Fronti opozitar, a do të ketë bashkëpunim PD-LSI?

512
Analistë dhe komentatorë të medias flasin për arsyet që i bashkojnë dhe i largojnë dy partitë e pakicës parlamentare
Nisja e sezonit parlamentar dhe temat e hedhura në politikën e ditës kanë risjellë edhe diskutimin nëse do të ketë ose jo një bashkëpunim mes dy partive të opozitës, Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Zyrtarisht të dy partitë e pakicës parlamentare nuk e kanë përjashtuar mundësinë e krijimit të një fronti opozitar, ndonëse në zhvillimet e pritshme ka tema që i ndajnë e bashkojnë partitë e drejtuara nga Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi. Gazeta “Telegraf” bisedoi me disa analistë dhe komentues të zhvillimeve politike, duke i pyetur nëse ekziston mundësia e bashkëpunimit PD-LSI dhe cilat janë arsyet që i afrojnë e largojnë këto dy parti.

Mentor Kikia: Aktualisht, më shumë se bashkëpunim, unë shikoj një lloj rivaliteti mes këtyre dy forcave, se cila do të mbajë apo bëjë rolin e opozitës. Kjo për faktin se të dyja partitë duan të ruajnë vendin e “alternativës qeverisëse” në kushtet kur qeverisja aktuale mund të rezultojë e dështuar. Në këto kushte, LSI është më e favorizuar, sepse ajo është një forcë politike e organizuar, me gjithë erozionin që mund të pësojë nga lëshimi i pushtetit dhe largimet e njerëzve të saj nga administrata. Jo më kot LSI ka këmbngulur disa here publikisht se ne do të bëjmë një opozitë të fortë dhe agresive. Ndrësa PD është ende në fazën e sherrit mes vetes, pasi nuk kanë precipituar ende ujërat për të mësuar, se me cilët njerëz do të vazhdojë udhëtimin e mëtejshëm opozitar. Opozitarizmi i PD-së tani për tani është ai mediatik, përmes deklaratave për shtyp, dhe nuk ka një platformë. Pra kjo është ajo që i ndan, dhe për mua nuk është pak. Eshtë si ajo beteja në renditjen e skuadrave, ku pasi është zënë vendi i parë luftohet për vendin e dytë. A mund të bashkëpunojnë këto dy forca? Padyshim që mund dhe duhet. Jo për interesa të tyre, por për interest e shoqërisë, pasi pa një opozitë të fortë e të shëndetshmë politikisht nuk mund të ketë një qeveri të monitoruar. E kundërta është fatale. Një vend me opozitë të hallakatur është i destinuar të qeveriset keq dhe në mënyrë abuzive. Por deri tani nuk shikoj shenja të një koordinimim të aksionit politik në opozitë. Përkundrazi, LSI psh, në parlament ka tendencën të luftojë sa kundër qeverisë ashtu dhe kundër PD-së, në përpjekje për ta defaktorizuar atë e ta quajë si një bashkëlojtare të qeverisë.

Basir Çollaku: Opozita ka një punë të madhe për të bërë, ndaj një qeverisjeje, e cila vijon e pandryshuar, në të njëjtën qasje të përdorimit të pushtetit. Këtë mandat janë demokratët dhe LSI, në opozitë, të cilët kanë përkatësi te ndryshme politike. Kjo mund të sjellë qëndrime të ndryshme për episode të ndryshme. Por mendoj se PD dhe LSI kanë hapësire të përbashkët opozitare për aksione thelbësore, kryesisht në çështjet ekonomike, të biznesit, sipërmarrjes, punësimit etj. Aty ku janë përfitues qytetarët opozita duhet të jetë në një mendje dhe jo të thërrmohet. Kemi rastin e plehrave. Është një çështje shumë e debatuar dhe e rëndësishme për jetën tonë. PD dhe LSI kanë shfaqur ngjashmëri qëndrimesh dhe, përse jo të mos koordinojnë dhe aksion të përbashkët për të ndaluar këtë katrahurë ndaj mjedisit dhe jetës sonë. Natyrisht kufiri mes të majtës dhe të djathtës nuk mund të shkrihet dhe këto dy parti opozitare të ngjajnë si një parti. PD duhet të rrisë vëmendjen ndaj shtresave të përndjekurve dhe pronarëve si boshti i gjenezës së saj. Demokratët nuk duhet të lënë mënjanë disa mëkate te vjetra si hapja e dosjeve dhe dekomunistizimi i subjektit opozitar. Kjo do të sillte shëndet më të mirë për PD duke e bërë gjithnjë e më.cilësore opozitarizmin e saj. Njëherësh do rriste shkallën e besimit dhe shpresës.

