenteve shprehet Sekretari i Përgjithshëm i PD lidhet me dëshminë e Mark Frrokut në Prokurori në favor të Ilir Metës dhe se vetëm pas kësaj të fundit policia aktivizoi shkresën për kërkim ndërkombëtar. 
“E kanë mbajtur të kapur dëshmitarin kyç, Mark Frroku, i kanë dhënë imunitet e mbrojtje në kundërshtim me ligjin, derisa ai dha deponimin në favor të Ilir Metës.Vetëm më 18 mars, pasi Frroku ka dhenë dëshminë e tij në favor të Metës, policia aktivizoi shkresën për kërkim ndërkombëtar”- tha Ristani.
Gjithashtu Ristani thekson se shkarkimi i drejtoritë të Interpol Tirana, Artan Bajraktarit dhe oficeres operatore Laureta Alla, është bërë si një përpjekje për t’ia hedhur fajin këtij institucioni.
Deklarata e plotë e Arben Ristanit
Skandalet e këtij pushteti që punon me krimin dhe për krimin nuk kanë të sosur.
Një fakt i tmerrshëm doli përsëri në dritë dje, që tregon se deri ku janë zhytur në skemën kriminale, Edi Rama dhe Ilir Meta, në lidhje me akuzat se kryetari i kuvendit ka porositur vrasjen e dy deputetëve.
E kanë mbajtur të kapur dëshmitarin kyç, Mar Frroku, i kanë dhënë imunitet e mbrojtje në kundërshtim me ligjin, derisa ai dha deponimin në favor të Ilir Metës.
Më 8 janar të këtij viti, ka mbërritur në Tiranë, dokumenti i Interpol Belgjikës për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të deputetit Mark Frrokut, për akuzat e drejtësisë belge për vrasje.
Ky urdhër është mbajtur në sirtar nga zyrtarët e Edi Ramës.
Më 23 janar, Interpol i Brukselit, ka sjellë material shtesë duke ripërsëritur kërkesën për kërkimin dhe kapjen e Mark Frrokut.
Sërish, zyrtarët e Edi Ramës nuk kanë bërë asnjë veprim.
Vetëm më 18 mars, pasi Mark Frroku e kishte dhënë dëshminë në prokurori në favor të Ilir Metës, lidhur me akuzat ndaj tij, për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, policia shqiptare ka aktivizuar shkresën për kërkim ndërkombëtar të deputetit të mazhorancës.
Për të mbyllur këtë skandal të paimagjinueshëm, Drejtori i Policisë ka shkarkuar dhe ka ndaluar dje drejtorin e Interpol Tirana, Artan Bajraktari, dhe një specialiste në këtë drejtori, duke u përpjekur t’u lërë fajin atyre.
Kjo është një përpjekje e turpshme dhe e dëshpëruar, për të nxjerrë të larë, autorët e vërtetë të bllokimit të urdhërit të Interpol Brukseli, që janë Edi Rama dhe Ilir Meta.
Ata penguan drejtësinë e një vendi themelues të Bashkimit Europian, vetëm për të deformuar hetimin ndaj kryetarit të parlamentit, duke kapur dëshmitarin kyç, dhe duke tentuar fshehjen e të vërtetës mbi akuzën më të rëndë të këtyre 25 viteve.
Ky është një akt kriminal, i padëgjuar më parë, për të cilin ka përgjegjësi dhe duhet të mbajë përgjegjësi të drejtpërdrejtë Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm.
Ne kërkojmë llogaridhënie të plotë për bllokimin e urdhrit të Interpol Brukselit.
Ne i kërkojmë Prokurorit të Përgjithshëm të nisë një hetim të shpejtë e të thellë për të vënë urdhëruesit e fshehjes së kërkesës së Interpol Brukselit, para drejtësisë.
Ne inkurajojmë partnerët tanë europianë, palën belge të nxisë transparencë dhe të kërkojë zbardhjen e kësaj ngjarjeje kriminale.
Me këtë akt, Edi Rama i ka futur duart thellë në procesin e hetimit të ortakut të tij Meta, dhe kësaj radhe nuk do t’ia hedhë.
Kjo është një sprovë për ligjin, për drejtësinë, për demokracinë për vendin tonë, që s’mund të mbahet peng i skemave kriminale të Edi Ramës dhe Ilir Metës.