Mentor Nazarko: Testi numër një për krijimin e një opozite të bashkuar PD- LSI, është reforma zgjedhore. Në të vërtetë çështja e reformës zgjedhore përkatësisht e sistemit zgjedhor është çengeli ku Rama në një farë mënyrë ka kapur Bashën, veçanërisht në negociatat që kanë zhvilluar në 17 maj. Është krejt e qartë, që nuk mund të ketë ndryshim të sistemit zgjedhor pa PD. Dhe LSI nuk do donte të ishte e përjashtuar nga reforma, sepse me këtë reformë lidhet fati i saj, çka do të thotë që në ditët në vijim do të shohim si do të funksionojë ky test. Pra PD do të paraqitet me një version të përbashkët me LSI apo më vete. Proporcionale Rajonal është një formulë që i ka leverdisur shumë LSI-së. Dhe ajo do ta të kundërshtonte me forcë çdo ndryshim . Nga ana tjetër, çdo test për mundësinë e krijimit të një opozite të bashkuar PD –LSI është njëkohësisht test për mbijetesën e marrëveshjes Rama-Basha. Në gjykimin tim, kjo marrëveshje do të vazhdojë të mbijetojë sepse, Basha e ka kuptuar që për të rivendosur marrëdhëniet me bashkësinë perëndimore, për të rritur ndikimin e PD në zhvillimin e vendit, për t’i vënë piketat e duhura reformës kushtetuese, për të realizuar votimin elektronik, numërimin elektronik, do t’i duhet patjetër marrëveshja me PS. Kështu që pavarësisht retorikës së ashpër të Bashës ndaj Ramës tani, unë mendoj që kjo marrëveshje do të funksionojë . E në qoftë se testi i marrëveshjes do të rezultoi i suksesshëm atëherë testi tjetër i krijimit të një opozitë të bashkuar PD – LSI do dështojë. Megjithëse ngjan se në favor të saj është një elefant si Sali Berisha. 

Bledian Koka: Si e vleresoni mundesine e bashkepunimit PD-LSI? Mundësia e bashkëpunimit PD-LSI nuk duhet të shikohet si një mundësi, por si një domosdoshmëri për një opozitë më të fortë dhe më ballore. Fakti që opozita në dy javët e para sesionit të ri politik është krejt kuturu dhe pa një bosht të qartë reagimi, deri tani ka sjellë fitoret politike vetëm të mazhorancës. Mundësia për të frenuar keqqeverisjen nuk ekziston vetëm në Kuvendin e Shqipërisë, por edhe në qeverisjen e lokale ku PD dhe LSI në shumicën e rasteve mund të formojnë mazhorancën së bashku dhe mund të ndalin arrogancën e një pushteti që buron nga qendra e deri në bazë. Cilat janë arsyet qe i afrojne dhe i largojne? Bashkëpunimi politik PD-LSI nuk është aspak një fenomen i panatyrshëm, bashkëqeverisja e tyre 2009-2013 e ka treguar një gjë të tillë. Por nga ana tjetër për mua është një problem shumë i madh ajo që ka ndodhur gjatë fushatës së zgjedhjeve të 25 Qershorit, kur PD qartazi u investua në demaskimin politik dhe në një sulm frontal të panevojshëm në adresë të LSI-së. E gjitha kjo do të kërkojë kohë të cilat të dy partitë realisht nuk e kanë në dispozicion, që ato të kurojnë frymën e mosbesimit mes lidershipeve përkatëse. Po ashtu një problem që shoh në mundësinë e tyre për të bashkëpunuar është protagonizmi i theksuar që kanë Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, të cilët fjalët e para që kanë artikuluar pas 25 Qershorit kanë qenë, se kush është realisht opozita kryesore në vend. E vetmja rrugë që shoh në krijimin e një fronti të përbashkët opozitar për momentin është ftesa publike që Lulzim Basha duhet t’i bëjë Monika Kryemadhit për të bashkëpunuar në kuadrin e Reformës në Drejtësi, reformë për të cilën të dy forcat politike bien dakord, dhe pa dashje duket se për momentin janë në të njëjtën gjatësi vale për qëllimin që ajo duhet të ketë. Nëse kjo nuk ndodh, mendoj që nuk do të jetë faji i LSI-së, pse ky bashkëpunim nuk do të ndodhë…, për herë të parë.

Afrim Krasniqi: Si e vlerësoni mundesinw e bashkwpunimit PD-LSI? Cilat janw arsyet qw i afrojnw dhe i largojnw? Krasniqi: në zgjedhjet e vitit 2015 PD nuk humbi vetëm zgjedhjet, por edhe spektrin e opozitës. Ajo iu dhuroi mandate partive aleate PR, PDK, LZHK e PBDNJ dhe la jashtë parlamentit PAA, duke i bërë ato inaktive në fushatë dhe duke dëmtuar bazën e tyre mbështetëse. Nga kjo situatë përfitoi e majta, përfshirë LSI, e cila më 2015 mori rezultatin më të lartë të saj. Tani kemi një parti në qeveri dhe dy parti në opozitë. LSI është e interesuar dhe e ka çështje jetike koalicionin me PD në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe në varësi të tyre edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. E vetme ajo nuk mund të ruajë votat që ka dhe natyrisht, mund të jetë viktima e radhës në vijimin e marrëveshjes së fshehtë midis Ramës e Bashës. E afruar me PD ajo e ka më të lehtë të shtojë prurjet, të cilat në çdo rast do jenë prurje nga radhët e PD, jo nga votuesit e rinj, duke ndikuar në erozionin në PD. Ndaj edhe pa filluar sesioni parlamentar LSI nisi kontaktet me PD dhe mori prej saj një komision parlamentar, kryetari i të cilit ka qenë një nga më të akuzuarit nga PD për korrupsion në të kaluarën e afërt. PD ka dy rrugë afatshkurtra, – ose do bashkohet me LSI duke e vendosur fatin e saj të ardhshëm politik në ndarjen midis të majtës, (PS-LSI) ose do të fokusohet e vetme duke shpresuar në parimin e rotacionit të natyrshëm me PS dhe rrezikuar të presë vite të tëra për të qenë parti e parë. Ka edhe një rrugë afatgjatë, me çmim të lartë por dinjitoze për parti serioze, – PD reformohet, ndryshon sjellje, aksionet politike, imazh dhe program, – dhe kthehet në kohët kur vlerat e saj ishin më të mëdha sesa kartonat parlamentarë, për të krijuar shpresë e alternativë besimi, pra për të sakrifikuar interesat e përfitimet e momentit në funksion të një strategjie fituese afatgjatë, – por për këtë rrugë nuk flet askush në PD-në aktuale. Çështja e koalicioneve tek ne vijon të jetë zgjedhje individësh jo parimesh. Nëse do të kishim politike mbi parime, programe, integritet e vlera, – nuk ka asnjë arsye që PD të krijojë aleancë as me LSI dhe as me PS, por porsa kohë që këto cilësi nuk gjenden as në PD aktuale dhe nuk aplikohen në Shqipëri, fatet e koalicioneve dhe aleancave varen nga raportet personale midis kryetarëve real të partive (Berisha e Basha në PD dhe Meta në LSI) si dhe grupet financiare lobuese (shumë prej financuesve të PD dhe PS aktuale janë edhe të LSI). Për paradoks, duket se PS u nda me LSI duke i dhënë asaj Presidentin e Republikës dhe duke i marrë ca këshilltarë e mbështetës në bazë, kurse PD duket sikur bën opozitë kur ajo është në marrëveshje besimi me Ramën dhe ka ofertë për aleancë pjesën ndër më të korruptuarën e qeverisjes së kaluar, modelin klientelistik të LSI. As njëra dhe as tjetra nuk janë zgjidhje, por janë tregues e deformimit të përfaqësimit politik dhe e krizës së vlerave ku ndodhen partitë kryesore, institucionet dhe liderit e korruptuar dhe produktet e tyre politike.
Sigal